Kalo te përmbajtja

26 QERSHOR 2017
RUSI

Autoritetet ruse vlerësojnë Dëshmitarët, përfshirë shtetasin danez të burgosur, për shërbimin ndaj komunitetit

Autoritetet ruse vlerësojnë Dëshmitarët, përfshirë shtetasin danez të burgosur, për shërbimin ndaj komunitetit

Letër nga autoritetet e Oriolit: «Si mirënjohje për kontributin ndaj komunitetit dhe mjedisit.»

NJU-JORK—Më 2 qershor 2017 autoritetet ruse në qytetin e Oriolit i dhanë një vlerësim të veçantë kongregacionit vendës të Dëshmitarëve të Jehovait, për t’i falënderuar që morën pjesë në pastrimin e përvitshëm të qytetit në 22 prill të këtij viti. 70 Dëshmitarë dolën vullnetarë të punonin gjithë ditën për të hequr mbeturinat nga rrugët e Oriolit dhe nga lumi Orlik që gjarpëron përmes qytetit. Në shenjë vlerësimi, autoritetet e qytetit u dhanë Dëshmitarëve një dhuratë të vogël dhe një letër me shkrim dore që pjesërisht thoshte: «Si mirënjohje për kontributin ndaj komunitetit dhe mjedisit.»

Gjithsesi, një muaj pas pastrimit dhe një javë para se të merrnin këtë falënderim zyrtar nga autoritetet e qytetit, një nga vullnetarët, Denis Kristenseni (në fotografinë sipër), u arrestua për të ashtuquajturën veprimtari ekstremiste teksa merrte pjesë në një mbledhje fetare paqësore më 25 maj. Autoritetet ruse kanë përdorur si pretekst akuzën për aktivitet ekstremist, që të sulmojnë Dëshmitarët e Jehovait në mbarë vendin.

Denis Kristenseni duke ndihmuar me pastrimin e qytetit në tetor 2011

Dejvid Semoniani, zëdhënës në selinë botërore të Dëshmitarëve, tha: «Kush i njeh Dëshmitarët e Jehovait nuk habitet që Denisi dhe Dëshmitarë të tjerë të kongregacionit do të dilnin vullnetarë për të pastruar qytetin. E kanë bërë këtë për shumë vjet, madje edhe pasi u likuidua enti i tyre ligjor në 2016-n. Dëshmitarët e Jehovait në Oriol dhe në qytete të tjera përreth botës njihen si qytetarë model. Ja pse është kaq ironike që Denisi, një i krishterë i zellshëm dhe që i bindet ligjit, të trajtohet si kriminel vetëm pak pasi dha një kontribut kaq pozitiv për komunitetin, i cili u vlerësua nga autoritetet e Oriolit. Mendojmë që Denisi duhet të lirohet menjëherë që të adhurojë Perëndinë paqësisht dhe të vazhdojë t’i shërbejë komunitetit përkrah bashkëbesimtarëve.»

Z. Kristensen u arrestua thuajse një vit pasi likuidimit të entit ligjor të Dëshmitarëve në Oriol më 14 qershor 2016. Akuzat e ngritura kundër z. Kristensen, erdhën edhe si pasojë e vendimit që mori më 20 prill 2017 Gjykata e Lartë e Federatës Ruse për të mbyllur Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, pranë Shën-Pjetërburgut. Z. Kristensen po mbahet në paraburgim nga autoritetet e Oriolit.

Zëdhënësi për mediat:

Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000