Burgosen për shkak të besimit—Rusi
Historia e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusinë e kohëve moderne është një histori shtypjeje dhe përndjekjeje. Në pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, autoritetet ruse i kanë sulmuar dhe keqtrajtuar Dëshmitarët, edhe pse ata njihen si nënshtetas paqësorë që i binden ligjit. Qëllimi i qeverisë së Bashkimit Sovjetik ishte t’i detyronte të pranonin ideologjinë sovjetike. Nuk i lejonin të kishin Bibël ose literaturë fetare. Dëshmitarët ishin gjithë kohës nën vëzhgim dhe u duhej t’i mbanin fshehurazi mbledhjet fetare. Nëse i zbulonin, i rrihnin dhe i dënonin me burg për një kohë të gjatë. Qeveria internoi mijëra Dëshmitarë në Siberi.
Kjo situatë nisi të ndryshonte më 1991 kur qeveria ruse i njohu ligjërisht Dëshmitarët e Jehovait dhe njohu të drejtën për të adhuruar lirisht Perëndinë pa ndërhyrjen e autoriteteve. Mirëpo, ajo periudhë paqeje nuk zgjati shumë.
Në vitin 2009, kundërshtimet dhe kufizimet nisën të përshkallëzoheshin kur Gjykata e Lartë Ruse përkrahu vendimin e një gjykate të një shkalle më të ulët, e cila e kishte shpallur «ekstremist» një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Pas shumë betejash ligjore që zgjatën për vite me radhë, në prill 2017 Gjykata e Lartë Ruse vendosi të mbyllte entet ligjore të Dëshmitarëve, me pretendimin se kryenin aktivitete ekstremiste. Menjëherë autoritetet ruse ndërmorën hapa për t’u konfiskuar pronat, për të mbyllur vendet e tyre të adhurimit dhe për t’i shpallur «materiale ekstremiste» botimet e tyre fetare.
Duke mos u mjaftuar me sulmin kundër enteve ligjore të Dëshmitarëve, autoritetet ruse vendosën të vinin në shënjestër edhe individët Dëshmitarë të Jehovait. Duke shkuar përtej vendimit, ata e lidhin adhurimin në mënyrë private të individëve Dëshmitarë me organizatën e ndaluar. Bastisjet e policisë nëpër shtëpitë e Dëshmitarëve, shoqërohen me keqtrajtime fizike dhe marrje në pyetje në mënyrë të ashpër. Autoritetet kanë arrestuar, kanë shpallur fajtorë e kanë dënuar me burg ose arrest shtëpie shumë Dëshmitarë e Dëshmitare.
Që nga ndalimi në prill të 2017-s, qindra Dëshmitarë janë dënuar nëpër qendra paraburgimi e burgje me akuzën për ekstremizëm. Deri më 18 tetor 2024, gjithsej 131 Dëshmitarë po vuajnë dënimin me burg.
Thirrje kundër keqtrajtimeve që u bëjnë autoritetet ruse Dëshmitarëve të Jehovait
Autoritetet ruse vazhdojnë të shpallin fajtorë Dëshmitarë të Jehovait për veprimtari ekstremiste, pavarësisht nga thirrjet e ndërkombëtarëve që Rusia t’i japë fund përndjekjes mizore. Vëzhgues të mirinformuar dhe gjykata jashtë Rusisë e kanë dënuar qeverinë ruse për përndjekjen e vazhdueshme kundër Dëshmitarëve të Jehovait.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut: Më 7 qershor 2022, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mori një vendim historik kundër Rusisë, duke e dënuar përndjekjen e saj ndaj Dëshmitarëve të Jehovait (OFL-ja e Taganrogut dhe të tjerët kundër Rusisë. nr. 32401/10 dhe 19 të tjera). Gjykata e shpalli të paligjshëm vendimin e Rusisë në vitin 2017 për të ndaluar Dëshmitarët e Jehovait. Ajo e urdhëroi Rusinë «të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që të ndalojë të gjitha ndjekjet penale kundër Dëshmitarëve të Jehovait . . . dhe të lirojë . . . Dëshmitarët e Jehovait [që janë në burg]». Për më tepër Rusia duhet të kthejë të gjitha pronat e konfiskuara ose të paguajë një dëmshpërblim prej më tepër se 60 milionë dollarësh, si edhe t’u paguajë aplikantëve një dëmshpërblim mbi 3 milionë dollarë.
Letër nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës: Në letrën e 9 dhjetorit 2022, drejtuar ministres së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Pejçinoviç-Buriçi, thuhej: «Në çështjet Dëshmitarët e Jehovait në Moskë dhe të tjerë dhe Krupko dhe të tjerë, kur foli për shpërbërjen e komunitetit fetar të aplikuesve, që solli ndalimin e aktiviteteve të tij, shpërndarjen e një mbledhjeje fetare paqësore dhe më pas mohimin e lirisë së disa pjesëmarrësve, Komiteti i nxiti fuqimisht autoritetet të anulonin ndalimin e vendosur për aktivitetet e të gjitha organizatave të Dëshmitarëve të Jehovait dhe të mos i ndjekin më penalisht.»
Vendimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës: Në mbledhjen e zhvilluar në shtator të vitit 2023, Komiteti i Ministrave [CoM] vërejti me «keqardhjen më të madhe se sugjerimet e qarta të [Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut] në përputhje me nenin 46 të Konventës dhe me vendimin në fuqi për çështjen OFL-ja e Taganrogut dhe të tjerët, janë shpërfillur plotësisht dhe me qëllim nga autoritetet ruse, sidomos për sa i përket . . . lirimit të Dëshmitarëve të Jehovait të burgosur». Duke marrë parasysh mosbashkëpunimin e Rusisë, Komiteti i Ministrave «vendosi t’i sillte këto çështje në vëmendje të Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Grupit të Punës për Burgosjen Arbitrare në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe organeve të tjera përkatëse ndërkombëtare që merren me problemin e përndjekjes së Dëshmitarëve të Jehovait në Federatën Ruse, me synimin për të siguruar bashkëpunimin me kërkesat e vendimeve të marra».
Raste të vendimeve të ashpra të marra kohët e fundit
Më 25 janar 2024, Sona Olopovin, një grua të martuar 37-vjeçare, e dënuan me 2 vjet punë të detyruar në një institucion ndëshkimor në Rajonin e Samarës. Në maj të vitit 2023, policia kontrolloi shtëpinë e saj. Pas kontrollit, ngritën një çështje penale ku e akuzuan për aktivitet ekstremist. Por, në të vërtetë, i vetmi «krim» që kishte kryer, ishte se kishte adhuruar në mënyrë paqësore Perëndinë bashkë me besimtarë të tjerë. Sona tregon: «Prokuroria nuk mbajti parasysh se është e pamundur të jesh Dëshmitar i Jehovait e njëkohësisht të jesh ekstremist.»
Më 6 shkurt 2024, një gjykatë apeli la në fuqi vendimin që e shpallte fajtor Dimitri Barmakinin. Atë e arrestuan menjëherë në sallën e gjyqit dhe e futën në burg, ku do të kryejë pjesën e mbetur të dënimit me 8 vjet. Në korrik të vitit 2018, policë të armatosur hynë me forcë në apartamentin ku ndodheshin Dimitri dhe gruaja e tij, Jelena. Ata ishin atje që të kujdeseshin për gjyshen 90-vjeçare të Jelenës. Dimitrin dhe Jelenën i kthyen në qytetin e tyre, Vladivostok, ku Dimitrin e arrestuan. Pas kësaj, kundër tij ngritën një çështje penale me akuzën e «organizimit të aktiviteteve të një organizate ekstremiste». Aktualisht po kryen dënimin në një burg në Territorin e Habarovskut dhe do të lirohet në nëntor të vitit 2029. Edhe Jelena po përndiqet penalisht për shkak të besimit.
Më 29 shkurt 2024, Aleksandër Çagani, një burrë i martuar 53-vjeçar, u shpall fajtor nga Gjykata Krahinore e Centralnëjit në Toliat, në Rajonin e Samarës. Atë e dënuan me 8 vjet burg, një nga dënimet më afatgjata që u është dhënë burrave Dëshmitarë në Rusi. Në përfundim të gjyqit, atë e arrestuan menjëherë në sallën e gjyqit. Aktualisht ai po kryen dënimin në Burgun nr. 4, në Rajonin e Samarës, dhe do të lirohet në janar të vitit 2032.
Më 5 mars 2024, një gjykatë në Rajonin e Irkutskut në lindje të Siberisë shpalli fajtorë për ekstremizëm 9 Dëshmitarë. Nëntë burrat, ku më i vjetri është 72 vjeç, u dënuan me afate të ndryshme burgosjeje me deri 7 vjet. Ky ishte përfundimi i çështjeve penale të ngritura në tetor të vitit 2021 pasi autoritetet u kontrolluan shtëpitë. Në kohën kur u shpall vendimi, një nga burrat, Jaroslav Kalini, kishte kaluar tashmë 2 vjet në paraburgim. Ai e përshkroi burgosjen si një eksperiencë të hidhur ku ka vuajtur në «qelitë dhe në kushtet më të këqija të mundshme».
Në prill të vitit 2024, autoritetet e burgut transferuan Rinat Kiramovin, i cili po kryen dënimin me 7 vjet, në një burg tjetër aty afër që ofron kujdes mjekësor, me pretekstin se kishte tuberkuloz. Në nëntor të 2021-shit, kishin ngritur një çështje penale kundër Rinatit 36-vjeçar, nën akuzën për aktivitet ekstremist. Pasi kaloi 1 vit e gjysmë pas hekurave, atë e dënuan me 7 vjet burg. Kur Rinatin e transferuan në burgun me kujdes mjekësor, një grup të burgosurish abuzuan fizikisht me të, madje e torturuan duke përdorur një armë me elektroshok. Përveç kësaj, për 4 ditë ata nuk e lanë të flinte dhe e lejuan të hante vetëm një vakt në ditë. Pas një kontrolli mjekësor që zbuloi se Rinati nuk kishte tuberkuloz, atë e transferuan në burgun e mëparshëm, më 17 maj 2024. Ai e përfundon dënimin në dhjetor të vitit 2027.
Më 20 qershor 2024, 3 Dëshmitarë me banim në Habarovsk morën dënimet më afatgjata me burg që u kanë dhënë ndonjëherë gjykatat ruse Dëshmitarëve, që kur entet ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait u ndaluan në Rusi. Nikolaj Polevodovin e dënuan me 8 vjet e 6 muaj burg, Vitali Zhukun me 8 vjet e 4 muaj burg dhe Stanislav Kimin me 8 vjet e 2 muaj burg. Burrat i shpallën fajtorë për organizim të aktiviteteve të një organizate ekstremiste. Por, e vërteta është se ata thjesht mblidheshin paqësisht me familjen dhe me besimtarë të tjerë për të lexuar e për të studiuar Biblën. Në tetor të vitit 2024, gjykata ua reduktoi dënimet me 1 vit dhe ua ndryshoi nga dënime me burg në dënime me vënie në provë. Më vonë, tre vëllezërit i liruan nga burgu.
Vazhdojnë përpjekjet për t’u dhënë fund burgosjeve të padrejta
Dëshmitarët e Jehovait anekënd botës janë thellësisht të shqetësuar që Rusia po keqtrajton ashpër bashkëbesimtarët e tyre. Miliona Dëshmitarë nga e gjithë bota u kanë dërguar letra zyrtarëve të qeverisë ruse për Dëshmitarët e burgosur. Avokatët e Dëshmitarëve të burgosur kanë apeluar në çdo shkallë të gjykatave ruse dhe kanë paraqitur sa e sa kërkesa pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu, Dëshmitarët e Jehovait kanë paraqitur ankesa edhe pranë Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, pranë Grupit të Punës të OKB-së kundër Burgosjes Arbitrare dhe kanë dorëzuar raporte pranë organizatave ndërkombëtare që monitorojnë rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Dëshmitarët e Jehovait do të përdorin çdo mënyrë për të informuar vazhdimisht opinionin publik për vuajtjet që po heqin bashkëbesimtarët e tyre në Rusi, që t’i japin fund kësaj përndjekjeje të rëndë fetare.
Tabelë kronologjike
18 tetor 2024
Janë të burgosur gjithsej 131 Dëshmitarë.
24 tetor 2023
Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (CCPR) publikoi 2 Raporte për Organizatat Fetare Lokale në Elistë dhe Abinsk. Në të dyja rastet, CCPR-ja arriti në përfundimin se Rusia ka shkelur të drejtat e Dëshmitarëve sipas neneve 18.1 («e drejta e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë») dhe 22.1 («e drejta e lirisë së shoqërimit») të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Këto vendime konfirmojnë se në botimet e tyre fetare nuk kanë asnjë përmbajtje që nxit urrejtje dhe dhunë.
7 qershor 2022
GJEDNJ-ja merr një vendim historik, OFL-ja e Taganrogut dhe të tjerët kundër Rusisë, dhe dënon Rusinë për keqtrajtimin e Dëshmitarëve të Jehovait.
12 janar 2022
Ministria e Drejtësisë e Federatës Ruse e futi aplikacionin JW Library në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste. Ky është aplikacioni i parë dhe i vetëm i ndaluar si ekstremist në Rusi.
27 shtator 2021
Gjykata e Qytetit të Shën-Pjetërburgut hodhi poshtë apelimin për vendimin e 31 marsit 2021, që e deklaroi ekstremist aplikacionin JW Library dhe ndaloi përdorimin e tij në të gjithë Federatën Ruse dhe në Krime. Vendimi fillestar i gjykatës hyri menjëherë në fuqi.
26 prill 2019
Grupi i Punës për Burgosjen Arbitrare të OKB-s deklaron se të drejtat e Dimtri Mihajlovit janë shkelur dhe se Rusia po përndjek padrejtësisht Dëshmitarët e Jehovait.
20 prill 2017
Gjykata e lartë e Federatës Ruse vendosi të mbyllte zyrën kombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait dhe 395 organizatat fetare të saj në vend.