Kalo te përmbajtja

26 MAJ 2017
RUSI

Një Dëshmitar i Jehovait danez arrestohet dhe burgoset nga policia ruse pas bastisjes së një mbledhjeje të krishterë

Një Dëshmitar i Jehovait danez arrestohet dhe burgoset nga policia ruse pas bastisjes së një mbledhjeje të krishterë

NJU-JORK—Mbrëmjen e 25 majit 2017 policia ruse ndërpreu një mbledhje fetare paqësore të Dëshmitarëve dhe arrestoi një shtetas danez bashkë me disa shtetas rusë. Veprime të tilla vijnë si rezultat i vendimit të Gjykatës së Lartë të Federatës Ruse kundër Dëshmitarëve të Jehovait më 20 prill 2017.

Denis Kristenseni

Të paktën 15 policë të armatosur rëndë dhe agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (SHSF) hynë me forcë në një mbledhje fetare paqësore të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Oriolit (i njohur edhe si Orel), i paraqitur në fotografinë sipër. Policët u morën dokumentet e identifikimit të gjithë të pranishmëve dhe u konfiskuan pajisjet elektronike. Gjithashtu, SHSF-ja arrestoi Denis Kristensenin, një Dëshmitar të Jehovait, nënshtetas danez. Pak pas kësaj policët kontrolluan katër shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në qytet.

Pasi SHSF-ja e mbajti në arrest një natë, sot Gjykata Krahinore Sovjetike e Oriolit pranoi kërkesën e SHSF-së dhe urdhëroi të mbahej në paraburgim derisa SHSF-ja të përfundonte hetimin. Z. Kristensen është i pari i huaj që preket nga veprimet zyrtare kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi që nga vendimi i Gjykatës së Lartë Ruse. Nëse shpallet fajtor, rrezikon të dënohet me shumë vite burg.

Kjo bastisje është rasti më i fundit ndër më se 40 sulmet agresive nga autoritetet dhe të tjerët kundër Dëshmitarëve të Jehovait pasi Gjykata e Lartë Ruse i cilësoi ekstremistë dhe mbylli Qendrën Administrative të Dëshmitarëve në Rusi dhe 395 Organizatat Fetare Lokale në mbarë vendin.

Vandalët i vunë zjarrin një shtëpie ku më parë mbaheshin mbledhje fetare

Vetëm disa orë pasi Gjykata e Lartë shpalli vendimin më 20 prill, një grup burrash në Shën-Pjetërburg vandalizuan vendin më të madh të adhurimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, madje duke kërcënuar besimtarët. Gjithashtu, vandalët kanë sulmuar edhe vende të tjera adhurimi e shtëpi të Dëshmitarëve në rajonet e Kaliningradit, të Moskës, të Penzës, të Rostovit, të Shën-Pjetërburgut, të Sverdllovskit, të Voronezhit dhe të Krasnojarskut. Më 24 maj 2017 në qytetin e Zheshartit në Republikën e Komit, iu vu zjarri një shtëpie ku dikur mbaheshin mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait e si pasojë u dëmtua keqazi. Përveç bastisjeve nga policia dhe akteve vandale, individë Dëshmitarë janë sulmuar e kërcënuar në shkollë dhe në punë, ose i kanë hequr nga puna.

Dejvid Semoniani, zëdhënës në selinë botërore të Dëshmitarëve, u shpreh: «Tani Dëshmitarët e Jehovait përreth botës janë edhe më të shqetësuar për bashkëbesimtarët në Rusi. Duket qartë se këto ngjarje alarmante janë pasoja të vendimit të padrejtë kundër nesh nga Gjykata e Lartë Ruse. Më 19 maj 2017 e apeluam zyrtarisht vendimin. Kështu, Rusia ka edhe një shans t’u japë fund veprimeve të pabaza dhe të pajustifikuara kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Do të paraqesim edhe një ankesë për burgosjen e padrejtë të bashkëbesimtarit tonë, Denis Kristensenit.

Zëdhënësi për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000