10 PRILL 2015
RUSI
Dëshmitarja ruse gjen 6.000 euro dhe ia kthen të zotit
SHËN-PJETËRBURG, Rusi—Në nëntor 2014, Svetlana Nemçinova, një Dëshmitare e Jehovait, gjeti në rrugë një zarf që kishte brenda 6.000 euro. Pasi kërkoi për shumë kohë të zotin, arriti t’ia kthente paratë. Për veprimin altruist të znj. Nemçinova u raportua në televizion, radio dhe në disa artikuj të tjerë lajmesh në Internet.
Znj. Nemçinova pastron rrugët në qytetin e Vologdës, rreth 450 kilometra në verilindje të Moskës. Ndërsa punonte, vuri re një zarf të thjeshtë. Kur pa brenda, kishte një shumë të madhe parash. Megjithëse znj Nemçinova jeton në kushte të thjeshta në një apartament prej 12 metrash katrorë bashkë me tre fëmijët e saj, thotë: «As që më shkoi ndër mend të mbaja paratë. Menjëherë mendova për personin që me siguri po ndihej tmerrësisht keq.»
Për ta gjetur të zotin e parave, znj Nemçinova në fillim vendosi një njoftim në ndërtesat pranë. Kur askush nuk u përgjigj, ajo i çoi paratë në një bankë aty afër, meqë në zarfin e parave kishte një faturë me emrin e bankës. Banka arriti të përcaktonte se paratë i përkitnin zotit Pavel Smirnov. Pas disa përpjekjesh për ta kontaktuar z. Smirnov, më në fund banka arriti ta njoftonte se znj Nemçinova kishte gjetur paratë e tij.
Në një artikull të botuar në gazetën ruse Premier, shkruhet: «Svetlana nuk sheh asgjë të jashtëzakonshme në veprimet e saj. Ajo është besimtare dhe lexon rregullisht Biblën.» Znj Nemçinova i shpjegoi më tej gazetës se veproi në atë mënyrë ngaqë zbaton atë që shpesh quhet Rregulla e Artë, nga Mateu 7:12: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»
Z. Smirnov, një artist që shpiku një përbërje të veçantë boje, i kishte kursyer paratë që të blinte pajisje të specializuara për të çuar përpara kërkimet e tij në lidhje me strukturat e ngjyrave. Ai tha: «S’mund ta shpreh me fjalë sa mirënjohës i jam Svetlanës. Pas asaj që ajo bëri, të rikthehet besimi te njerëzit. Ka mbetur vetëm një gjë për t’u thënë: ‘Paska Zot!’»
Zëdhënësi(t) për mediat:
Ndërkombëtar: Xhejms Brauni, Zyra e Informacionit Publik, +1 718 560 5000
Rusi: Jaroslav Sivulski, tel. +7 812 702 2691