Kalo te përmbajtja

3 MARS 2014
RUSI

Informacion i mëtejshëm: Dështojnë përpjekjet për të ndaluar JW.ORG

Informacion i mëtejshëm: Dështojnë përpjekjet për të ndaluar JW.ORG

SHËN-PJETËRBURG, Rusi—Dëshmitarët e Jehovait arritën një fitore të rëndësishme më 22 janar 2014, kur një gjykatë apeli rrëzoi vendimin e një gjykate më të ulët e cila ndalonte jw.org, sitin zyrtar të Dëshmitarëve të Jehovait, në mbarë Rusinë.

Gjykata Rajonale e Tver përmbysi vendimin e 7 gushtit 2013 që mori Gjykata Krahinore e Tsentralniy. Gjykata rajonale vendosi që gjykata krahinore nuk kishte asnjë arsye të ndalonte sitin pasi Dëshmitarëve të Jehovait, pronarëve ligjorë, nuk u ishte dhënë mundësia të merrnin pjesë në seancën gjyqësore. Prokurorja vendëse në Tver e çoi çështjen në gjykatë, sepse jw.org përmbante botime që gjykatat ruse i kishin shpallur «ekstremiste». Sapo dëgjuan për vendimin e gjykatës krahinore, Dëshmitarët e Jehovait i hoqën këto botime nga jw.org në Rusi. Gjykata Rajonale e Tver pranoi se Dëshmitarët vepronin në përputhje me ligjet e Rusisë dhe anuloi ndalimin.

Dëshmitarët e Jehovait po ndërmarrin hapa ligjore për të kundërshtuar vendimet e gjykatave ruse që kanë shpallur «ekstremiste» disa nga botimet e tyre, dhe kanë paraqitur disa kërkesa për të përmbysur këto vendime para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Grigory Martynov, një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, thotë: «Jemi të lumtur që gjyqtarët kuptuan dobitë e sitit tonë dhe përpjekjet e arsyeshme që kemi bërë për t’u përshtatur me vendimet e gjykatës ruse. Do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat për t’i nxjerrë botimet tona pa shtrembërime dhe të drejtat e qytetarëve rusë për të përfituar plotësisht nga vepra jonë e arsimimit biblik.»

«Dëshmitarët në të gjithë botën janë shumë të lumtur për këtë fitore»,—thotë J. R. Brown, një zëdhënës në selinë botërore të Dëshmitarëve.—«Falë kësaj fitoreje ligjore, të gjithë qytetarët e Rusisë do të vazhdojnë të përdorin këtë sit të shkëlqyer për arsimimin biblik.»

Zëdhënësi për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Rusi: Grigory Martynov, tel. +7 812 702 2691