28 NËNTOR 2014
RUSI
Apel në Gjykatën Rajonale të Rostovit—A do t’i shfajësojë apo do t’i burgosë gjykata Dëshmitarët e Jehovait?
Më 11 dhjetor 2014, Gjykata Rajonale e Rostovit do të shqyrtojë apelimin për çështjen penale kundër 16 Dëshmitarëve të Jehovait në Taganrog të Rusisë. Ata u paditën ngaqë organizonin dhe ndiqnin mbledhje fetare paqësore.
Peripecia e Dëshmitarëve nisi më 2011, kur autoritetet lokale kontrolluan në mënyrë agresive në shtëpitë e tyre dhe filmuan fshehurazi mbledhjet fetare. Kjo pastaj çoi në padi penale. Pas një procesi gjyqësor prej 15 muajsh, Gjykata e Qytetit të Taganrogut shpalli fajtorë shtatë Dëshmitarë më 30 korrik 2014. Gjykatësi i dënoi me gjoba të rënda që të shtatë dhe katër prej tyre i dënoi me afate të gjata burgimi, por menjëherë i tërhoqi gjobat dhe pezulloi dënimet me burg. Gjykatësi i shfajësoi nëntë Dëshmitarët e tjerë për arsye teknike, por ripohoi se ishin përfshirë në aktivitete ekstremiste. Që të 16 Dëshmitarët kanë apeluar dhe kërkojnë që të shfajësohen plotësisht nga çdo padi penale.
Edhe prokurori ka apeluar. Ai kërkon që Gjykata Rajonale e Rostovit t’i burgosë katër Dëshmitarët që janë mësues fetarë dhe t’i arrestojë në përfundim të gjyqit. Gjithashtu kërkon që gjykata të shpallë të pavlefshëm shfajësimin e nëntë Dëshmitarëve të tjerë dhe t’i shpallë fajtorë për përfshirje në «ekstremizëm».
Vasiliy Kalin, përfaqësues i Qendrës Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, tha: «Shpresoj që Gjykata Rajonale e Rostovit të shohë këtë shtrembërim të drejtësisë që kanë përjetuar tashmë këta 16 viktima të shtypjes fetare dhe t’i shfajësojë nga paditë penale.»