Kalo te përmbajtja

Vende ku ka pasur bastisje në Rusi

2 MAJ 2018
RUSI

Nis fushata e terrorit kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi

Nis fushata e terrorit kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi

Në të paktën 7 qytete anembanë Rusisë, policia ka kryer bastisje agresive kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Forcat speciale të policisë (OMON), disa herë me maska dhe me mitralozë, kanë bastisur shtëpitë e Dëshmitarëve, u kanë drejtuar armët dhe kanë çuar në rajon të rinj e të moshuar për t’i marrë në pyetje. Duket se kjo është pjesë e një fushate të organizuar.

Arkadja Akopjani, me të shoqen, Sonjan, dhe dy mbesat

Gjatë vitit që lamë pas, autoritetet nisën të paktën 10 hetime penale dhe burgosën 5 burra Dëshmitarë, përfshirë Denis Kristensenin, i cili është në paraburgim që prej 25 majit 2017. Në Republikën e Kabardino-Balkarisë po zhvillohet gjyqi për një tjetër Dëshmitar, 69-vjeçarin Arkadja Akopjanin. Të gjithë rrezikojnë 2-10 vjet burg, thjesht sepse mblidhen për të adhuruar Perëndinë.

Më 20 prill 2017, Gjykata e Lartë e Federatës Ruse ndaloi veprimtarinë e Qendrës Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait dhe të 395 enteve të tyre ligjore vendëse. Gjatë seancës që u zhvillua në Gjykatën e Lartë, qeveria ruse pohoi se mbyllja e enteve ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait nuk do t’i pengonte individët Dëshmitarë të praktikonin besimin. Por, nga sa duket, këto mbetën vetëm fjalë.

Tani që autoritetet ruse ia dolën t’i mbyllin entet ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait dhe po ua konfiskojnë pronat, kanë vënë nën shënjestër individët dhe lirinë e tyre të adhurimit. Praktikimi i besimit nga më se 175.000 Dëshmitarët e Jehovait në Rusi po konsiderohet vepër penale.

Bastisin, marrin në pyetje dhe burgosin

Që nga janari 2018 forcat e rendit po i shtojnë sulmet ndaj Dëshmitarëve të Jehovait.

20 prill 2018, Shujë, Rajoni i Ivanovos: Forcat e rendit kontrolluan shtëpitë e katër Dëshmitarëve. Ata çuan në rajon Dimitri Mihajlovin, e mbajtën nën arrest, por e liruan më pas. Autoritetet nisën një hetim penal ndaj tij dhe e paditën sipas nenit 282/2(2) të Kodit Penal për «pjesëmarrje në veprimtaritë e një organizate ekstremiste». Ai nuk lejohet të dalë jashtë Shujës deri në një njoftim tjetër.

19 prill 2018, Vladivostok: Policia dhe Shërbimi i Sigurimit Federal (FSB) bastisën një apartament dhe çuan në rajon Valentin Osadçukun dhe tri gra të moshuara për t’i marrë në pyetje. Autoritetet e akuzuan z. Osadçuku në bazë të nenit 282/2(2) të Kodit Penal, i cili parashikon një dënim me burg nga 2-4 vjet, dhe e futën në paraburgim. Më 23 prill, Gjykata e Krahinës së Frunzinskit vendosi ta linte në paraburgim deri më 20 qershor 2018. Aktualisht ai po mbahet në Burgun Hetimor nr. 1, në Vladivostok.

18 prill 2018, Poliarni, Rajoni i Murmanskut: Në orët e vona të mbrëmjes, policë dhe forcat speciale të OMON-it, të maskuar e të armatosur me mitralozë hynë me forcë në shtëpinë e Roman Markinit. Nën kërcënimin e armëve, forcat speciale e detyruan të shtrihej përtokë. Kur i pa të armatosur, e bija adoleshente u ul menjëherë në tokë dhe mbuloi kokën me duar. Pasi kontrolluan shtëpinë, policët e çuan në rajon z. Markini dhe e futën në paraburgim.

Po atë mbrëmje, policia kontrolloi shtëpitë e 14 Dëshmitarëve të tjerë në atë zonë dhe u konfiskoi celularë, tableta dhe sende të tjera personale. Pastaj i çuan në rajon për t’i marrë në pyetje. Autoritetet vendëse hapën një çështje penale kundër z. Markin, si edhe kundër një Dëshmitari tjetër vendës, Viktor Trofimofit. Të dy u akuzuan në bazë të nenit 282/2(1) të Kodit Penal për «organizim të veprimtarisë së një organizate ekstremiste». Nëse shpallen fajtorë, ata rrezikojnë 6-10 vjet burg. Të dy burrat janë në paraburgim në Burgun nr. 1, në Murmansk.

10 prill 2018, Ufë, Rajoni i Zatonit: Nga ora 6.30-7.00 hetuesit dhe forcat speciale të OMON-it bastisën dhe kontrolluan shtëpitë e disa Dëshmitarëve. Gjatë kontrolleve i morën edhe në pyetje. Në një rast, njëri prej tyre i tha një Dëshmitari: «Mjafton të thuash se nuk je më pjesëtar i organizatës së Dëshmitarëve të Jehovait dhe je i lirë.» Në një rast tjetër, një polic i tha një Dëshmitari: «Po e spastrojmë tokën nga ju!» Të gjithë Dëshmitarët i çuan në rajonin e policisë që t’u merrnin shenjat e gishtërinjve dhe t’i pyesnin më tej.

Gjatë bastisjes së shtëpisë të zotit dhe të zonjës Kafizovi, policët ia drejtuan armët çiftit dhe nisën të kontrollonin shtëpinë. Pas kontrollit, një polic e kapi prej krahu znj. Kafizovi, e futi me forcë në makinën e policisë dhe e çoi në rajon për ta marrë në pyetje. Z. Kafizovi nuk është Dëshmitar i Jehovait.

Anatoli dhe Aliona Vilitkeviçi, para se ai të arrestohej

Policët bastisën shtëpinë e Anatoli Vilitkeviçit dhe e arrestuan. Ata i thanë së shoqes se s’kishte për ta parë burrin «për një kohë të gjatë». Autoritetet e kanë akuzuar në bazë të nenit 282/2(1) të Kodit Penal për «organizim të veprimtarisë së një organizate ekstremiste» dhe do ta mbajnë në paraburgim deri më 2 qershor 2018. Nëse shpallet fajtor, rrezikon deri në 10 vjet burg.

Mars 2018, Oriol: Përveç çështjes penale të Denis Kristensenit që vazhdon ende, dhe pas kontrollit të shtatë shtëpive në Oriol (i njohur edhe si Orel), në maj 2017 autoritetet nisën një hetim penal kundër një Dëshmitari tjetër, Sergei Skrinikovit. Z. Skrinikovi nuk është paditur ende. Ai akuzohet në bazë të nenit 282/2(2) për «pjesëmarrje në veprimtaritë e një organizate ekstremiste». Nëse shpallet fajtor, rrezikon 2-4 vjet burg.

7 shkurt 2018, Belgorod: Grupe të mëdha forcash rendi bastisën të paktën 10 shtëpi të Dëshmitarëve. Disa prej Dëshmitarëve i përplasën përtokë ose i shukën pas murit. Policët kontrolluan shtëpitë dhe konfiskuan pajisje elektronike, pasaporta, fotografi e pará. Më pas i çuan në rajon të gjithë Dëshmitarët, i morën në pyetje dhe i liruan të gjithë, përveç Anatoli Sheliapinit dhe Sergei Vojkovit. Policia i mbajti për 48 orë, pastaj i liroi. Megjithatë, asnjërit prej tyre nuk i lejohet të largohet nga Belgorodi.

23 janar 2018, Kemerovë: Policët bastisën dhe kontrolluan 12 shtëpi të Dëshmitarëve e konfiskuan të gjitha pajisjet elektronike, botimet fetare dhe shumë dokumente. Para se të kryheshin bastisjet, një burrë, që u hoq si Dëshmitar i Jehovait, kishte ndjekur mbledhjet e tyre, i kishte regjistruar fshehtas dhe më pas ia kishte dhënë policisë. Në bazë të tyre, autoritetet nisën hetime penale.

Vendimi i Gjykatës së Lartë kërcënon të ndajë familjet

Përveç këtyre veprimeve të ekzagjeruara të policisë dhe të FSB-së, autoritetet ruse kanë dekretuar se Shteti mund t’u marrë fëmijët Dëshmitarëve «për t’i riedukuar». Më 14 nëntor 2017, Plenumi i Gjykatës së Lartë të Federatës Ruse, në Rezolutën nr. 44, vendosi se «gjykatat mund t’u mohojnë të drejtat prindërore» prindërve, nëse këta i përfshijnë fëmijët në një organizatë fetare të ndaluar si «ekstremiste».

Më 23 nëntor 2017, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës nxori një «rekomandim» kombëtar ku kërkonte «riedukimin» e fëmijëve të ekspozuar ndaj «ideologjive . . . ekstremiste-fetare». Ministria veçoi vetëm 2 grupe​—fëmijët e anëtarëve të ISIS dhe fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait. Ajo përmendi se «dhjetëra mijë fëmijë dhe adoleshentë» i kanë prindërit Dëshmitarë të Jehovait. Gjithsesi, deri tani asnjë fëmijë Dëshmitar nuk është ndarë nga familja.

Valë terrori​—Deri ku?

Asnjë shtet tjetër anëtar i Këshillit të Evropës nuk ka nisur një sulm kaq të ashpër ndaj një pakice fetare paqësore. Dëshmitarët e Jehovait në Rusi nuk mblidhen dot hapur që të adhurojnë ose që të lexojnë e të studiojnë Biblën. Për të shmangur arrestimet dhe ndjekjet penale, u duhet të adhurojnë në fshehtësi, njësoj si në epokën sovjetike.

Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën janë thellësisht të merakosur për bashkëbesimtarët në Rusi dhe për mënyrën si do të ndikojë kjo fushatë e sponsorizuar nga qeveria te gjendja emocionale, fizike dhe tek adhurimi i tyre. Filip Bramli, kryekëshilltar për çështjet ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait, tha: «Qeveria ruse duhet t’u japë fund këtyre abuzimeve dhe t’u përmbahet angazhimeve të saj ndërkombëtare për të respektuar të drejtat e njeriut dhe lirinë e fesë. Tani që autoritetet kanë mbyllur entet e tyre ligjore dhe u janë qepur Dëshmitarëve që t’i burgosin, çfarë i pret tjetër Dëshmitarët e Jehovait në Rusi?»