Kalo te përmbajtja

23 NËNTOR 2017
RUSI

Gjykata ruse do të shqyrtojë apelimin e vendimit që e shpalli «ekstremiste» Biblën

Gjykata ruse do të shqyrtojë apelimin e vendimit që e shpalli «ekstremiste» Biblën

Më 6 dhjetor 2017 Gjykata Rajonale e Leningradit do të shqyrtojë apelimin e Dëshmitarëve për vendimin e një gjykate më të ulët që ndalon Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në rusisht.

Në gusht të 2017-s Gjykata e Qytetit të Viborgut e pranoi argumentimin e prokurorit se Përkthimi Bota e Re nuk është Bibël, pasi emri i Perëndisë që paraqitet nga Tetragrami, në të përkthehet «Jehova». Ky argumentim e lejon prokurorin ta shmangë me dredhi Ligjin Kundër Veprimtarive Ekstremiste, sipas të cilit është e ndaluar t’i shpallësh ekstremiste tekstet e shenjta.

Dëshmitarët e Jehovait, botuesit e Përkthimit Bota e Re në rusisht, e kundërshtojnë fuqimisht vendimin e Gjykatës së Qytetit të Viborgut, që e shpall botim «ekstremist» këtë Bibël. Përkthimi Bota e Re është botuar pjesërisht ose i plotë në 161 gjuhë. Ai vlerësohet shumë, është i saktë dhe i lehtë për t’u lexuar. Deri tani janë shpërndarë mbi 200 milionë kopje.