Kalo te përmbajtja

3 MARS 2014
RUSI

Gjykata e apelit në Rusi përkrah të drejtat e njeriut duke refuzuar të ndalojë JW.ORG

Gjykata e apelit në Rusi përkrah të drejtat e njeriut duke refuzuar të ndalojë JW.ORG

Më 22 janar 2014, një komision me tre gjyqtarë të Gjykatës Rajonale të Tver rrëzoi vendimin e një gjykate më të ulët që ndalonte jw.org, sitin zyrtar të Dëshmitarëve të Jehovait. * Ndryshe nga vendimet e tjera të marra nga gjykatat ruse vitet e fundit, Gjykata Rajonale zbatoi ligjin dhe hodhi poshtë përpjekjet këmbëngulëse të prokurores për të ndaluar sitin.

Sulmet dhe përndjekja e sponsorizuar nga shteti kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, mori kthesë për keq më 7 gusht 2013, kur një gjykatë më e ulët në Tver (rreth 160 kilometra në veriperëndim të Moskës) nxori vendimin për të ndaluar jw.org gjatë një gjyqi që zgjati vetëm 25 minuta. Nuk i njoftuan përfaqësuesit e Dëshmitarëve të Jehovait për këtë shqyrtim, ndaj këta nuk kishin mundësi të kundërshtonin argumentet që ngriti prokurorja vendëse dhe të paraqitnin mbrojtjen e tyre në gjyq. Dëshmitarët e Jehovait dëgjuan për këtë vendim përmes lajmeve në media, pak orë para se të përfundonte afati për të apeluar vendimin më 12 shtator 2013. Apeluan menjëherë në Gjykatën Rajonale të Tver.

Në seancën e apelit më 22 janar 2014, Gjykata Rajonale pranoi se të drejtat e pronarit ligjor të sitit, Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., ishin shkelur dhe urdhëroi të mbahej një gjyq tjetër për të dëgjuar argumentet e të dy palëve. Prokurorja, me përkrahjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme, i kërkoi gjykatës ta shpallte sitin «ekstremist» dhe ta ndalonte në mbarë Rusinë. Me një vendim të denjë për t’u lavdëruar, Gjykata Rajonale hodhi poshtë argumentet e prokurores.

Nis sulmi në nivel mbarëkombëtar—ligji për ekstremizmin keqpërdoret për të kufizuar aktivitetin e Dëshmitarëve të Jehovait. Duke nisur nga viti 2009, autoritetet ruse kanë përdorur përkufizimin e mjegullt të Ligjit Federal për të Luftuar Aktivitetet Ekstremiste, që të zgjerojnë sulmet e tyre kundër Dëshmitarëve të Jehovait nga një sulm i kufizuar në disa zona të caktuara deri në një sulm të organizuar me përmasa mbarëkombëtare. Deri më sot, autoritetet kanë keqpërdorur ligjin për ekstremizmin që të justifikojnë:

  • arrestimin e më tepër se 1.600 Dëshmitarëve të Jehovait;

  • ndalimin e 70 botimeve fetare të Dëshmitarëve;

  • bastisjen e 171 shtëpive dhe vendeve të adhurimit; dhe

  • prishjen ose ndërprerjen e 69 shërbesave fetare.

Në çështjen Tver, prokurorja donte të ndalonte jw.org për shkak të gjashtë botimeve të ashtuquajtura «ekstremiste» që dilnin në sit. Gjykata Krahinore e TsentralniyTver përdori ligjin për ekstremizmin si bazë të vendimit të saj të 7 gushtit 2013 për të ndaluar jw.org dhe për ta shtuar në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste.

Është e qartë se ky vendim është jashtë logjike, sepse nuk propozonte asnjë alternativë—për shembull, mund të kërkonte që këto botime të ashtuquajtura «ektremiste» të hiqeshin nga siti. Kur Gjykata Rajonale kuptoi se pronarët ligjorë tashmë kishin hequr nga siti gjithë botimet e cilësuara si «ekstremiste» për popullsinë ruse, nuk e pati të vështirë të arrinte në përfundimin se nuk kishte asnjë arsye ligjore për të ndaluar sitin. Tani vendimi është përfundimtar, ndonëse prokurorja ka gjashtë muaj afat për të apeluar në gjykatën e kasacionit. Gjithsesi, gjykata ka të drejtën të përzgjedhë dhe nuk është e detyruar ta shqyrtojë apelin.

A tregon vendimi i Gjykatës Rajonale të Tver se situata po ndryshon për mirë?

Ka ende shumë për t’u ndrequr. Vlerësimi objektiv dhe gjykimi i Gjykatës Rajonale të Tver ndryshojnë thellësisht nga masat shtypëse të marra kundër Dëshmitarëve të Jehovait nga gjykatat e tjera ruse. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) i ka dënuar disa herë shkeljet e Rusisë që ka kufizuar lirinë fetare të Dëshmitarëve. Në vend që të zbatojë në gjykimet e saj masat që ka marrë GJEDNJ-ja, Rusia ka vazhduar të shumëfishojë shkeljet e të drejtave të njeriut. Në mbrojtje të lirisë së tyre të adhurimit, Dëshmitarët e Jehovait momentalisht kanë 23 çështje pezull kundër Rusisë në GJEDNJ.

A tregon vendimi i Gjykatës Rajonale të Tver se situata po ndryshon për mirë? Dëshmitarët e Jehovait do të jenë mjaft të vëmendshëm ndaj reagimit të Rusisë për këtë vendim dhe ndaj vendimeve të ardhshme të GJEDNJ-së.

^ par. 2 Nëse siti ndalohej me vendim të gjykatës, kompanitë që ofrojnë shërbim Interneti në Rusi do ta bllokonin hyrjen në jw.org. Gjithashtu, ndalimi do t’i autorizonte autoritetet të paditnin për shkelje ligji këdo që e reklamonte sitin.