28 QERSHOR 2017
RUSI
Gjykata hedh poshtë apelimin kundër paraburgimit të Denis Kristensenit
Më 21 qershor 2017 Gjykata Rajonale e Oriolit hodhi poshtë apelimin kundër paraburgimit të Denis Kristensenit. Z. Kristensen, shtetas danez, u arrestua vetëm ngaqë po ndiqte një mbledhje fetare të Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo ndodhi më 25 maj 2017 gjatë një bastisjeje nga agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (SHSF) dhe nga policë me maska e të armatosur.
Kohët e fundit, Gjykata e Lartë e Federatës Ruse i shpalli «ekstremiste» entet ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi dhe vendosi që të ndërpriteshin menjëherë veprimtaritë e këtyre enteve. Policët që bastisën mbledhjen fetare të Dëshmitarëve më 25 maj, u thanë të pranishmëve se do të ndiqeshin penalisht pasi po vazhdonin veprimtarinë e një organizate të mbyllur për ekstremizëm. SHSF-ja kërkoi një urdhër gjykate për ta mbajtur në paraburgim z. Kristensen deri më 23 korrik 2017—ndonëse është person paqësor dhe pa asnjë precedent penal—sa të mblidhen prova që ta akuzojnë për ekstremizëm.
Dëshmitarët e Jehovait po punojnë për të apeluar vendimin e padrejtë të Gjykatës së Lartë. Ata po përgatiten edhe të mbrojnë të drejtën për të vazhduar lirisht veprimtaritë e tyre fetare paqësore, siç garantohet në Kushtetutën Ruse dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.