Kalo te përmbajtja

Gjykatësi Ivanenko i Gjykatës së Lartë duke shpallur vendimin kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi

21 PRILL 2017
RUSI

Gjykata e Lartë shpall të jashtëligjshme veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi

Gjykata e Lartë shpall të jashtëligjshme veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi

Më 20 prill 2017, pavarësisht nga kritikat e forta nga mbarë bota, Gjykata e Lartë ruse vendosi të shpallë të jashtëligjshme veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Jurij Grigorjeviç Ivanenko, gjykatës në Gjykatën e Lartë, vendosi në favor të padisë së paraqitur nga Ministria e Drejtësisë që «të mbyllë organizatën fetare ‘Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi’ bashkë me organizatat fetare lokale që janë pjesë e strukturës së saj [dhe] që të gjitha pronat e organizatës fetare të likuiduar, t’i kalohen Federatës Ruse».

Gjykatësi Ivanenko shtoi se ky vendim që hynte në fuqi menjëherë, ndalonte veprimtarinë e të gjitha enteve ligjore të Dëshmitarëve në mbarë Rusinë. Ndonëse Dëshmitarët e Jehovait do ta apelojnë vendimin pranë Dhomës së Apelit të Gjykatës së Lartë, në të vërtetë ky vendim i ndalon të praktikojnë besimin e tyre.

Ekipi ligjor i Qendrës Administrative

Vasilij Kalini, i cili në moshën katërvjeçare u internua në Siberi bashkë me prindërit meqë ishin Dëshmitarë të Jehovait, u shpreh: «Në momentin që u shpall vendimi i sotëm, jeta e të gjithë Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, si individë e si familje, ndryshoi kryekëput. Tani rrezikojnë të ndiqen penalisht dhe të burgosen vetëm sepse praktikojnë besimin.»

Filip Bramli, kryekëshilltar për çështjet ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait, pohoi: «Vendimi i sotëm është një zhgënjim total. Çdo shqyrtim objektiv i kërkesave me shkrim dhe i provave të paraqitura çon në një përfundim të padiskutueshëm—Qendra Administrative nuk ka kryer kurrë ndonjë veprimtari të ashtuquajtur ekstremiste. Po përgatitemi ta apelojmë vendimin.»