24 KORRIK 2017
RUSI
Gjykata e Oriolit zgjat paraburgimin e Denis Kristensenit
Më 20 korrik 2017 Gjykata Krahinore e Oriolit e zgjati periudhën e paraburgimit të Denis Kristensenit deri më 23 nëntor 2017. Z. Kristensen, shtetas danez dhe një Dëshmitar i Jehovait, u arrestua më 25 maj kur agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal bashkë me policë të maskuar e të armatosur, bastisën një mbledhje fetare paqësore në Oriol ku ishte i pranishëm edhe ai.
Avokatët e tij bënë kërkesë që të lirohej në bazë të një garancie, dhe kishin marrë masa për ta paguar. Por, gjykata nuk e pranoi kërkesën, pavarësisht se ai nuk kishte precedentë penalë dhe as njihej si person i dhunshëm.
Ky vendim për të zgjatur paraburgimin vjen fill pas atij të 17 korrikut nga Dhoma e Apelit e Gjykatës së Lartë Ruse, e cila la në fuqi vendimin e mëparshëm për të mbyllur të gjitha entet ligjore të Dëshmitarëve dhe për të ndaluar veprimtarinë e tyre në mbarë vendin. Pasi i përndoqën Dëshmitarët për më shumë se një dekadë dhe i cilësuan «ekstremistë», së fundmi autoritetet ruse ia kanë dalë mbanë të sajojnë një pretekst ligjor për t’i shpallur të jashtëligjshme veprimtaritë e tyre fetare.
Duke komentuar për situatën e përgjithshme që po hasin Dëshmitarët në Rusi, Keit Bërnsi, zëvendësdrejtore e Misionit Amerikan për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, tha: «Jemi të alarmuar ngaqë Gjykata e Lartë më 17 korrik la në fuqi vendimin për ndalimin e veprimtarive të Dëshmitarëve të Jehovait dhe mbylljen e Qendrës së tyre Administrative, si edhe të 395 organizatave fetare lokale për të ashtuquajturën ‘veprimtari ekstremiste’. Sa gjë e neveritshme është, të shohësh se si më shumë se 175.000 Dëshmitarë të Jehovait në Rusi tani mund të përballen me ndjekje penale, thjesht ngaqë praktikojnë fenë e tyre! Na shqetëson fakti që legjislacioni për ‘ekstremizmin’ po zbatohet në një masë gjithnjë e më të madhe për të shënjestruar padrejtësisht pjesëtarët e pakicave fetare paqësore në Rusi.»