7 MAJ 2018
RUSI
Gjykata e Qytetit të Shën-Pjetërburgut vendos kundër Dëshmitarëve të Jehovait për çështjen e pronës
Më 3 maj 2018 Gjykata e Qytetit të Shën-Pjetërburgut hodhi poshtë apelimin e Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët kërkonin që Shteti të mos konfiskonte zyrën e tyre kombëtare në Solneknoje. Tashmë vendimi ka hyrë në fuqi dhe Shteti mund ta marrë pronën në çdo moment.
Ky vendim lë në fuqi vendimin që kishte marrë Gjykata Krahinore e Sëstrarjetskit, e cila shpalli të pavlefshme kontratën 17-vjeçare sipas së cilës prona në Solneknoje i kalonte Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Anulimi i kontratës i hap rrugën gjykatës që të pretendojë se prona ka qenë gjithmonë e Qendrës Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Si pasojë, Shteti mund të konfiskojë pronën sepse Qendra Administrative u mbyll në prill 2017 nga Gjykata e Lartë. Ky «arsyetim» i padrejtë e lejon qeverinë të veprojë «nën petkun e ligjit», duke i dhënë mundësi ta konfiskojë arbitrarisht pronën.
Filip Bramli, kryekëshilltar për çështjet ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait, u shpreh: «Ky vendim ishte një padrejtësi flagrante. Prona iu kushtua Perëndisë dhe u përdor për veprimtaritë fetare paqësore të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Në thelb, qeveria po e vjedh pronën dhe do ta apelojmë këtë padrejtësi pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.»