Kalo te përmbajtja

27 SHKURT 2017
RUSI

Ministria e Drejtësisë e Rusisë heton me imtësi Zyrën Kombëtare të Dëshmitarëve në Rusi

Ministria e Drejtësisë e Rusisë heton me imtësi Zyrën Kombëtare të Dëshmitarëve në Rusi

Ministria e Drejtësisë e Rusisë heton me imtësi zyrën kombëtare të Dëshmitarëve në Rusi. Me urdhër të prokurorit të përgjithshëm, më 1 shkurt 2017 Ministria e Drejtësisë i njoftoi Dëshmitarët se do të inspektonte Qendrën e tyre Administrative. Si pjesë e inspektimit të caktuar për datat 8-27 shkurt, ajo i kërkoi Qendrës Administrative të gjithë dokumentacionin për pronat, për gjendjen financiare, për strukturën organizative, për programin e arsimimit dhe për veprimtaritë fetare. Më 15 shkurt 2017 Qendra Administrative paraqiti mbi 73.000 faqe dokumentesh që përmbanin informacionin e kërkuar nga autoritetet.

Ky inspektim i hollësishëm vjen menjëherë pas vendimit më të fundit nga Gjykata e Qytetit të Moskës që vendosi në favor të paralajmërimit që nxori prokurori i përgjithshëm në mars 2016 kundër Qendrës Administrative. Me anë të paralajmërimit, prokurori i përgjithshëm kërcënonte se do të mbyllte Qendrën Administrative duke e akuzuar si ekstremiste. Që atëherë, gjykatat në pjesë të tjera të Rusisë kanë vendosur të mbyllin disa ente ligjore lokale të Dëshmitarëve me pretekstin se zhvillojnë «veprimtari ekstremiste», pavarësisht nga dëshmitë e qarta se akuzat bazohen në prova të sajuara.

Nisur nga ky hetim, Dëshmitarët e Jehovait në Rusi janë të shqetësuar se është thuajse e pashmangshme mbyllja e zyrës së tyre kombëtare. Sulmet dhe kufizimi ndaj adhurimit paqësor të Dëshmitarëve të Jehovait, kanë treguar se autoritetet ruse s’e kanë problem t’i shpërfillin standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.