18 NËNTOR 2016
RUSI
PJESA 2 Shtesë
Intervista ekskluzive—Ekspertët dënojnë kërcënimin e Rusisë për të ndaluar Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re
Kjo është Pjesa 2 e një serie me tri pjesë.
Menjëherë pas amendamentit të kohëve të fundit të presidentit Vladimir Putin, ku thuhet qartë se disa tekste të shenjta nuk mund të ndalohen, autoritetet ruse po përpiqen të ndalojnë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, duke e cilësuar «ekstremist». Ndërsa çështja është ende pezull dhe ndërsa vazhdon analiza mbi Përkthimin Bota e Re, për të cilin gjykata ka caktuar Qendrën e Studimeve të Specializuara Socialkulturore në Moskë, janë bërë intervista ekskluzive me disa studiues të njohur të fesë, të politikës dhe të sociologjisë, si dhe me ekspertë të studimeve sovjetike dhe postsovjetike.
Ç’mendojnë studiuesit e Biblës për Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, dhe ç’reputacion kanë Dëshmitarët e Jehovait si përkthyes?
«Përkthimi Bota e Re është si çdo përkthim tjetër që pasqyron përpjekjen e sinqertë për të kapur e për të shprehur kuptimin origjinal sa më mirë të jetë e mundur. Të gjitha përkthimet e botuara nga organizatat fetare pasqyrojnë bindje të caktuara teologjike, dhe Përkthimi Bota e Re nuk bën përjashtim—për shembull, përdor emrin ‘Jehova’ në gjithë Biblën—por kjo nuk ndikon te besueshmëria e përkthimit. Më 2014 u botua Përkthimi Bota e Re në estonisht. Ai tërhoqi goxha vëmendjen e përkthyesve të tjerë të Biblës në estonisht, të cilët i përkitnin si grupeve të ndryshme të krishtere, edhe fushës akademike, dhe është konsideruar i qartë dhe i këndshëm. Me shumicë votash, Përkthimi Bota e Re në estonisht u vlerësua me çmimin e tretë si Arritja Gjuhësore e Vitit, që u dha nga Ministria e Kërkimeve dhe e Arsimit.»—Dr. Ringo Ringve, këshilltar për Çështjet Fetare në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Estonisë; profesor i specializuar për krahasimin mes feve pranë Institutit Teologjik të Kishës Luterane Evangjeliste të Estonisë, Estoni
«Mes hulumtuesve që merren me studime fetare, pa dyshim që Dëshmitarët e Jehovait ofrojnë vlera dhe parime themelore bazuar në Bibël. Dëshmitarët e Jehovait kanë një reputacion të mirë si përkthyes të Biblës.»—Dr. Roman Lunkini, kryetar i Qendrës për Fenë dhe Shoqërinë në Institutin e Evropës, Akademia Ruse e Shkencave në Moskë; president i Lidhjes së Specialistëve të Fesë dhe të Ligjit, Rusi
«Dihet që sot ka mjaft përkthime të Biblës, duke filluar me përkthimin në greqisht të Dhiatës së Vjetër, pra Septuagintën, deri te përkthime të Biblës në gjuhët moderne, ku futet edhe rusishtja. Natyrisht, çdo përkthim ka ngjyrimet e veta sipas mënyrës së të menduarit në secilën gjuhë. E rëndësishme është që, pavarësisht nga përkthimi, kuptimi bazë i tekstit origjinal të mbetet i pandryshuar në çdo përkthim të Biblës. Nga këndvështrimi im, i tillë është edhe Përkthimi Bota e Re.»—Dr. Ekaterina Elbakjani, profesoreshë e sociologjisë dhe e menaxhimit të çështjeve sociale, Akademia e Punës dhe e Marrëdhënieve Sociale në Moskë; anëtare e Shoqatës Evropiane për Studimin e Fesë; kryeredaktore e Fjalorit Westminster për Termat Teologjikë, botimi në rusisht, e Studimit të Fesë dhe e Enciklopedisë së Feve, Rusi
«Përkthimi Bota e Re është vlerësuar jashtë mase në të gjithë botën nga studiues të Biblës të komuniteteve të ndryshme fetare.»—Dr. Gerard Besieri, profesor i merituar, studimet evropiane, Technische Universität Dresden; lektor në Universitetin e Stenfordit; drejtor i Institutit Sigmund Nojman për Kërkimet mbi Lirinë dhe Demokracinë, Gjermani
«Përkthimi i Biblës nga Dëshmitarët e Jehovait nuk është botim i një grupi amator. Është puna kolosale e një numri të madh përkthyesish profesionistë gjatë shumë viteve, duke përfshirë gjuhëtarë të njohur, ekspertët më të mirë të gjuhëve të lashta. Ekspertë—në veçanti studiues të Biblës—që analizojnë përkthimin e ri të Dëshmitarëve, arrijnë në përfundimin se nuk ka ndryshim në kuptim mes përkthimeve të vjetra e të reja dhe s’gjejnë ndonjë risi ekstremiste te Bibla e Dëshmitarëve të Jehovait. Fjalë, koncepte dhe shprehje të vjetruara e të vështira për t’u kuptuar janë sjellë në gjuhën moderne. Protestantët e kanë pranuar pa problem këtë përkthim, duke e konsideruar si pjesë të veprimtarisë botërore të arsimimit biblik.»—Dr. Ludmilla Filipoviçi, profesoreshë dhe shefe e Departamentit të Historisë së Feve dhe të Studimeve Praktike, Instituti i Filozofisë pranë Akademisë Kombëtare të Shkencave; zëvendëspresidente e Shoqatës Ukrainase të Studiuesve të Fesë, Ukrainë
«Të themi të drejtën, Përkthimi Bota e Re është kritikuar nga studiues të njohur. Megjithatë, këto kritika janë për një numër të kufizuar çështjesh doktrinale që varen nga përkthimi i disa shprehjeve kyçe. Dëshmitarët e Jehovait nuk i kanë shtuar Biblës asgjë që mund të nxitë ekstremizëm ose veprimtari të dhunshme. Përkundrazi, Dëshmitarët gjithmonë e kanë përdorur Biblën për të përkrahur paqen dhe për t’iu kundërvënë dhunës.»—Dr. Xhorxh Krisajdsi, ish-kryetar i studimeve fetare, Universiteti i Ulvërhamtënit; studiues i nderuar i fesë bashkëkohore në Universitetin Sent-Xhon të Jorkut dhe në Universitetin e Birmingamit, Mbretëria e Bashkuar
«Sigurisht që nuk mendoj se është botim ‘ekstremist’ dhe, krahasuar me përkthimet e tjera, është cilësor. Meqë jam poliglot—njoh anglishten, japonishten dhe hebraishten—i kuptoj problemet në çdo përkthim, ama Përkthimi Bota e Re nuk ka më tepër probleme se shumica e përkthimeve të tjera cilësore dhe as më pak se disa të tjera, si përkthimi origjinal King James.»—Profesor Frenk Raviçi, profesor i juridikut, Walter H. Stowers Chair of Law and Religion, Universiteti Shtetëror i Miçiganit, Shtetet e Bashkuara
«Përkthimet e Biblës nuk janë kurrë të përsosura, për shumë arsye. Në Përkthimin Bota e Re ka fragmente që unë do t’i përktheja ndryshe. Mirëpo, kjo vlen për të gjitha përkthimet. Nuk jam ekspert i gjuhës ruse (edhe pse e kuptoj), ndaj nuk mund të gjykoj cilësitë letrare të një përkthimi rus. Kur u botua Përkthimi Bota e Re në estonisht, më 2014, u prit shumë mirë nga publiku i gjerë. Madje është quajtur ‘eventi letrar i vitit’, falë cilësisë dhe qartësisë së përkthimit në estonisht. Duke pasur parasysh se në tërë botën është përdorur e njëjta metodë për Përkthimin Bota e Re—produkti përfundimtar është në thelb i njëjti mesazh me ndryshime të vogla, bazuar në karakteristikat e gjuhës në të cilën është përkthyer. Botimi rus nuk më duket shumë ndryshe nga ai eston. Prandaj mund të them pa frikë se është përkthim i besueshëm dhe pa diskutim i parrezikshëm a ‘ekstremist’.»—Dr. Ain Ristani, lektor i Dhiatës së Re, Shkolla e Teologjisë dhe e Studimeve Fetare, Universiteti i Tartusë, docent i teologjisë së kishave të lira dhe i historisë së fesë, Seminari Teologjik i Tartusë, Estoni
«Mjerisht, shumë nga autoritetet që vendosin të konfiskohen Biblat e Dëshmitarëve as që e kanë idenë e besimit dhe të Shkrimeve të Shenjta. Pa dyshim që Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re është përkthim i mirë, dhe pa dyshim që përkthimi i disa pjesëve është i diskutueshëm, ama kjo vlen edhe për përkthime të tjera (edhe për kishën time, Kishën Katolike Romake).»—Dr. Bazili Groeni, UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën), drejtues i Programit për Dialog Ndërkulturor e Ndërfetar për Evropën Juglindore; profesor i liturgjisë dhe i teologjisë sakramentale, drejtor i Institutit të Liturgjisë, Artit të Krishterë dhe Himnologjisë, Universiteti i Gracit, Austri
«Nga këndvështrimi im, si akademik, Përkthimin Bota e Re nuk kanë pse ta rishikojnë autoritetet publike. Është tekst fetar dhe autoritetet në një shtet demokratik nuk duhet të ndërhyjnë tek ai. Pohimi se Përkthimi Bota e Re është i rrezikshëm ose ekstremist nuk ka kuptim.»—Dr. Osin Sadoku, lektor i ligjit publik dhe drejtor i Departamentit të Ekonomisë Ligjore dhe Sociale, Université de Haute Alsace, Francë
«Mendoj se shumica e studiuesve e respektojnë përkthimin e Biblës nga Dëshmitarët e Jehovait, edhe pse disa mund ta kundërshtojnë mënyrën si janë përkthyer ca fjalë e shprehje.»—Dr. Uilliam Kevëno, profesor i studimeve katolike, drejtor i Qendrës së Katolicizmit Botëror dhe i Teologjisë Ndërkulturore, DePaul University, Shtetet e Bashkuara
Ç’mendoni për përpjekjet e autoriteteve ruse për të ndaluar Biblën e përkthyer nga Dëshmitarët e Jehovait, me pretekstin se është «ekstremiste»?
«Mendoj se ndalimi i importimit të Përkthimit Bota e Re në Federatën Ruse do të shkelte hapur amendamentin e nenit 3 të Ligjit Federal kundër Ekstremizmit, firmosur nga z. Putin vjeshtën e vitit 2015, pasi ky ligj nuk thotë gjë për përkthimet e librave të shenjtë. Siç e dimë, asnjë nga këta libra të shenjtë (Bibla, Kurani, Tora dhe Kangyur) nuk është shkruar në rusisht ose në sllavishten e kishës, kështu që në Federatën Ruse janë përdorur vetëm si përkthime, të cilat, e përsëris prapë, janë të shumta. Ligji nuk specifikon cilat përkthime të librave të shenjtë mund të përdoren në Federatën Ruse dhe cilat janë të ndaluara. Prandaj mund të përdoret çdo lloj përkthimi, dhe ndalimi i ndonjë përkthimi të veçantë, është i jashtëligjshëm.»—Dr. Elbakjani, Rusi
«Ndalimi i çdo materiali tërësisht fetar është i dyshimtë, e sidomos ndalimi i një Bible që përdoret prej kohësh në adhurim nga një grup fetar i njohur dhe i respektuar si Dëshmitarët e Jehovait. Ka dhjetëra përkthime të Biblës që përdorin grupe të tjera të krishtere që nuk janë ndaluar; ndaj duket sheshit se Rusia në të vërtetë po sulmon Dëshmitarët e Jehovait, jo Biblën e tyre.»—Dr. Derik Dejvisi, avokat, ish-drejtor i Institutit të Studimeve Kishë-Shtet Xh. Dosëni, Universiteti Bejlër, Shtetet e Bashkuara
«Si shtet anëtar i ICCPR-së [Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike], përpjekja e Rusisë për të ndaluar një Bibël të tillë do të shkelte marrëveshjet për lirinë e fesë.»—Dr. Xhefri Hajnesi, profesor politike dhe drejtor i Qendrës për Studimin mbi Fenë, Konfliktin dhe Bashkëpunimin, Universiteti Metropolitan i Londrës; drejtues, Lidhja Evropiane për Grupin e Përhershëm të Kërkimeve Politike për Fenë e Politikën, Mbretëria e Bashkuar
«Në Rusi, ku feja ka qenë gjithmonë pjesë shumë e rëndësishme e kulturës dhe e rritjes, autoritetet po fillojnë ta shohin si diçka të dyshimtë e që s’mund t’i zihet besë. Kush e imagjinonte se miratimi i një ligji që u jep imunitet disa librave të shenjtë do të çonte në ndalimin e librave të tjerë të shenjtë? Ndërkohë, kisha dhe gjykatat po përpiqen të përcaktojnë se cili libër është i shenjtë e cili jo. Të parët që u cenuan nga kjo, ishin Dëshmitarët e Jehovait dhe përkthimi i tyre i Biblës, e kjo s’është për t’u habitur meqë që nga 2009-a po vazhdon një fushatë kundër tyre e nxitur nga politika.»—Dr. Lunkini, Rusi
«Jam goxha i sigurt se për Rusinë mjafton fakti që Përkthimi Bota e Re është botuar nga Dëshmitarët e Jehovait që të ndalojë shpërndarjen e tij. Sigurisht një qëndrim i tillë është plotësisht i paarsyeshëm, meqë Bibla mbetet Bibël ashtu si Kurani mbetet Kuran. Nuk kam arsye të vë në diskutim merakun me të cilin është punuar Përkthimi Bota e Re.»—Profesor Uilliam Boringu, profesor i juridikut, drejtor në Fakultetin e Drejtësisë në Birkbek, (LLM/MA Human Rights), Universiteti i Londrës; avokat i Middle Temple dhe i Gray’s Inn, Mbretëria e Bashkuar
«Nuk jam i bindur që këto amendamente të reja nuk zbatohen për Dëshmitarët e Jehovait ose për grupe të tjera të vogla fetare, përfshirë ato të rejat. Kjo situatë nxjerr në pah një problem me natyrë politiko-ligjore—mungesën e një metode të përgjithshme për të kuptuar e për të vlerësuar marrëdhëniet shtet-fe si një lloj i veçantë institucioni civilo-politik, si dhe sferën e jetës socialpolitike. Në këtë vend [Rusi] nuk ka akoma parime të formuluara qartë e metoda të nivelit të politikave qeveritare (marrëveshje, strategji, programe) në fushën e marrëdhënieve shtet-fe. Kjo paqartësi politiko-ligjore jo vetëm që nxit kriminalizimin e përgjithshëm të kësaj fushe duke ndjekur penalisht interesat e pakicave fetare dhe duke zbatuar ligjin në mënyrë të pabarabartë, por edhe dëmton sferën fetare dhe gjithë dialogun ndërfetar, sepse çon në spekulim politik të vlerave të nivelit më të lartë dhe i përbalt ato. Është normale që çdo fe të çmojë shkrimet e saj të shenjta. Çdo fe jo vetëm që bën një grupim të shkrimeve të tilla, por edhe themelon kanonin e vet.»—Dr. Uilliam Shmidi, kryeredaktor, Euroazia: traditat fetare të popujve; profesor për Marrëdhëniet Kombëtare dhe Federative, Akademia Presidenciale e Rusisë për Ekonominë Kombëtare dhe për Administrimin Publik (RANEPA), Rusi
«Nuk gjej dot asnjë arsye të vlefshme pse autoritetet ruse duhet ta diskriminojnë Përkthimin Bota e Re. Pa diskutim që s’ka asgjë ekstremiste në përkthimin e Biblës së Dëshmitarëve. Është një përkthim i bazuar në tekstet hebraike dhe greke, dhe përmbajtja e tij në thelb është e njëjtë me atë të përkthimeve të pranuara gjerësisht.»—Dr. Krisajdsi, Mbretëria e Bashkuar
«Më duket sikur njëherë që autoritetet ruse kanë vendosur t’i quajnë Dëshmitarët e Jehovait organizatë ekstremiste, bëjnë gjithçka në përputhje me këtë vendim—dhe kjo mund e duhet konsideruar e gabuar.»—Dr. Tomas Bremeri, ish-studiues në Qendrën Jordan për Studime të Avancuara për Rusinë, Universiteti i Nju-Jorkut; profesor i teologjisë ekumenike, i studimeve të kishave lindore dhe i studimeve për paqen, Universiteti Münster, Gjermani
«Nuk habitem fare. Kjo lidhet me politikat dhe me metodat e mëparshme të Bashkimit Sovjetik kundër pakicave fetare. Por, në vend që të ndalojë plotësisht shumicën e aktiviteteve fetare, Rusia parapëlqen të kontrollojë pakicat me të ashtuquajturat masa ligjore-administrative, të cilat i justifikon me supozimin se duhet të mbrojë rendin publik dhe të parandalojë ekstremizmin e rrezikshëm.»—Dr. Xhim Bekfordi, anëtar i Akademisë Britanike; profesor i merituar i sociologjisë, Universiteti i Uoruikut; ish-president i Shoqatës për Studime Shkencore mbi Fenë (SHBA), Mbretëria e Bashkuar
«Logjika që qëndron pas legjislacionit aktual për fushën fetare është kjo: ekzistojnë fetë e ashtuquajtura tradicionale (tradicionale për Rusinë—së pari ortodoksia ruse, por edhe islamizmi, judaizmi dhe budizmi tradicional) dhe ato jotradicionale (p.sh., Dëshmitarët e Jehovait). Sipas kësaj logjike, fetë tradicionale duhet të gëzojnë privilegje nga shteti meqë ndikojnë pozitivisht te shoqëria ruse. Nga ana tjetër, veprimtaritë e feve jotradicionale duhet të kontrollohen e të kufizohen sepse sjellin në shoqërinë ruse vlera e një stil jetese të huaj. Për këtë arsye, Dëshmitarët e Jehovait ose pakica të tjera fetare vështirë se do të përfitojnë nga ligjet e reja që mbrojnë bindjet e besimtarëve ose që pengojnë ndalimin e katër librave të shenjtë. Gjithsesi, unë mendoj se Dëshmitarët e Jehovait dhe pakica të tjera fetare paqësore duhet të gëzojnë liri fetare sipas kushtetutës në të gjithë Federatën Ruse.»—Dr. Dmitri Uzlaneri, studiues, Shkolla e Moskës për Shkencat Sociale dhe Ekonomike; kryeredaktor i gazetës Shteti, Feja dhe Kisha, Rusi
«Dëshmitarëve të Jehovait duhet t’u jepet e drejtë e plotë që të përdorin përkthimin e tyre të Biblës. Përdorimi i Shkrimeve është element kyç i së drejtës për liri fetare dhe ka literalisht qindra botime të ndryshme të Biblës që lidhen me lloj-lloj traditash fetare. Të veçosh si ‘ekstremist’ përkthimin e parapëlqyer të Dëshmitarëve të Jehovait jo vetëm që është e gabuar, por edhe i pengon jashtë mase Dëshmitarët e Jehovait që të praktikojnë besimin.»—Z. Erik Rasbaku, zëvendëskëshilltar i përgjithshëm, Fondi Beket për Lirinë Fetare, Shtetet e Bashkuara
«Çdo ndalim me ligj i një përkthimi të Biblës cenon hapur tolerancën fetare, sidomos ngaqë veçon një pakicë fetare specifike dhe vë në shënjestër përkthimin e tyre të Shkrimeve. Qeveria s’duhet të përzihet në debate teologjike për përkthimin e saktë të Biblës.»—Dr. Emili Barani, asistente profesoreshë e historisë së Rusisë dhe të Evropës Lindore, Middle Tennessee State University, Shtetet e Bashkuara
«Aktualisht ekziston një lidhje e fortë midis shtetit rus dhe Kishës Ortodokse Ruse (KOR)—që, ashtu si vetë Rusia, ka mosmarrëveshjet e saj me pjesë të tjera të botës ortodokse. Mendoj se KOR-i nuk do ta pranonte që Përkthimi Bota e Re nga Dëshmitarët të konsiderohej si përkthim i saktë i librit të shenjtë që përdoret nga krishterimi, një prej katër feve tradicionale të njohura në Rusi: judaizmi, krishterimi, islamizmi dhe budizmi. Për shkak të mentalitetit të ngurtë, kuptohej se edhe autoritetet do të bënin përpjekje të kufizonin ndikimin e atyre që mbështeten në librat e bindjet e veta, si dhe përpjekjet e tyre për t’u shpjeguar njerëzve pse mendojnë ashtu. Edhe pse Dëshmitarët e Jehovait kanë ekzistuar në Rusi që nga koha e carëve, autoritetet s’kanë për të ndryshuar qëndrim, e kjo duket mjaft qartë nga presioni që u është bërë për shumë dekada.»—Sër Endrju Udi, anëtar i programit rus dhe euroaziatik, Chatham House, Instituti Mbretëror i Çështjeve Ndërkombëtare; ish-ambasador i Britanisë në Rusi (1995-2000), Mbretëria e Bashkuar
«Arsyeja e ndalimit, jo vetëm i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re, por edhe i librave të tjerë, është monopolizimi i fesë në Rusi dhe i përkthimit të Shkrimeve të Shenjta si pjesë e këtij procesi. Përveç përkthimit të Dëshmitarëve të Jehovait, Kisha Ortodokse Ruse nuk njeh edhe shumë përkthime të tjera, përfshirë Vulgatën, përkthimin latin katolik. Nga ana tjetër, katolikët nuk njohin Biblën luterane.»—Dr. Filipoviçi, Ukrainë
«Amendamentet në ligjin për ekstremizmin, në pamje të parë duket se mbrojnë Biblën e krishterë nga censura ose ndalimi. Mirëpo, me sa duket, nuk po mbrohet libri i shenjtë, por disa përkthime të caktuara të tij. Përkthimi Bota e Re mund të jetë konfiskuar ngaqë është botuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe jo për shkak të përmbajtjes. Dëshmitarët shihen si kërcënim për praktikat tradicionale ruse në shumë mënyra, si me jetën e përditshme, veprimtaritë në kongregacionet e tyre, bindjet fetare e me përkthimin e Biblës. Për më tepër konsiderohen si prurje amerikane. Për ta përmbledhur, ata shihen si të huaj, dhe prania e tyre, shihet si e paligjshme në Rusi.»—Dr. Zoi Noksi, docente e historisë moderne ruse, Universiteti i Leiçesterit, Mbretëria e Bashkuar
«Konfiskimi masiv i Biblave të Dëshmitarëve të Jehovait tregon se shteti rus konsideron si ligjërisht ‘të pranueshme’ vetëm disa përkthime Bible, duke cenuar kështu edhe më tej lirinë fetare. Qeveria ruse duhet të bëjë një reformë rrënjësore të legjislacionit të saj për ekstremizmin, siç i është rekomanduar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nga Komisioni i Venecies dhe nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë.»—Znj. Katerina Kozmani, kryeanaliste për procedurat (për Evropën dhe për vendet e ish-Bashkimit Sovjetik), Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare (KSHBLFN), Shtetet e Bashkuara
«Nuk e mbështes ndalimin e përkthimeve të shkrimeve të shenjta. Përçapjet për të kontrolluar shprehjen e besimit në Rusi kanë të bëjnë kryesisht me lidhjen e ngushtë midis Kishës Ortodokse Ruse dhe nacionalizmit rus. Shumë rusë kishin merak se pas rënies së Bashkimit Sovjetik po përhapej fenomeni i prozelitizmit, tamam si ‘ethet e arit’. Shumë mendonin se Kisha Ortodokse Ruse kishte nevojë për kohë që të fitonte pushtetin që kishte para regjimit komunist.»—Dr. Kevëno, Shtetet e Bashkuara
«E mbroj me forcë të drejtën e Dëshmitarëve për të nxjerrë përkthimin e tyre të Shkrimeve, të bazuar në studimet e tyre mbi fjalën e Perëndisë. Asnjë autoritet civil nuk duhet të ndërhyjë në përkthimin dhe/ose botimin e materialeve fetare. Liria e bindjeve fetare është një e drejtë themelore e njeriut dhe autoritetet e drejta civile duhet të mbrojnë shprehjen e lirë të pikëpamjeve të ndryshme fetare.»—Dr. Xhon Bernbaumi, president i Institutit Ruso-Amerikan (Moskë), Shtetet e Bashkuara
«Nuk gjejmë asnjë gjurmë ekstremizmi në Përkthimin Bota e Re. E shohim si diskriminim fetar përndjekjen e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi dhe ndalimin e literaturës e të komuniteteve të tyre.»—Aleksandër Verkovski, drejtor i Qendrës SOVA për Informacion dhe Analizë (organizatë jofitimprurëse me qendër në Moskë që merret me kërkime për nacionalizmin, ksenofobinë, lidhjen midis kishave e shoqërisë dhe për radikalizmin politik), Rusi
«Bibla e përkthyer nga Dëshmitarët e Jehovait nuk është libër lufte politike kundër shoqërisë ruse. Është thjesht një ndër përkthimet e Biblës. Nuk e kuptoj çfarë e bën ‘ekstremiste’ Biblën e Dëshmitarëve të Jehovait. Po të ishte ekstremiste, do ta kishin ndaluar edhe vende të tjera demokratike që janë shumë të ndjeshme ndaj ekstremizmit politik. E megjithatë nuk është ndaluar në vende demokratike.»—Dr. Rezhí Derihbur, sociolog dhe docent i grupeve të reja fetare në fakultetin FVG në Anversë, Belgjikë
«Mjerisht, Rusia po i shpërfill shpesh të drejtat e minoriteteve etnike dhe fetare. Përkufizimi i gjerë nga zyrtarët ksenofobë rusë për fjalën ‘ekstremist’, lë vend që çdo përkthim Bible të cilësohet si i tillë, madje edhe Versioni Sinodal Ortodoks Rus i vitit 1876.»—Dr. Mark Elioti, themelues i buletinit East-West Church and Ministry Report, Universiteti i Asbërit, Kentaki, Shtetet e Bashkuara
«Rusisë do t’i pëlqente që krishterimi të përfaqësohej vetëm nga Kisha Ortodokse Ruse dhe botimet e saj. Tani edhe grupe të tjera fetare, përveç Dëshmitarëve të Jehovait, po hasin probleme të mëdha në Rusi—e cila, do të shtoja, po i kthehet mentalitetit carist. Në Rusi nuk janë të mirëpritura sidomos organizatat fetare me numër të madh besimtarësh në Shtetet e Bashkuara.»—Dr. Besieri, Gjermani
«Përpjekja për ta shpallur të jashtëligjshëm përkthimin e Biblës në rusisht nga Dëshmitarët e Jehovait, duke e cilësuar ‘ekstremist’, është një hap i paprecedent në Evropë. Nga ana tjetër, ligji për të mos ndaluar ‘Biblën, Kuranin, Tanakh dhe Kangyur, përmbajtjen e tyre dhe citimet prej tyre’, që në vetvete është gjë e mirë, është shenjë e një diskriminimi të qartë ndaj librave të shenjtë të feve të tjera. Ky kufi ndarës është vendosur pa pasur ndonjë provë se këta janë më ekstremistë se të tjerët, dhe kjo duket sheshit që është e paarsyeshme.»—Dr. Silvio Ferrari, president, titullar nderi, Lidhja Ndërkombëtare për Studimet mbi Ligjin dhe Fenë; bashkëkryeredaktor, Revista e Oksfordit për Ligjin dhe Fenë; bashkëthemelues, Lidhja Evropiane për Kërkimet mbi Kishën dhe Shtetin; profesor i juridikut, i fesë dhe i ligjit kanonik, Universiteti i Milanos, Itali
«Është shumë e rrezikshme kur qeveritë fillojnë të vendosin cili është përkthimi ‘i saktë’ ose i lejueshëm i librave fetarë. Këtë nuk duhet ta vendosë qeveria, por diskutimet midis besimtarëve. Ka mjaft përkthime dhe interpretime të shkrimeve të shenjta, përfshirë Biblën, dhe, nëse një qeveri përpiqet t’u imponojë besimtarëve versionin e saj të së vërtetës fetare, shkel ligjin ndërkombëtar të parimeve për lirinë fetare.»—Dr. Karolinë Evansi, dekane e Shkollës së Juridikut në Melburn (Harrison Moore Chair of Law); redaktore e librit Feja dhe Ligji Ndërkombëtar dhe e Law and Religion in Historical and Theoretical Perspectives, Australi
«Në ligjin ndërkombëtar evropian nuk gjej asnjë bazë për ndalimin e ndonjë libri të shenjtë të ndonjë komuniteti fetar, për sa kohë nuk nxit urrejtje ose nuk prish rendin publik. Nuk i takon shtetit të gjykojë se cilat bindje fetare ose shkrime të shenjta janë të pranueshme.»—Dr. Havier Martinez-Toroni, profesor i juridikut, drejtor i Departamentit të Ligjit dhe të Fesë, Complutense University School of Law, Spanjë
«Siç ka deklaruar prej kohësh ICCPR-ja, një fe që ‘është njohur si zyrtare ose tradicionale . . . duhet të gëzojë çdo të drejtë’. Për shembull, t’u japësh privilegje disa grupeve fetare ‘tradicionale’ ndërkohë që kufizon veprimtaritë e besimeve të tjera ‘jotradicionale’, do të thotë të shkelësh ligjin për ndalimin e diskriminimit për shkak të fesë ose të bindjeve si dhe të shpërfillësh ICCPR-në që garanton mbrojtje të barabartë.»—Profesor Robert Bliti, profesor i juridikut në Universitetin e Tenesit; ish-specialist i ligjit ndërkombëtar, Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare (USCIRF), Shtetet e Bashkuara
«Nëse autoritetet ruse përjashtojnë nga diskriminimi vetëm fetë tradicionale, kjo situatë duket se është më tepër luftë kundër ndikimeve të huaja, sesa kundër fesë. Klima e tanishme politike në Rusi ka shkaktuar një lloj ngërçi me gjithë opinionet dhe lëvizjet që mund të ndezin mosmarrëveshje, qoftë politike, qoftë fetare. Autoritetet ruse preferojnë të përjashtojnë çdo ndikim të huaj në territorin e tyre. Besojnë se minoritetet e reja fetare, si Dëshmitarët e Jehovait, nxitin ndikimin e huaj në Rusi. Nga ky këndvështrim, për autoritetet ruse, Dëshmitarët e Jehovait mbi të gjitha janë një grup nga kontinenti i Amerikës së Veriut, që konsiderohet ndikim i padëshirueshëm në Rusi. Pra, për autoritetet ruse pikëpamja ligjore s’ka shumë rëndësi në këtë çështje. Veprimet ligjore të ndërmarra kundër Dëshmitarëve janë veçse pretekst.»—Dr. Sadoku, Francë
«Ndërhyrja e qeverisë ka ndikuar jashtë mase tek e drejta e pamohueshme e komuniteteve, e institucioneve dhe e organizatave fetare për të prodhuar, për të importuar dhe për të shpërndarë botime e materiale fetare, e mbi të gjitha libra të shenjtë, siç është Bibla Përkthimi Bota e Re për Dëshmitarët e Jehovait. Në këtë aspekt, kufizimet kanë shkuar deri në atë pikë, sa kanë nxitur ambicien e autoriteteve civile që të vënë në pikëpyetje të drejtën themelore të autoriteteve fetare për të nxjerrë versionin e tyre të Shkrimeve, që lidhet në veçanti me përkthimin dhe interpretimin. Kështu, autoritetet civile në Rusi nuk kanë përmbushur detyrën për të qenë asnjanëse dhe të paanshme kur bëhet fjalë për të vërtetën dhe për shkrimet fetare.»—Dr. Marko Ventura, profesor për ligjin dhe për fenë, Universiteti i Sienës; drejtor në Qendrën e Studimeve Fetare në Fondacionin Bruno Kesler; studiues, Centre for Droit, Religion, Entreprise et Société (DRES), Universiteti i Strasburgut (Francë), Itali
«Sipas mendimit tim, kjo ndodh ngaqë në Rusi liria fetare është e diskutueshme. Dëshmitarët e Jehovait nuk janë i vetmi grup fetar që kohët e fundit kanë pasur probleme në Rusi. Por, ndalimi i një përkthimi të Biblës më duket mjaft shqetësues. Nëse ndalon një përkthim, parimisht çdo përkthim është në rrezik. Pastaj, amendamenti do të zbatohej vetëm për tekstet në gjuhët origjinale (në rastin e Biblës, në hebraisht, aramaisht, greqisht). Po me versionet e dorëshkrimeve, çfarë do të ndodhte? Vetëm ky fakt tregon arbitraritetin e këtij ndalimi. Ndalimi nuk duhet bazuar te përkthimi, por te gjëra të tjera.»—Dr. Ristani, Estoni
Zëdhënësit për mediat:
Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, 1-718-560-5000
Rusi: Jaroslav Sivulski, 7-812-702-2691