Kalo te përmbajtja

Salla e Mbretërisë e Dëshmitarëve të Jehovait në Abinsk

4 GUSHT 2015
RUSI

Gjykata e Lartë e Rusisë shqyrton çështjen e mbylljes së entit ligjor të Dëshmitarëve në Abinsk

Gjykata e Lartë e Rusisë shqyrton çështjen e mbylljes së entit ligjor të Dëshmitarëve në Abinsk

Më 5 gusht 2015, Gjykata e Lartë e Federatës Ruse do të mbajë një seancë gjyqësore për apelimin e Organizatës Fetare Lokale të Dëshmitarëve të Jehovait në Abinsk. Këtë vit zyrtarët e qytetit të Abinskit e mbyllën entin ligjor të Dëshmitarëve të Jehovait, duke ndjekur thuajse të njëjtat taktikat që u përdorën në Taganrog e në Samarë.

Vendim i bazuar në akuza të rreme

Kongregacioni i Dëshmitarëve të Jehovait në Abinsk përbëhet nga afro 100 anëtarë, disa prej të cilëve janë gra e burra të moshuar. Organizata Fetare Lokale e Dëshmitarëve në Abinsk u regjistrua në nëntor 1999 dhe është enti i ligjor që zotëron Sallën e Mbretërisë ku mblidhen për të adhuruar.

Në dhjetor 2012 dhe sërish në tetor 2013, autoritetet paditën dy Dëshmitarë të Jehovait në Abinsk për shkelje administrative se gjoja shpërndanin botime që ishin shpallur ekstremiste. Të dy Dëshmitarët ishin shoqëruar me kongregacionin atje, por asnjëri prej tyre nuk ishte anëtar i entit ligjor të Abinskit. Prokurori e shpërfilli këtë fakt dhe përdori akuzat e rreme kundër tyre si bazë për të mbyllur këtë ent.

Duke u bazuar në këto supozime të pathemelta, në 4 mars 2015 Gjykata Territoriale e Krasnodarit vendosi «ta shpallte Organizatën Fetare Lokale të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Abinskit . . . ekstremiste dhe ta mbyllte e ta eliminonte nga regjistri shtetëror për entet ligjore». Më tej gjykata vendosi që pronësia e Sallës së Mbretërisë në Abinsk t’i kalonte shtetit. Nëse Gjykata e Lartë e përkrah këtë vendim, Dëshmitarët në Abinsk do ta humbasin vendin e tyre të adhurimit.

Të njëjtat taktika të dyshimta

Duke keqzbatuar Ligjin Federal kundër Veprimtarive Ekstremiste, autoritetet e Abinskit ndoqën të njëjtat taktika që përdorën zyrtarët për të mbyllur entin ligjor të Dëshmitarëve në qytetet e Taganrogut e të Samarës. Ashtu si në Abinsk, akuzat për veprimtari ekstremiste faktikisht ishin të rreme. Dëshmitarët e Jehovait në këto dy qytete po bëjnë çmos të mbrohen në gjykatë nga këto akuza të rreme. Ata kanë apeluar pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për të kundërshtuar shkeljet e lirisë së tyre fetare.

Dëshmitarët e Jehovait në Abinsk nuk dorëzohen

Grupi i Dëshmitarëve të Jehovait në Abinsk do t’i vazhdojnë aktivitetetet fetare, duke ndjekur të njëjtin model adhurimi si bashkëbesimtarët e tyre në mbarë botën. Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait shpresojnë që Gjykata e Lartë e Federatës Ruse ta pranojë padrejtësinë e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe t’i lejojë Dëshmitarët në Abinsk të vazhdojnë të mblidhen paqësisht në vendin e tyre të adhurimit.