Kalo te përmbajtja

Qendra Administrative e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi

27 PRILL 2016
RUSI

Paralajmërimi zyrtar ndaj Qendrës së Dëshmitarëve në Rusi kërcënon lirinë fetare

Paralajmërimi zyrtar ndaj Qendrës së Dëshmitarëve në Rusi kërcënon lirinë fetare

Autoritetet ruse kanë ndërmarrë një tjetër hap të guximshëm në fushatën agresive kundër Dëshmitarëve të Jehovait, të nxitur nga qeveria. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm po kërcënon të mbyllë Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, me pretekstin se zhvillon «veprimtari ekstremiste». Në një letër paralajmëruese që mban datën e 2 marsit 2016, zëvendësprokurori i përgjithshëm V. Grin i kërkoi Qendrës t’u jepte fund të gjitha «shkeljeve» brenda 2 muajsh.

Ky paralajmërim përshkallëzon fushatën e Rusisë për të kufizuar veprimtaritë dhe lirinë fetare të Dëshmitarëve. Nëse Qendra Administrative mbyllet, ajo do t’i shtohet Listës Federale të Organizatave Ekstremiste dhe pronat e saj do t’i kalojnë shtetit. Meqë lidhen me Qendrën, edhe shoqatat fetare të Dëshmitarëve të Jehovait, 406 organizata fetare lokale (ente ligjore) dhe mbi 2.500 kongregacione, mund të mbyllen. Si pasojë, Dëshmitarët në mbarë Rusinë mund të humbasin Sallat e tyre të Mbretërisë (vende adhurimi). Si përfundim, mbyllja e Qendrës Administrative mund t’u mohojë Dëshmitarëve të drejtën për të praktikuar besimin.

Sulmi sistematik i Rusisë kundër Dëshmitarëve të Jehovait bazohet në prova të trilluara dhe në keqpërdorimin e qëllimshëm të Ligjit Federal kundër Veprimtarive Ekstremiste. Më 2015 Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka shprehur «shqetësimin për raportet e shumta se ligji [kundër veprimtarive ekstremiste] po përdoret jashtë mase për të ndrydhur lirinë e të shprehurit, . . . duke vënë në shënjestër, ndër të tjerë, edhe Dëshmitarët e Jehovait». *

Dëshmitarët e Jehovait janë një fe e njohur ligjërisht në rang ndërkombëtar. Ata gëzojnë liri fetare në vende demokratike përreth botës dhe në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Rusia bën përjashtim. Fushata e saj që ka në shënjestër adhurimin paqësor të Dëshmitarëve është intensifikuar hap pas hapi që nga mesi i viteve 90. Këto përpjekje u përshpejtuan vrullshëm, pasi Rusia miratoi ligjin për ekstremizmin dhe e keqpërdori si mjet shtypjeje.

Përkufizimi i paqartë i aktiviteteve ekstremiste—baza për abuzim

Më 2002 Rusia miratoi Ligjin Federal kundër Veprimtarive Ekstremiste, për t’u mbrojtur nga terrorizmi. Megjithatë, që në fillim, përkufizimi i paqartë i aktiviteteve ekstremiste në ligj ngjalli shqetësimin se zyrtarët rusë mund ta keqpërdornin si mjet shtypjeje. Më 2003 Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut nxiti Rusinë të korrigjonte ligjin dhe t’i përkufizonte më qartë aktivitetet ekstremiste në mënyrë që «të përjashtohej çdo mundësi e përdorimit arbitrar të tij». *

Në vend që ta qartësonin ligjin, korrigjimet e mëvonshme e zgjeruan përdorimin e tij. Në vitin 2012 Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës komentoi: «Në ligjin fillestar, ekstremizmi përkufizohej pjesërisht si ‘nxitje për përçarje shoqërore, raciale, kombëtare ose fetare e shoqëruar me dhunë ose thirrje për dhunë’. Amendamenti i 2006-s e hoqi shprehjen ‘e shoqëruar me dhunë ose thirrje për dhunë’. . . . Ky përkufizim i mjegullt i ‘ekstremizmit’ u ka hapur rrugën veprimeve arbitrare nga organet e rendit.»

Frika se mos abuzohej me këtë ligj doli e vërtetë. Më 2007 Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm shfrytëzoi formulimin e këtij ligji për të hetuar Dëshmitarët e Jehovait. Zëvendësprokurori i përgjithshëm V. Grin, i cili ka nënshkruar paralajmërimin e fundit drejtuar Qendrës Administrative, nxori një letër zyrtare ku i urdhëronte prokurorët të hetonin Dëshmitarët e Jehovait. Kjo letër ishte sinjali i parë që fushata kundër Dëshmitarëve do të merrte përmasa kombëtare dhe do të organizohej nga qeveria.

Ndonëse Dëshmitarët nuk përfshihen në asnjë aktivitet kriminal, prokurorët në të gjithë Rusinë kanë filluar ndjekjet penale në masë dhe kanë hapur mbi 500 hetime kundër Dëshmitarëve që nga viti 2007. I njëjti raport i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës vërejti: «Ligji Federal ‘kundër veprimtarive ekstremiste’ (ligji për ekstremizmin), i miratuar në vitin 2002, është keqpërdorur si mjet kundër veprimtarive të disa feve, sidomos kundër Dëshmitarëve të Jehovait, një komunitet i madh me 162.000 veta në Rusi. Që nga amendamentet e vitit 2006, ligji është keqpërdorur jashtëzakonisht shumë.» *

«Ligji Federal ‘kundër veprimtarive ekstremiste’ . . . është keqpërdorur si mjet kundër veprimtarive të disa feve, sidomos kundër Dëshmitarëve të Jehovait.»—Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës

Ndalimi i literaturës fetare—bazë për shtypje të mëtejshme

Para se të vinin në shënjestër Qendrën Administrative, që ndodhet në afërsi të Shën-Pjetërburgut, organet e rendit u përqendruan te botimet fetare të Dëshmitarëve. Prokurorë në Taganrog dhe Gorni-Altaisk ngritën padi, duke kërkuar që shumë nga botimet e Dëshmitarëve të shpalleshin «ekstremiste» dhe të vendoseshin në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste (LFME).

Mbështetur në të ashtuquajturat studime nga specialistë, gjykatat në Taganrog dhe në Gorni-Altaisk vendosën në favor të prokurorëve në vitet 2009 e 2010. Që atëherë, këto dy vendime, të cilat ndaluan 52 botime fetare, kanë qenë baza për pjesën më të madhe të akuzave të ngritura kundër Dëshmitarëve. Autoritetet në pjesë të tjera të vendit kanë ndjekur të njëjtin model të vendosur në çështjet e Taganrogut dhe Gorni-Altaiskit. Deri tani gjykatat kanë futur në LFME 87 botime të Dëshmitarëve.

Dëshmitarët i kundërshtojnë vendimet e Taganrogut, të Gorni-Altaiskit dhe të të gjitha gjykatave të tjera ruse që i kanë shpallur ekstremiste botimet e tyre. Ata kanë bërë 28 kërkesa pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) për të hedhur poshtë akuzat për ekstremizëm dhe abuzimet që lidhen me to. Pritet që së shpejti GJEDNJ-ja të vendosë për 22 nga këto raste. Teksa bënte mbrojtjen e saj para GJEDNJ-së, qeveria ruse ka pranuar se shumë nga botimet e Dëshmitarëve të përfshira në LFME nuk «përmbajnë nxitje ose thirrje direkte për dhunë».

Sulmohet liria e fjalës

Kur autoritetet ruse ia dolën që gjykatat t’i shpallnin «ekstremiste» disa botime, kishin mjetet «ligjore» për të sulmuar Dëshmitarët dhe për t’ua kufizuar më tej të drejtën e lirisë së fjalës.

  • Më 2010 autoritetet anuluan lejen që kishin Dëshmitarët për të importuar dhe për të shpërndarë në Rusi revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Kulla e Rojës botohet që nga viti 1879. Të dyja këto botime janë revistat më të shpërndara në botë.

  • Që nga marsi 2015 autoritetet kanë ndaluar hyrjen në vend të çdo ngarkese me literaturë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait.

  • Prej korrikut 2015, në Rusi është ndaluar siti zyrtar i Dëshmitarëve, jw.org. Kjo ia bën të vështirë çdokujt në Rusi që dëshiron botimet e Dëshmitarëve në format elektronik. Të reklamosh sitin, përbën vepër penale.

  • Në fillim të 2016-s, një prokuror në Vajborg ngriti padi që Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, një Bibël e botuar nga Dëshmitarët, të shpallej «ekstremiste».

Përveç kufizimit të lirisë së fjalës, autoritetet kanë përdorur botimet e përfshira në LFME si pretekst për të nisur hetime kundër enteve lokale ligjore të Dëshmitarëve dhe për të ndjekur penalisht individë Dëshmitarë për aktivitetet e tyre fetare.

Një vazhdë hetimesh e dënimesh

Kur një botim futet në LFME, ndalohet të shpërndahet, të prodhohet ose të ruhet me qëllimin për t’u shpërndarë. Autoritetet vendase kanë përfituar nga kjo masë ligjore për të nxjerrë urdhra gjykate që të kontrollojnë për literaturë fetare të ndaluar në qindra shtëpi Dëshmitarësh e në Sallat e tyre të Mbretërisë.

Shpesh këto kontrolle janë agresive dhe autoritetet konfiskojnë shumë më tepër se ç’ua lejon ligji, si sende personale dhe çdo botim fetar pavarësisht nëse përfshihet ose jo në LFME.

  • Në gusht të 2010-s, në Joshkar-Olë, një grup me gati 30 oficerë të policisë, të Shërbimit të Sigurimit Federal (SHSF) dhe të forcave speciale të armatosura ndërprenë një mbledhje fetare. Policët i kapën me forcë disa prej Dëshmitarëve e i mbajtën të mbërthyer prej gryke e prej krahësh. Ata kontrolluan ndërtesën dhe konfiskuan sende personale, dokumente dhe botime.

  • Në korrik të 2012-s në Republikën e Karelisë, policët e SHSF-së me automatikë e maska, sulmuan në publik një Dëshmitar, duke ia ngjeshur fytyrën mbi kofanon e makinës dhe duke ia përdredhur krahët pas kurrizit. Policët kontrolluan shtëpitë e disa Dëshmitarëve dhe konfiskuan sende personale e literaturë fetare, pavarësisht nëse përfshihej ose jo në LFME.

  • Në mars të 2016-s në Republikën e Tatarstanit, policia bastisi një Sallë Mbretërie dhe disa shtëpi Dëshmitarësh. Ajo konfiskoi pajisje kompjuterike, tableta elektronike personale dhe literaturë fetare.

Sekuencë videoje—duke vendosur tinëzisht «prova»

Organet e rendit fshehurazi kanë regjistruar me kamera Dëshmitarët në shtëpitë e tyre e në Salla Mbretërie. Kanë përgjuar telefonat e Dëshmitarëve, kanë mbajtur nën vëzhgim email-et e kanë shfrytëzuar të tjera mjete të jashtëligjshme për të mbledhur informacione. Që të justifikojnë akuzat e tyre për ekstremizëm, disa policë kanë vendosur tinëzisht literaturë të ndaluar të Dëshmitarëve në Salla Mbretërie vetëm e vetëm për të sajuar prova kundër tyre. Për shkak të këtyre veprimeve, shumë Dëshmitarë janë paditur penalisht si individë ose si organizatë.

Mbyllja e enteve ligjore çon në padi penale

Përveç akuzave kundër Dëshmitarëve si individë, organet e rendit kanë përdorur literaturën e ndaluar që ata vetë vendosën fshehurazi nëpër Salla Mbretërie si «provë» për të mbyllur organizatat fetare lokale (OFL) të Dëshmitarëve. * Kur një OFL mbyllet si «ekstremiste», shteti ia konfiskon të mirat materiale. Si pasojë, Dëshmitarët vendas humbin vendet e tyre të adhurimit. Kjo ka ndodhur tashmë në Taganrog dhe në Samarë. Edhe në qytete të tjera autoritetet po ndjekin të njëjtin model.

Dëshmitarët e Jehovait në gjyq, Taganrog, Rusi

Kur autoritetet mbyllën OFL-në e Taganrogut, mbledhjen për të adhuruar Perëndinë e për t’u lutur e quajtën në mënyrë të jashtëligjshme «vazhdim të aktivitetit të paligjshëm të një organizate të ndaluar». Me anë të kësaj taktike, autoritetet në Taganrog kanë shpallur fajtorë për krim 16 Dëshmitarë të Jehovait vetëm se mblidheshin për të adhuruar së bashku në mënyrë paqësore. Këto janë si gjithë mbledhjet fetare që Dëshmitarët e Jehovait mbajnë përreth botës. Është hera e parë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, që në Taganrog, të adhurosh Perëndinë si Dëshmitar i Jehovait përbën vepër penale.

Paralajmërimi kundër Qendrës Administrative sinjalizon një përshkallëzim të rrezikshëm

Pronat e Qendrës Administrative

Nëse autoritetet mbyllin Qendrën, do të ndalojnë veprimtarinë e saj në të gjithë Rusinë. Ashtu si bashkëbesimtarët në Taganrog, Dëshmitarët e Jehovait në mbarë vendin do të bëhen shënjestër e lehtë për ndjekje penale vetëm sepse marrin pjesë në mbledhje të krishtere dhe flasin me të tjerët për besimin. Dëshmitarët e Jehovait në Rusi mund të gjenden në një situatë ku janë të lirë të besojnë çfarë të duan, por aspak të lirë të praktikojnë besimin bashkë me të tjerët. *

Filip Bramli, përgjegjës i çështjeve ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait, thotë: «T’i futësh Dëshmitarët e Jehovait në një kallëp me grupet ekstremiste dhe ta renditësh literaturën e tyre ndër veprat e terroristëve të dhunshëm është fyerje ndaj dinjitetit njerëzor dhe drejtësisë. Autoritetet ruse kanë keqpërdorur një ligj që bie ndesh me normat ndërkombëtare, me standardet e Këshillit të Evropës, me Deklaratën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe me vetë kushtetutën e Rusisë. Ata po e përdorin si mjet për të shtypur adhurimin paqësor dhe për të sulmuar në zemër aktivitetin e Dëshmitarëve në Rusi.»

Vasilij Kalini, një përfaqësues nga Qendra Administrative, pohoi: «Dëshmitarët e Jehovait në Rusi e kanë adhuruar Perëndinë që nga shekulli i 19-të dhe kanë qëndruar nën përndjekjen e egër të epokës sovjetike. Pas kësaj epoke, shteti e pranoi se kishim qenë viktima të shtypjes. Duam të vazhdojmë ta adhurojmë Perëndinë paqësisht në Rusi. Akuzat shpifëse kundër nesh për ‘ekstremizëm’ po përdoren thjesht për të maskuar atë që në të vërtetë është intolerancë fetare e atyre që nuk janë dakord me bindjet tona. Ne nuk jemi ekstremistë.»

Dëshmitarët e Jehovait shpresojnë që Rusia të mbrojë lirinë e tyre fetare siç kanë bërë shumë vende të tjera. Gjithashtu kërkojnë që Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të ndalojë sulmin ndaj Qendrës Administrative dhe që Rusia të mbrojë të drejtat e njeriut për pakicat fetare. Pyetja është: a do t’i plotësojë Rusia këto? Apo do të bjerë në të njëjtin batak duke i shtypur Dëshmitarët e Jehovait siç bënë në epokën sovjetike?

^ par. 4 «Komentet përfundimtare për raportin e shtatë periodik të Federatës Ruse», Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, CCPR/C/RUS/CO/7, 28 prill 2015, paragrafi 20.

^ par. 7 «Shqyrtim i raporteve të paraqitura nga shtetet pjesëmarrëse, sipas nenit 40 të Konventës dhe komente përfundimtare të Komitetit për të Drejtat e Njeriut për Federatën Ruse» Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, CCPR/CO/79/RUS, 1 dhjetor 2003, paragrafi 20.

^ par. 10 «Respektimi i përgjegjësive dhe i detyrimeve nga Federata Ruse» dok. 13018, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e datës 14 shtator 2012, paragrafi 497.

^ par. 30 Në Rusi, grupet fetare që plotësojnë kriteret ligjore mund të krijojnë ente ligjore që quhen «organizata lokale fetare». Këto ente ligjore nuk janë përgjegjëse për aktivitetet fetare kombëtare, por përbëhen nga besimtarë vendas të një zone të vogël, si për shembull, të një qyteti. Falë këtyre enteve ligjore besimtarët vendas ndër të tjera mund të blejnë prona ose t’i marrin me qira.

^ par. 33 Kjo është shkelje e nenit 28 të Kushtetutës së Federatës Ruse, i cili thotë: «Gjithkujt duhet t’i garantohet liria e ndërgjegjes, liria e fesë, përfshirë të drejtën që të praktikojë individualisht a kolektivisht çdo lloj feje ose të mos praktikojë asnjë fe, që lirisht të zgjedhë, të ketë dhe të përhapë pikëpamje fetare dhe të tjera e të veprojë sipas tyre.»

^ par. 40 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania është një korporatë jofitimprurëse që kryesisht përdoret për të mbështetur aktivitetin e Dëshmitarëve të Jehovait përreth botës. Ajo ka të drejtën e autorit për botimet e Dëshmitarëve.