21 mars 2017
RUSI
Dëshmitarët e Jehovait organizojnë një përgjigje globale kundër kërcënimit për të ndaluar veprën në Rusi
NJU JORK—Dëshmitarët e Jehovait po i përgjigjen kërcënimit për të ndaluar adhurimin e tyre në Rusi me anë të një fushate globale për të shkruar letra, duke i kërkuar drejtpërdrejtë ndihmë Kremlinit dhe zyrtarëve të Gjykatës së Lartë. Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait po fton të marrin pjesë më shumë se 8.000.000 Dëshmitarë në mbarë botën.
Më 15 mars 2017, Ministria e Drejtësisë e Rusisë ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën e Lartë të Federatës Ruse, në të cilën kërkon që Qendra Administrative e Dëshmitarëve të Jehovait të shpallet organizatë fetare ekstremiste dhe të mbyllet plotësisht. Kërkesa përfshin edhe ndalimin e aktiviteteve të Qendrës së tyre Administrative. Nëse Gjykata e lartë e miraton këtë kërkesë, qendra kombëtare e Dëshmitarëve pranë Shën-Pjetërburgut do të mbyllet. Si pasojë, rreth 400 ente ligjore lokale do të mbylleshin, duke bërë kështu të paligjshme shërbimet e më shumë se 2.300 kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Prona e degës si dhe vendet e adhurimit të përdorura nga Dëshmitarët në të gjithë vendin mund të konfiskohen nga shteti. Gjithashtu, çdo Dëshmitar i Jehovait do të bëhej subjekt i ndjekjes penale thjesht sepse kryen aktivitete të besimit të tij. Pritet që Gjykata e Lartë të marrë vendim për kërkesën në datën 5 prill.
«Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait dëshiron t’i kushtohet vëmendje maksimale kësaj situate kritike»,—thotë Dejvid Semoniani, një zëdhënës në selinë botërore të Dëshmitarëve. «Të ndjekësh penalisht, si të ishin terroristë, qytetarë që nuk janë të dhunshëm dhe që i binden ligjit, është qartësisht një keqzbatim i ligjeve kundër ekstremizmit. Një ndjekje e tillë penale është bazuar në themele krejtësisht të rreme.»
Kjo fushatë globale e Dëshmitarëve nuk është pa precedentë. Rreth 20 vjet më parë, Dëshmitarët shkruan për të mbrojtur bashkëbesimtarët e tyre në Rusi, në përgjigje të një fushate shpifjesh nga ana e disa pjesëtarëve të qeverisë së asaj kohe. Gjithashtu, Dëshmitarët kanë bërë fushata të tjera duke u shkruar letra zyrtarëve qeveritarë, për t’i motivuar që t’i jepnin fund përndjekjes së Dëshmitarëve në shtete të tjera, përfshirë këtu Jordaninë, Korenë dhe Malavinë.
«Është e qartë se të lexosh Biblën, të këndosh dhe të lutesh me bashkëbesimtarët nuk janë aktivitete kriminale»,—shton Z. Semoniani. «Shpresojmë që fushata jonë globale për të shkruar letra do të motivojë zyrtarët rus të ndalojnë këtë veprim të pajustifikueshëm kundër bashkadhuruesve tanë.»
Zëdhënësit për mediat:
Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000
Rusi: Jaroslav Sivulski, +7-812-702-2691