7 PRILL 2016
RUSI
Autoritetet ruse bëjnë përpjekje të paprecedent për të mbyllur Qendrën Kombëtare të Dëshmitarëve
SHËN-PJETËRBURG, Rusi—Autoritetet ruse kanë ndërmarrë një veprim të paprecedent, duke kërcënuar të mbyllin Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm e Federatës Ruse nxori një letër zyrtare paralajmëruese që mbante datën 2 mars 2016, ku thuhej se «shoqata fetare do të mbyllet» nëse brenda 2 muajve Qendra Administrative nuk u jep fund «shkeljeve» që qeveria i cilëson «ekstremiste». Jaroslav Sivulski, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, pohon: «Mbyllja e entit tonë kombëtar do të çojë në konfiskimin e të gjitha pronave që zotërojmë dhe do të ndalojë përfundimisht aktivitetet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait anembanë Rusisë.»
Si për ironi, ky sulm po ndodh pikërisht në 25-vjetorin e regjistrimit të parë ligjor të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Qendra e tyre Administrative u regjistrua për herë të parë më 27 mars 1991 dhe më 29 prill 1999 u regjistrua sërish. Kërcënimi për të mbyllur Qendrën Kombëtare të Dëshmitarëve në Rusi, e cila ndodhet në fshatin Solneknoje, rreth 40 kilometra në veriperëndim të Shën-Pjetërburgut, është rasti më i fundit i sulmit të qeverisë kundër Dëshmitarëve. Gjatë vitit të kaluar, autoritetet ruse bllokuan literaturën fetare të importuar të Dëshmitarëve, si edhe të Biblave në rusisht. Gjithashtu, Rusia u bë i vetmi vend në botë që ndaloi sitin zyrtar të Dëshmitarëve, jw.org. Z. Sivulski thotë: «Ligjet kundër ekstremizmit po keqpërdoren ndaj adhurimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Dëshmitarët e Jehovait po i apelojnë këto vendime. Duam të jemi të lirë të adhurojmë e t’u mësojmë të tjerëve Biblën në mënyrë paqësore, siç kemi bërë për 125 vjet në Rusi.»
Megjithatë, autoritetet ruse janë treguar gjithnjë e më armiqësore me Dëshmitarët e Jehovait, kryesisht për shkak të asaj që është cilësuar si marrëdhënie simbiotike midis qeverisë dhe Kishës Ortodokse Ruse. Media të ndryshme ndërkombëtare kanë raportuar se kjo «aleancë e ngushtë mes qeverisë dhe Kishës Ortodokse Ruse», siç e përshkruan The New York Times, duket se nxit veprime agresive dhe nxjerrjen e ligjeve si e si të ndalojnë aktivitetet e Dëshmitarëve dhe të pakicave të tjera fetare në Rusi. Agjencia e lajmeve Associated Press raportoi se «sulmet [e qeverisë] kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi kanë alarmuar edhe aktivistët që mbrojnë lirinë fetare». Agjencia Reuters thotë se akte të tilla po ndërmerren «kundër Dëshmitarëve të Jehovait dhe shumë grupeve të tjera, që ngecin në rrjetën gjithnjë e më të madhe të ndjekjeve penale bazuar në ligjin rus kundër ekstremizmit». Në dhjetor të 2015-s, The Independent raportoi se këtë ligj rusët e nxorën «për të parandaluar sulmet terroriste dhe dhunën ultranacionaliste». Gjithsesi, siç shkruante The Huffington Post më 20 mars 2016, ligji është përdorur edhe «për të ndjekur penalisht anëtarë të besimeve fetare paqësore», siç janë Dëshmitarët e Jehovait. Edhe pse Dëshmitarët po kërkojnë zgjidhje ligjore si në gjykatat vendase, edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, gazeta The Moscow Times e 25 marsit 2016, shkruante se Rusia ka miratuar një ligj të ri që «u jep gjykatave ruse të drejtën për të zhvlerësuar vendimet e gjykatave ndërkombëtare».
Dëshmitarët e përdorin Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi për të organizuar dhe për të mbështetur programe të arsimimit biblik falas për qytetarët rusë. Shërbëtorë fetarë me përvojë në këtë qendër ndihmojnë dhe komunikojnë me Dëshmitarë vullnetarë në Rusi që u japin ndihmë të prekurve nga katastrofat. Ka më tepër se 175.000 Dëshmitarë në Rusi, një shtet me popullsi mbi 146.000.000 banorë.
David Semoniani, zëdhënës ndërkombëtar për Dëshmitarët në selinë e tyre botërore në Nju-Jork, shprehet: «Jemi shumë të zhgënjyer që qeveria po kërcënon të mbyllë zyrën tonë të degës në Rusi. Dëshmitarët e Jehovait dhe shumë të tjerë përreth botës janë tejet të interesuar se si do të zhvillohet çështja.»
Zëdhënësit për mediat:
Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000
Rusi: Jaroslav Sivulski, tel. +7 812 702 2691