Kalo te përmbajtja

20 DHJETOR 2017
RUSI

Në Rusi mbetet ende i ndaluar Përkthimi Bota e Re

Në Rusi mbetet ende i ndaluar Përkthimi Bota e Re

Sot Gjykata Rajonale e Leningradit hodhi poshtë apelimin tonë për vendimin që mori në gusht Gjykata e Qytetit të Viborgut për të ndaluar Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re (BR) në rusisht, duke e shpallur botim ekstremist. Në seancë ishin të pranishëm rreth 30 veta, ku përfshiheshin përfaqësues të ambasadës së Britanisë, të Holandës, të Zvicrës dhe të Shteteve të Bashkuara.

Disa herë gjatë seancës, pala mbrojtëse paraqiti prova të qarta që tregonin se studimi i kryer nga ekspertët e caktuar nga gjykata, i cili pretendonte se përkthimi BR nuk ishte Bibël dhe hapi rrugën që ai të shpallej «ekstremist», ishte i anshëm dhe nuk kualifikohej të quhej studim ekspert.

Të ashtuquajturit ekspertë ishin të vendosur t’i përmbaheshin pretendimit të tyre se BR-ja nuk është Bibël meqë gjoja ajo nuk thotë shprehimisht se është e tillë. Megjithatë, pala mbrojtëse e tërhoqi vëmendjen te faqja pesë e Përkthimit Bota e Re në rusisht i vitit 2007, ku thuhet qartë: «Ky është një përkthim i ri i Biblës në rusisht.» Ata i kritikuan të ashtuquajturit ekspertë, të cilët punuan 287 ditë për këtë studim e prapëseprapë nuk arritën të vinin re këtë fakt të thjeshtë në paragrafin e tretë të parathënies së BR-së.

Kur një nga ekspertet e caktuara nga gjykata u mor në pyetje, ajo mbrojti më tej pretendimin e saj fillestar duke thënë se BR-ja nuk mund të konsiderohet Bibël pasi nuk ka «bekimin e patriarkut» dhe as përputhet fjalë për fjalë me ndonjë përkthim që ka këtë bekim. Më tej «ekspertët» kundërshtuan përdorimin e emrit të Perëndisë, Jehova, dhe pohuan se BR-ja nuk mbështet disa doktrina të kishës. Gjykatësja hodhi poshtë çdo kërkesë të palës mbrojtëse për të kryer një ekspertizë të re të paanshme të BR-së.

Pas apelimit që u hodh poshtë sot, vëllezërit tanë s’kanë më mundësi tjetër apelimi në sistemin ligjor rus dhe do t’ia paraqesin çështjen Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Dëshmitarët e Jehovait anekënd botës janë të sigurt se asnjë institucion njerëzor nuk do t’ia dalë të zhdukë Fjalën e Perëndisë dhe se këto përpjekje për të ndaluar përhapjen e saj, në fund do të dështojnë.​—Isaia 40:8.

Zëdhënësi për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000