Kalo te përmbajtja

29 MAJ 2017
RUSI

Policia ruse bastis një mbledhje fetare në Oriol dhe arreston një shtetas danez

Policia ruse bastis një mbledhje fetare në Oriol dhe arreston një shtetas danez

Më 25 maj 2017 policë të armatosur rëndë dhe agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (SHSF) ndërprenë një mbledhje fetare të përjavshme e paqësore të Dëshmitarëve të Jehovait në Oriol, Rusi. Autoritetet njoftuan se do t’i ndjekin penalisht Dëshmitarët me pretekstin se po vazhdojnë veprimtarinë e një organizate ekstremiste. Më 14 qershor 2016 qeveria e mbylli Organizatën Fetare Lokale të Oriolit (OFL) duke e akuzuar si ekstremiste. Për më tepër, autoritetet regjistruan të dhënat personale të të gjithë të pranishmëve në këtë mbledhje fetare, konfiskuan pajisjet e tyre elektronike dhe më vonë kontrolluan shtëpitë e Dëshmitarëve në qytet.

Ata çuan në zyrat e SHSF-së burrat e kongregacionit të Oriolit dhe po mbajnë në arrest një shtetas danez, Denis Kristensenin, i cili është plak kongregacioni. Prokurori paraqiti një kërkesë urgjente në Gjykatën Krahinore të Sovietskit duke kërkuar që z. Kristensen të mbahej në paraburgim. Kështu, SHSF-ja do të kishte kohë të mblidhte prova dhe të gjente dëshmitarë për të mbështetur çështjen. Gjykatësja Svetlana Naumova pranoi kërkesën dhe urdhëroi që z. Kristensen të mbahej dy muaj në paraburgim. Sot do të paraqitet një ankesë kundër këtij vendimi. Sipas pjesës 1 të nenit 282/2 të Kodit Penal, nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me gjashtë deri në dhjetë vite burg.

Kongregacioni i Dëshmitarëve të Jehovait në Oriol po mbante një mbledhje fetare si grup besimtarësh; ai nuk është ent ligjor. Veprimet e autoriteteve ruse tregojnë se ata kanë për qëllim të vënë në shënjestër adhurimin e Dëshmitarëve dhe jo thjesht strukturat e tyre ligjore (OFL-të). Kjo ngjason me rastin e Dëshmitarëve në qytetin e Taganrogut, ku fillimisht autoritetet mbyllën OFL-në, pastaj ngritën padi penale me akuzën për ekstremizëm kundër 16 Dëshmitarëve ngaqë vazhduan të mblidheshin për të adhuruar Zotin paqësisht. Në nëntor të 2015-s të gjithë u shpallën fajtorë, megjithatë ua pezulluan dënimet dhe gjobat. Çështja e tyre po shqyrtohet nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.