8 QERSHOR 2017
RUSI
Presidenti Putin nderon me çmim prindërit Dëshmitarë të Jehovait
NJU-JORK—Më 31 maj 2017, gjatë një ceremonie në Moskë, Kremlin, presidenti rus Vladimir Putin nderoi me Urdhrin «Prindër të Nderuar» Valeri dhe Tatjana Novikun, Dëshmitarë të Jehovait nga Karelia, të cilët kanë rritur tetë fëmijë.
Urdhri «Prindër të Nderuar» është themeluar me anë të një dekreti presidencial në maj të vitit 2008. Me këtë çmim, Rusia nderon prindërit që kanë rritur të paktën shtatë fëmijë dhe kanë treguar një kujdes të jashtëzakonshëm për shëndetin, për arsimimin dhe për zhvillimin e tyre fizik, mendor e moral. Prindërit që marrin këtë vlerësim, konsiderohen shembuj që forcojnë institucionin e familjes.
Dejvid Semoniani, një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në selinë botërore, thotë: «Këtë çmim e shohim si vlerësim të arsimimit biblik falas nga Dëshmitarët e Jehovait, për të ndihmuar prindërit dhe fëmijët e tyre që të jenë qytetarë të dobishëm jo vetëm në Rusi, por anembanë botës. Shpresojmë se ky çmim i dhënë nga presidenti Putin të merret në konsideratë nga Gjykata e Lartë Ruse më 17 korrik 2017 kur të rishqyrtojë vendimin për të mbyllur Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi.»
Zëdhënësi për mediat:
Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000