Kalo te përmbajtja

2 GUSHT 2017
RUSI

Reagimi ndërkombëtar ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë Ruse kundër Dëshmitarëve të Jehovait

Reagimi ndërkombëtar ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë Ruse kundër Dëshmitarëve të Jehovait

Organizata qeveritare dhe zyrtarë ndërkombëtarë kanë reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë Ruse që shpall të jashtëligjshëm adhurimin e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Në këto deklarata kritikohet vendimi gjyqësor i padrejtë dhe i ashpër që ka marrë Rusia kundër kësaj pakice fetare që njihet për veprimtari fetare paqësore.

Më 17 korrik 2017 një panel prej tre gjyqtarësh nga Dhoma e Apelit e Gjykatës së Lartë Ruse, la në fuqi vendimin e 20 prillit «për të mbyllur organizatën fetare ‘Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi’ bashkë me organizatat fetare lokale që janë pjesë e strukturës së saj [dhe] që të gjitha pronat e organizatës fetare të likuiduar, t’i kalohen Federatës Ruse». Me këtë vendim gjykata në të vërtetë ndaloi Dëshmitarët e Jehovait në mbarë Rusinë të praktikojnë besimin e tyre.

Deklarata pas vendimit të Dhomës së Apelit më 17  korrik 2017

Pjesa vijuese përmban fragmente deklaratash pas vendimit që mori Dhoma e Apelit më 17 korrik 2017 për të lënë në fuqi vendimin e 20 prillit:

«Jemi thellësisht të merakosur që Gjykata e Lartë Ruse hodhi poshtë apelin e Dëshmitarëve të Jehovait kundër cilësimit të tyre si ‘ekstremistë’. Ky veprim mbështet vendimin se adhurimi paqësor i 175.000 qytetarëve rusë është i jashtëligjshëm dhe shkel lirinë fetare që garanton Kushtetuta e Rusisë.»—Lordi Ahmed i Uimbëlldonit, Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe i Zyrës së Jashtme të Komonuelthit, Britani e Madhe. https://www.gov.uk/government/news/minister-for-human-rights-statement-on-russian-supreme-court-ruling

«Vendimi që mori këtë javë Gjykata e Lartë Ruse kundër Dëshmitarëve të Jehovait është zhvillimi më i fundit i një lëvizje alarmante përndjekjeje ndaj pakicave fetare në Rusi. U bëjmë thirrje autoriteteve ruse të heqin ndalimin ndaj veprimtarive të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, të anulojnë vendimin për mbylljen e Qendrës Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait dhe të lirojnë të gjithë pjesëtarët e pakicave fetare që janë arrestuar padrejtësisht, për të ashtuquajturën veprimtari ‘ekstremiste’.»—Hedhër Nauert, Zëdhënëse për Departamentin Amerikan të Shtetit. https://www.state.gov/r/pa/prs/ps/2017/07/272679.htm

«Dëshmitarët e Jehovait, si çdo grup tjetër fetar, duhet të gëzojnë lirinë për t’u mbledhur së bashku paqësisht dhe pa ndërhyrje, siç garantojnë Kushtetuta e Federatës Ruse, marrëveshjet ndërkombëtare të Rusisë dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.»—Zëdhënësi i Shërbimit Evropian për Veprime të Jashtme. https://eeas.europa.eu/headquarters/headquarters-homepage/30022/statement-spokesperson-upheld-ban-activities-jehovahs-witnesses-russia_en

«Vendimi i Gjykatës së Lartë reflekton mjerisht përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë që ta barazojë lirinë për të praktikuar paqësisht besimin me ekstremizmin. Dëshmitarët nuk janë grup ekstremist dhe duhet të kenë mundësi që ta praktikojnë besimin e tyre hapur e lirshëm, pa u penguar nga qeveria.»Daniel Mark, Kryetar i Komisionit të Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare. http://www.uscirf.gov/news-room/press-releases/russia-jehovah-s-witnesses-banned-after-supreme-court-rejects-appeals

«Jam shumë i shqetësuar që gjykata la në fuqi vendimin që ndalon Dëshmitarët e Jehovait në Rusi. Pavarësisht se kemi apeluar në disa shkallë, nëpërmjet këtij vendimi, të gëzosh të drejtën e lirisë së fesë e të mendimit është kthyer në krim.»—Gernot Erler, Koordinator për Bashkëpunimin Ndërshoqëror me Rusinë, Azinë Qendrore dhe për Vendet e Partneritetit Lindor; Ministria e Jashtme e Gjermanisë. http://www.auswaertiges-amt.de/sid_5DAC942B7DE50BCC4AFCDFC864C2E383/EN/Infoservice/Presse/Meldungen/2017/170719-Ko_RUS-Zeugen_Jehovas.html

«Vendimi i fundit skandaloz i Rusisë që Dëshmitarëve të Jehovait t’u hiqet njohja ligjore si komunitet fetar në Rusi, shkel me të dyja këmbët nenin 18 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut që mbron lirinë e fesë e të besimit. . . . Njerëzit dashamirës nga të gjitha komunitetet fetare, si edhe të gjithë ata që e çmojnë lirinë e ndërgjegjes duhet të solidarizohen me Dëshmitarët e Jehovait në Rusi.»—Dr. Katrina Lantos Suit, presidente e Lantos Foundation. https://www.lantosfoundation.org/news/2017/7/17/lantos-foundation-condemns-russias-outrageous-decision-to-ban-jehovahs-witnesses

Deklarata pas vendimit të Gjykatës së Lartë më 20 prill 2017

Para vendimit të Dhomës së Apelit, një numër i madh organizatash qeveritare dhe zyrtarësh ndërkombëtarë dënuan vendimin që mori Gjykata e Lartë Ruse më 20 prill:

«I kërkova presidentit Vladimir Putin të përdorë fuqinë që ka për të garantuar të drejtat e pakicave fetare këtu, përfshirë edhe të Dëshmitarëve të Jehovait.»—Kancelarja Angela Merkel, gjatë një konference për shtyp me presidentin Putin. http://uk.reuters.com/article/uk-russia-germany-putin-syria-idUKKBN17Y1JZ

«Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë për ta shpallur Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Federatën Ruse organizatë ekstremiste, dhe për ta mbyllur fare, bashkë me 395 Organizatat Fetare Lokale që përdorin Dëshmitarët, ngre shqetësime serioze rreth lirisë së fesë në Rusi dhe është një shembull tjetër se si legjislacioni kundër ekstremizmit po keqpërdoret për të kufizuar lirinë e shprehjes e të mbledhjes.»—Teodora Bakojanis dhe Lilian Mari Paskier, bashkë-raportuese të Komitetit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Federatën Ruse. http://assembly.coe.int/nw/xml/News/News-View-EN.asp?newsid=6599

«Mosrespektimi i lirisë fetare nga Rusia është një tjetër shkelje e patolerueshme e angazhimeve të Moskës ndaj OSBE-së [Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë]. Kush praktikon në mënyrë paqësore besimin, nuk duhet të rrezikojë kurrë të ngacmohet, të gjobitet ose të burgoset. Urdhri i gjykatës për të konfiskuar pronën e organizatës së Dëshmitarëve të Jehovait i hedh kripë plagës. Shpresoj që kjo çështje të apelohet në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.»—Senatori Roxher Uiker, Kryetar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë. http://csce.emailnewsletter.us/mail/util.cfm?gpiv=2100141660.2454.614

«Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë të Federatës Ruse për të ndaluar veprimtaritë e Qendrës Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi me pretekstin se janë «ekstremistë», mund t’i hapë dritën jeshile ndjekjes penale të Dëshmitarëve të Jehovait vetëm ngaqë adhurojnë Zotin. Dëshmitarët e Jehovait, si çdo grup tjetër fetar, duhet të gëzojnë lirinë për t’u mbledhur së bashku paqësisht dhe pa ndërhyrje, siç garantojnë Kushtetuta e Federatës Ruse, marrëveshjet ndërkombëtare të Rusisë dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.»—Zëdhënësi i Shërbimit Evropian për Veprime të Jashtme. https://eeas.europa.eu/headquarters/headquarters-homepage/24870/statement-ban-activities-jeho

«Jam shumë i shqetësuar që veprimtaritë paqësore të komunitetit të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi në mënyrë të pajustifikueshme konsiderohen kriminale, duke e eliminuar nga vendi këtë komunitet të dobishëm. Ky vendim i Gjykatës së Lartë kërcënon vlerat dhe parimet që qëndrojnë në themel të shoqërive demokratike, të lira, të hapura, pluraliste e tolerante.»—Majkëll Xhorxh Link, Drejtor i Zyrës për Institucionet Demokratike dhe për të Drejtat e Njeriut pranë OSBE-së. http://www.osce.org/odihr/313561

«Të ndalosh e të përndjekësh njerëz paqësorë vetëm sepse duan të adhurojnë Zotin cenon haptazi të drejtën themelore të lirisë së fesë dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që garantohen edhe në Kushtetutën e Federatës Ruse. Ja pse vendimi duhet të rishikohet sa më shpejt të jetë e mundur.»—Profesoreshë Ingeborg Gabrieli, Përfaqësuese Personale e Kryetarit në detyrë të OSBE-së në Luftën kundër Racizmit, Ksenofobisë dhe Diskriminimit. http://www.osce.org/odihr/313561

«Jam e skandalizuar nga vendimi i Gjykatës së Lartë Ruse për t’i shpallur Dëshmitarët e Jehovait ‘ekstremistë’. Praktikisht ky vendim e bën të jashtëligjshëm adhurimin paqësor të 175.000 qytetarëve rusë dhe shkel lirinë fetare që garanton Kushtetuta Ruse. Mbretëria e Bashkuar i bën thirrje qeverisë ruse t’u qëndrojë angazhimeve të saj ndërkombëtare në lidhje me këtë liri themelore.»—Baronesha Xhois Anëlei, Ish-Ministre Shteti e Komonuelthit dhe e Zyrës së Jashtme për OKB-në, Britani e Madhe. https://www.gov.uk/government/news/minister-for-human-rights-criticises-russian-supreme-court-ruling-for-labelling-jehovahs-witnesses-as-extremist

Ndërkombëtarët dënojnë vendimin e Gjykatës së Lartë Ruse

Më 20 korrik 2017 Këshilli i Përhershëm i OSBE-së aprovoi një deklaratë nga Bashkimi Evropian (BE). Në të i bëhet thirrje Rusisë që të lejojë Dëshmitarët e Jehovait «të gëzojnë lirinë për t’u mbledhur së bashku paqësisht dhe pa ndërhyrje, siç garantojnë Kushtetuta e Federatës Ruse, marrëveshjet ndërkombëtare të Rusisë dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut». Kjo deklaratë u aprovua njëzëri në Vjenë nga 28 shtetet anëtare të BE-së dhe nga vende të tjera jo-anëtare, si Australia, Kanadaja dhe Norvegjia. https://eeas.europa.eu/sites/eeas/files/pc_1155_eu_jehovahs_witnesses_in_russia.pdf

Kudo në botë Dëshmitarët e Jehovait janë tmerrësisht të zhgënjyer që me këtë vendim arbitrar, Gjykata e Lartë Ruse praktikisht ka ndaluar fenë e tyre në mbarë Rusinë. Në deklaratat e tyre, organizatat qeveritare dhe zyrtarë ndërkombëtarë kanë demaskuar Rusinë që i ka shpallur padrejtësisht «ekstremistë» Dëshmitarët e Jehovait dhe që ka shpërfillur fare kushtetutën e angazhimet ndërkombëtare për të mbrojtur lirinë fetare. Kjo çështje është ende për t’u shqyrtuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe shpresojmë që ajo të heqë ndalimin kombëtar.