Kalo te përmbajtja

31 KORRIK 2014
RUSI

Gjykata e Taganrogut shpall fajtorë Dëshmitarët e Jehovait për besimin

Gjykata e Taganrogut shpall fajtorë Dëshmitarët e Jehovait për besimin

Më 30 korrik 2014, Gjykata e Qytetit të Taganrogut shpalli fajtorë dhe dënoi 7 nga 16 Dëshmitarët e akuzuar, ngaqë organizojnë mbledhje fetare dhe marrin pjesë paqësisht në to. I paditën thjesht sepse kryenin të njëjtin aktivitet fetar si Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën. Ky vendim përbën një precedent të rrezikshëm për sa i përket kufizimit të lirisë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait anekënd Rusisë.

Gjykatësi kishte programuar ta shpallte vendimin më 28 korrik 2014, por e shtyu për ditën tjetër, 29 korrik. Gjatë gjithë kësaj dite dhe mëngjesin vijues, gjykatësi lexoi vendimin prej 100 faqesh. Ai dënoi katër pleq kongregacioni me pesë deri në pesë vjet e gjysmë burg dhe me një gjobë prej 100.000 rublash (2.800 dollarë). Tre Dëshmitarë të tjerë i dënoi secilin me gjoba prej 50.000 deri 60.000 rublash (1.400 deri 1.700 dollarë). Por, gjykatësi i anuloi të gjitha gjobat dhe i pezulloi dënimet me burg sepse kishte kaluar afati ligjor për hetimin dhe procesin gjyqësor. Nëntë Dëshmitarët e tjerë nuk i dënuan.

Për të marrë këtë vendim, gjykatësi u bazua në vendimin e Gjykatës Rajonale të Rostov të shtatorit 2009 që ndalonte Organizatën Fetare Lokale të Dëshmitarëve të Jehovait në Taganrog. Ndonëse vendimi i vitit 2009 i drejtohej vetëm entit ligjor, gjykatësi vendosi që të ndalohej aktiviteti fetar i të gjithë Dëshmitarëve të Jehovait në Taganrog dhe në krahinat përreth.

Gjatë procesit gjyqësor prej 15 muajsh, të akuzuarit dëshmuan se nuk do të hiqnin dorë nga bindjet e tyre dhe se do të vazhdonin të praktikonin besimin si Dëshmitarë të Jehovait. Për ata që u dënuan, vendosmëria për të vazhduar aktivitetin fetar nënkupton se mund të përballen me burgosjen si shkelës të përsëritur.

Victor Zhenkov, një nga avokatët në këtë çështje, u shpreh: «I trembem asaj që nënkupton ky vendim për Dëshmitarët e Jehovait në Rusi. Autoritetet e ruajtjes së rendit në Taganrog dhe në mbarë Rusinë mund ta shfrytëzojnë këtë vendim si fushatë propaganduese për ngacmimin e përndjekjen e Dëshmitarëve të Jehovait nën kërcënimin e burgosjes, vetëm se praktikojnë besimin.»

Dëshmitarët në Taganrog po ia apelojnë vendimin Gjykatës Rajonale të Rostov.