Kalo te përmbajtja

2 DHJETOR 2015
RUSI

Gjykata e qytetit të Taganrogut shpall fajtorë për aktivitet fetar 16 Dëshmitarë të Jehovait

Gjykata e qytetit të Taganrogut shpall fajtorë për aktivitet fetar 16 Dëshmitarë të Jehovait

Pas një rigjykimi që zgjati 11 muaj, Gjykata e qytetit të Taganrogut shpalli fajtorë 16 Dëshmitarë të Jehovait mbi akuzën kriminale për organizimin dhe mbajtjen e mbledhjeve fetare paqësore. Gjykata e bazoi vendimin në ligjin penal i cili ndëshkon ata që organizojnë dhe marrin pjesë në veprimtari ekstremiste. Ndjekja penale nisi sepse, më 2009, gjykata rajonale keqpërdori legjislacionin rus për ekstremizmin. *

Më 30 nëntor 2015 gjykatësi A. V. Vasijuçenko dënoi katër nga Dëshmitarët me mbi 5 vjet burg për organizim të shërbimeve fetare dhe gjobiti secilin me 100.000 rubla (1.511 dollarë amerikanë). Ndërsa secilin nga 12 të pandehurit e tjerë i gjobiti me 20.000-70.000 rubla (300-1.050 dollarë amerikanë). Megjithatë, gjykatësi i pezulloi menjëherë dënimet dhe ua hoqi gjobat. Nuk është ende e qartë si do të ndikojnë te të pandehurit dënimet e pezulluara. Gjithsesi, të pandehurit u shpallën fajtorë.

Përballë një zgjedhjeje të vështirë

Më shumë se 800 Dëshmitarët në Taganrog janë të shqetësuar për pasojat që mund të kenë kur mblidhen paqësisht për të shqyrtuar Biblën e për t’u lutur. Të gjithë të pandehurit dëshmuan qartë gjatë gjyqit se do të vazhdojnë të ushtrojnë besimin si Dëshmitarë të Jehovait. Vendimi kundër tyre mund t’ua sprovojë vendosmërinë. Aleksandër Skvortsovi, një nga të dënuarit, pohoi: «Me pak fjalë, gjykata na tha: ‘Hiqni dorë nga besimi ose përballuni me ndëshkimin si përsëritës të veprës penale.’»

Dëshmitarët kudo në Rusi janë të shqetësuar pas vendimit të Taganrogut. Duke ndjekur modelin e Taganrogut, autoritetet në Samarë dhe Abinsk kanë keqpërdorur Ligjin kundër Veprimtarive Ekstremiste ndaj adhurimit paqësor të Dëshmitarëve dhe kanë mbyllur entet ligjore vendëse të Dëshmitarëve. Derisa zyrtarët rusë të përdorin këtë strategji, Dëshmitarët e Jehovait në Rusi presin që ta kenë gjithnjë e më të vështirë të adhurojnë lirisht.

Vazhdon beteja për lirinë fetare

Ky vendim pasqyron presionin gjithnjë e më të madh të bërë ndonjëherë nga autoritetet ruse, për të zhdukur fenë e Dëshmitarëve të Jehovait. Vjet zyrtarët rusë deklaruan si ekstremiste dy ente ligjore vendëse të Dëshmitarëve të Jehovait. Që nga marsi 2015 autoritetet nuk i lejojnë Dëshmitarët të importojnë literaturë fetare​—madje as Biblën. Në korrik Rusia bëri një emër të keq kur u bë i vetmi shtet në botë që ndaloi sitin zyrtar të Dëshmitarëve të Jehovait, jw.org. Dëshmitarët po i kundërshtojnë këto vendime negative në gjykatat vendëse dhe kanë paraqitur 28 kërkesa pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në kërkim të një rrugëzgjidhjeje për shkeljen e të drejtave të njeriut në Rusi.

Të 16 Dëshmitarët në Taganrog do ta apelojnë vendimin, duke nisur kështu një tjetër kapitull në betejën e gjatë ligjore. Jaroslav Sivulski, përfaqësues i Qendrës Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, u shpreh: «Kanë qenë në gjyq për më se 2 vjet e gjysmë. Është për të ardhur keq që duhet të shkojnë sërish në gjyq, thjesht ngaqë po përpiqen të mbrojnë të drejtën bazë të lirisë fetare siç garantohet në kushtetutë.»

Dëshmitarët e Jehovait nuk janë ekstremistë. Në shërbimet e tyre fetare mësohet kryesisht dashuria për Zotin dhe për të afërmin. Dëshmitarët në Taganrog, në mbledhjet e tyre javore trajtojnë të njëjtin material si bashkëbesimtarët në mbarë botën. Pavarësisht se ka mbi 1.700 raste të dokumentuara të abuzimit nga autoritetet ruse, Dëshmitarët e Jehovait nuk janë hakmarrë as edhe me një akt të vetëm mosbindjeje ndaj ligjit.

Ata shpresojnë se autoritetet ruse do ta njohin natyrën paqësore të aktivitetit të tyre fetar dhe se do t’i japin fund ndjekjes penale në Taganrog e kudo. Autoritetet duhet t’u njohin Dëshmitarëve të Jehovait të njëjtën të drejtë themelore të lirisë fetare siç bëjnë me fetë e tjera të njohura gjerësisht.

Tabela kronologjike e rigjykimit *

  1. 22 janar 2015

    Nis rigjykimi i 16 Dëshmitarëve në Gjykatën e qytetit të Taganrogut.

  2. Qershor 2015

    Gjykatësi shtyn seancën dëgjimore, duke e vonuar vendimin deri në vjeshtë.

  3. 13 nëntor 2015

    Gjykatësi shtyn gjyqin për të rishqyrtuar çështjen.

  4. 30 nëntor 2015

    Gjykata e qytetit të Taganrogut shpall fajtorë të 16-të Dëshmitarët. Të gjithë u gjobitën, dhe katër prej tyre u dënuan me mbi pesë vjet burg. Gjykatësi pezulloi dënimet.