24 NËNTOR 2017
RUSI
Gjykata e Oriolit zgjat paraburgimin e Denis Kristensenit
PËRDITËSIM: Më 22 dhjetor 2017 Gjykata Rajonale e Oriolit nuk pranoi apelimin e paraqitur nga avokati i z.Kristensen ku kërkohej lirimi i tij nga paraburgimi.
Afati i paraburgimit mbaron më 23 shkurt 218. Deri në atë kohë, ai duhet të dalë sërish në gjyq, me shumë mundësi, për t’u përballur me akuza penale.
Më 20 nëntor 2017, në fund të një seance dëgjimore që zgjati tri orë, Gjykata Krahinore e Sovietskit në Oriol, Rusi, vendosi ta lërë sërish në paraburgim deri më 23 shkurt 2018 Denis Kristensenin. Kjo është hera e dytë që gjykata e zgjat me tre muaj burgimin e z. Kristensen. Ai po mbahet nën arrest, pa gjyq, që nga maji i 2017-s, kur policia bastisi një mbledhje fetare paqësore në Oriol, në të cilën merrte pjesë edhe z. Kristensen.
Z. Kristensen është shtetas danez dhe Dëshmitar i Jehovait. Para se të arrestohej, Gjykata e Lartë Ruse e ndaloi si ekstremiste veprimtarinë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait. Gjykata krahinore e zgjati sërish paraburgimin që t’i japë kohë hetuesit të mbledhë «prova», që z. Kristensen të dënohet për veprimtari fetare të ashtuquajtur «të jashtëligjshme». Gjykata hodhi poshtë kërkesën për ta kaluar në arrest shtëpie gjatë hetimit dhe shpërfilli faktin që qeveria daneze garantoi se nuk do ta pajiste me pasaportë z. Kristensen dhe as do ta ndihmonte të largohej nga vendi.
Në momentin kur u arrestua, z. Kristensen bashkë me të shoqen, shtetase ruse, po ushtronin të drejtën themelore të lirisë së fesë dhe të mbledhjes. Gjykata mund të vendosë ta mbajë në paraburgim deri në dy vjet. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon gjashtë deri në dhjetë vite burg.