23 MARS 2022
SALVADOR
Mbushen 50 vjet që nga njohja ligjore e Dëshmitarëve të Jehovait në Salvador
Në mars të vitit 2022 bëhen plot 50 vjet që kur Dëshmitarët e Jehovait në Salvador u njohën ligjërisht. Pasi qeveria u dha vëllezërve tanë statusin ligjor më 27 mars 1972, numri i lajmëtarëve në Salvador u rrit me të shpejtë, nga një maksimum prej 2.524 lajmëtarësh në vitin 1972 në 5.632 në vitin 1976. Sot atje ka më shumë se 38.000 lajmëtarë që shërbejnë në 662 kongregacione.
Misionarët mbërritën në Salvador më 1945 dhe iu kushtuan me gjithë shpirt shërbimit. Në atë kohë, nuk e kishin të vështirë të merrnin lejeqëndrimin. Shpejt filluan të formoheshin kongregacione dhe në maj të 1946-s u hap një zyrë dege.
Më 1968, një ligj i ri për imigracionin nuk i lejonte misionarët të qëndronin në Salvador për më shumë se pesë vjet. Duke kuptuar si do të ndikonte kjo te vepra e predikimit, vëllezërit që merrnin drejtimin nisën përpjekjet për të fituar njohjen ligjore.
Aty nga fundi i vitit 1971, rreth 30 pleq nga Salvadori u ftuan në zyrën e degës për të diskutuar këtë çështje. Gjatë mbledhjes, vëlla Baltasar Perla, i cili më vonë shërbeu si anëtar i Komitetit të Degës, u kërkoi të gjithë pleqve të pranishëm që t’i jepnin kartat e identitetit që u kishte lëshuar qeveria. Pastaj i informoi se emrat dhe adresat e tyre do të përfshiheshin në kërkesën me shkrim për njohje ligjore që do t’i paraqitnin qeverisë.
Vëlla Huan Antonio Flores, një nga pleqtë e pranishëm në atë mbledhje, kujton: «Vëlla Perla na shpjegoi se, meqë emrat dhe adresat tona do të shkruheshin në atë dokument, nëse një ditë autoritetet do të ndalonin veprën tonë, ne do të ishim shënjestrat e tyre të para dhe të parët që do të futeshim në burg.» Pastaj vëlla Perla tha se do t’ia kthente kartën e identitetit kujtdo që kishte frikë. Askush nuk e kërkoi kartën. Jemi të lumtur që qeveria nuk iu kundërvu kurrë veprës sonë, dhe askush nuk u burgos.
Plani funksionoi dhe vitin pasues Shoqata e Dëshmitarëve të Jehovait u njoh ligjërisht. Nga ai moment e tutje, misionarët mund të merrnin sërish lejeqëndrimin e përhershëm. Gjithashtu u bë më e lehtë që dega të importonte literaturë dhe që vëllezërit të mbronin qëndrimin e tyre asnjanës para autoriteteve nëpër shkolla ose para zyrtarëve të qeverisë.
Më 26 prill 1972, gazeta zyrtare e Salvadorit botoi një artikull ku shpjegohej misioni kryesor i shoqatës sonë ligjore: «[Që] të predikojë për mësimet e Biblës dhe për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë si dëshmi për emrin, fjalën dhe autoritetin suprem të Perëndisë së plotfuqishëm Jehova.»
Në dekadat që pasuan, Dëshmitarët e Jehovait në Salvador jetuan në lartësinë e misionit që deklarohej në atë artikull.—Isaia 25:9.