Kalo te përmbajtja

31 JANAR 2023
SENEGAL

Stenda me logon JW.ORG tërheq vizitorë në panairin ndërkombëtar në Senegal

Stenda me logon JW.ORG tërheq vizitorë në panairin ndërkombëtar në Senegal

Nga 15-31 dhjetori 2022, Dëshmitarët e Jehovait morën pjesë për herë të parë në Panairin Ndërkombëtar të Dakarit (FIDAK) në Senegal, që zhvillohet çdo vit. Ky ishte 30-vjetori i panairit. Aty mund të gjeje punime artizanale, shërbime publike dhe aktivitete kulturore. Eventi tërheq qindra mijë vizitorë nga pjesë të ndryshme të Afrikës dhe nga mbarë bota.

Vëllezërit dhe motrat ngritën një kënd informacioni ku prezantuan materiale nga jw.org dhe botime për jetën familjare. Lajmëtarët shfaqën video nga seritë Bëhu mik i Jehovait dhe Video me skicime, si edhe treguan intervista me të rinj nga seria e videove Ja ç’thonë moshatarët e tu.

Disa vizitorë nuk e njihnin sitin tonë dhe, ndërsa ishin te këndi, e hapën menjëherë nga telefoni i tyre. Shumë vetave u bëri goxha përshtypje që jw.org përmban materiale online në mbi 1.000 gjuhë, ku përfshihet dhe gjuha vendëse, uolofe. Gjatë panairit, lajmëtarët u dhanë mbi 3.000 botime vizitorëve që i kërkuan.

Një vizitor komentoi: «Koha që kaluam te këndi juaj, ishte pjesa më e rëndësishme e gjithë vizitës në panair.» Një tjetër tha: «Po të kishte një çmim për stendën më të mirë, pa diskutim do ta fitonit ju.»

Vëlla Martin Lodi, që ndihmoi me organizimin e këndit, u shpreh: «Ishte kënaqësi të mirëpritnim një numër kaq të madh vizitorësh nga kaq shumë vende. Mjaft prej tyre na falënderuan sinqerisht që sigurojmë falas informacione praktike nga Bibla.»

Jemi të lumtur për rezultatet pozitive që solli pjesëmarrja jonë në këtë event. Kjo është një mënyrë tjetër se si populli i Jehovait vazhdon t’u mësojë të tjerëve «mençurinë praktike» nga Fjala e Perëndisë.—Proverbat 3:21, 22.