Kalo te përmbajtja

3 KORRIK 2024
SERBI

Rezultate fantastike nga fushata speciale e predikimit në zonat e thella të Serbisë

Rezultate fantastike nga fushata speciale e predikimit në zonat e thella të Serbisë

Nga data 17 deri më 26 maj 2024, mbi 600 vëllezër e motra nga Serbia dhe Mali i Zi morën pjesë në një fushatë speciale predikimi nëpër rajone të thella të Serbisë. Kishte mbi 20 vjet që Dëshmitarët e Jehovain në Serbi nuk zhvillonin një fushatë të tillë speciale predikimi. Përllogaritet se në zonat e thella të Serbisë, ku vëllezërit tanë nuk shkojnë dot rregullisht, banojnë më shumë se 1,5 milionë veta, gati çereku i popullsisë në vend. Është e mrekullueshme që gjatë fushatës mbi 1.800 veta kërkuan të studionin Biblën.

Në qytezën e Beli-Potokut, pasi bëri një bisedë të bukur me Dëshmitarët, një grua telefonoi disa nga fqinjët e saj dhe u tha: «Po ju vijnë disa njerëz që t’ju flasin për Zotin dhe për Biblën. Dëgjojini me vëmendje!» Në pritje të vizitës, një grua në shtëpinë e fundit të fshatit i përshëndeti me gëzim Dëshmitarët dhe i ftoi brenda. Pastaj u shpjegoi se më parë kishte ndjekur Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Ajo pranoi gjithë dëshirë të studionte Biblën.

Dy motra duke biseduar me një grua të moshuar në fshatin e Tërgovishtës

Dy Dëshmitarë po qëndronin te një stendë në Palanka të Smederevës, kur një burrë që quhet Radomir iu afrua. Ai u tha se ishte shumë i lumtur që në qytezën e tij shihte njerëz besimtarë. Pastaj u kërkoi më tepër informacion për kursin e Biblës që reklamohej te stenda. Kur vëllezërit i shpjeguan si zhvillohej kursi, Radomiri pranoi me kënaqësi të studionte Biblën.

Kjo fushatë speciale predikimi ishte një bekim për vëllezërit e motrat tona në Serbi dhe për të gjithë ata që janë të etur për të vërtetat e Biblës.—Gjoni 7:37.