Kalo te përmbajtja

Lart: vëllezër e motra në Vlorë, Shqipëri, më 1930. Lart djathtas: broshura në shqip, pjesë e historisë teokratike të Shqipërisë. Poshtë djathtas: Dejvid Splejni, anëtar i Trupit Udhëheqës, prezanton Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në kongresin krahinor 2005 me temë «T’i bindemi Perëndisë»

7 JANAR 2022
SHQIPËRI

100 vjet që predikohet lajmi i mirë në Shqipëri, pavarësisht nga dekadat nën ndalim

100 vjet që predikohet lajmi i mirë në Shqipëri, pavarësisht nga dekadat nën ndalim

Viti 2022 shënon 100-vjetorin e Dëshmitarëve të Jehovait në Shqipëri.

Ndër shqiptarët e parë që u bënë Dëshmitarë të Jehovait, ishte Nasho Idrizi. Në fillim të viteve 20, kur jetonte në Shtetet e Bashkuara, ai studioi Biblën me Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, siç njiheshin në atë kohë Dëshmitarët e Jehovait.

Nashoja u kthye në Shqipëri në vitin 1922. Më vonë edhe shqiptarë të tjerë që ishin bërë Studentë të Biblës në Amerikë, u kthyen në Shqipëri, që t’ua tregonin edhe të tjerëve atë që kishin mësuar.

Thanas Duli

Thanas Duli ishte ndër Studentët e parë të Biblës në Shqipëri. Ai tregonte: «Në vitin 1925, në të gjithë Shqipërinë kishte 3 kongregacione të organizuara, disa Studentë të Biblës larg kongregacioneve, si dhe njerëz të interesuar për Biblën.»

Gjatë viteve të para u përkthyen disa botime në shqip, si Harpa e Perëndisë dhe Një qeveri e dëshirueshme. Kulla e Rojës, 1 dhjetor 1925, thoshte se «në duar të shqiptarëve ka një numër të konsiderueshëm [botimesh në shqip], dhe ata po e përqafojnë të vërtetën me gëzim të madh».

Argjiro dhe Nasho Dori

Njerëzit filluan t’i quanin Dëshmitarët ungjillorë, që ka kuptimin «ungjillëzues», ngaqë predikonin me zell. Nasho Dori, që u pagëzua në vitin 1930, kujtonte: «Në vitin 1935 u bëmë një grup dhe morëm një autobus me qira, që të predikonim në qytetin e Këlcyrës. Pas kësaj organizuam një fushatë të gjerë në Shqipëri, duke shkuar në Përmet, Leskovik, Ersekë, Korçë, Pogradec dhe Elbasan. E mbyllëm fushatën në Tiranë, fiks kur duhej të mbanim Përkujtimin e vdekjes së Krishtit.»

Në vitin 1939, Italia fashiste pushtoi Shqipërinë dhe i ndaloi Dëshmitarët e Jehovait. Asnjanësia e krishterë u bë problem, sepse vëllezërit nuk pranuan të luftonin gjatë luftës italo-greke. a Gjatë atyre viteve u burgosën 15 vëllezër. Vëlla Nikodhim Shytin e dërguan në një kamp përqendrimi dhe, që atëherë, asnjeri s’e di çfarë u bë me të.

Ndërsa Luftës II Botërore po i vinte fundi, në vitin 1944 erdhi në pushtet partia komuniste. Përndjekja nuk u ndal. Shumë vëllezër i burgosën dhe i torturuan. Të tjerë i dërguan nëpër kampe pune, shumë larg familjarëve. Në ato vite Shqipëria u izolua nga pjesa tjetër e botës. Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 1959 raportonte: «Edhe pse qeveritarët e vendit mund t’i izolojnë vëllezërit që jetojnë në Shqipëri nga pjesa tjetër e Shoqërisë Bota e Re, ata nuk e pengojnë dot frymën e shenjtë të Perëndisë që të veprojë te ta.» Në vitin 1967 Shqipëria u vetëshpall shteti i parë ateist. Grupi i vogël i Dëshmitarëve që mbeti atje, vazhdoi të praktikonte besimin pa rënë në sy.

Pas rënies së komunizmit, Dëshmitarët e Jehovait u njohën ligjërisht më 22 maj 1992, pas më tepër se 50 vjetësh nën ndalim.

Sot, në Shqipëri ka 5.550 Dëshmitarë, të cilët shërbejnë në 89 kongregacione. Gëzojmë bashkë me vëllezërit tanë që ‘fjala e Jehovait vazhdoi të përhapej e të triumfonte falë fuqisë së tij’, pavarësisht nga përndjekja mizore.—Veprat 19:20.

a Lufta italo-greke ishte një konflikt mes Italisë dhe Greqisë, që zgjati nga 28 tetori 1940 deri më 23 prill 1941. Lufta shënoi fillimin e fushatës ballkanike të Luftës II Botërore.