Kalo te përmbajtja

11 MARS 2021
SHTETET E BASHKUARA

Dëshmia me anë të letrave vazhdon të ketë rezultate inkurajuese

Dëshmia me anë të letrave vazhdon të ketë rezultate inkurajuese

Shumë Dëshmitarë të Jehovait po kënaqen duke u predikuar të tjerëve me anë të letrave. Historitë vijuese nga Shtetet e Bashkuara vërtetojnë se dëshmia me letra është një mënyrë e shkëlqyer për t’u folur të tjerëve për mesazhin ngushëllues nga Bibla.

Motër Karla Ruglesi dhe e ëma kërkojnë për shkrime që t’i përfshijnë në letra

Motër Karla Ruglesi, 13 vjeçe, në Blu-Ash, Ohajo, kuptoi se letrat mund t’i ndihmojnë vërtet njerëzit kur mori një përgjigje të papritur.

Një pasdite, Karla ishte jashtë shtëpisë kur një motoçikletë po kalonte aty pranë. Burri që zbriti nga motoçikleta, kishte një zarf në dorë dhe thirri: «Kush ma dërgoi këtë letër?» Karla e kuptoi se ishte një ndër letrat që kishte shkruar për ta përdorur në shërbim.

Ndërsa prindërit vrapuan tek ajo, Karla iu përgjigj atij me guxim: «E kam dërguar unë, zotëri!»

Ajo dhe prindërit u habitën kur burri vazhdoi: «Letra juaj ishte fiks ajo që më duhej!» Pastaj shpjegoi se letra i kishte dhënë shumë zemër ndërsa përballonte vetminë për shkak të pandemisë. Tha edhe se kohët e fundit i kishte vdekur i vëllai dhe letra e Karlës ia kishte lehtësuar disi hidhërimin.

Në fund tha: «Vazhdoni t’u shkruani të tjerëve. Letrat tuaja u prekin zemrën njerëzve, pavarësisht nëse përgjigjen apo jo.»

Tani Karla është edhe më e vendosur t’u shkruajë fqinjëve. Ajo shprehet: «Jam kaq e emocionuar që Jehovai më përdori mua për t’i dhënë zemër dikujt. Fjalët që shkruajmë, mund ta ndihmojnë vërtet dikë.»

Motër Mirna Lopezi në Sentër, Teksas

Motër Mirna Lopezi, nga Sentëri, Teksas, kishte filluar të dyshonte nëse letrat e saj po ndihmonin ndokënd. Ndërkohë Mirna mori vesh se nipin e saj e kishin futur në burg. Kështu vendosi t’i shkruante këtij të riu që i kishte ndjekur mbledhjet kur ishte fëmijë, dhe e siguroi se Jehovai nuk e kishte harruar.

Ai iu përgjigj letrës dhe shpjegoi se ndihej në ankth dhe i humbur pas arrestimit. Në burg kishte filluar të mendonte për fëmijërinë, prandaj po lexonte Biblën dhe po i lutej Jehovait. Ai e përshkroi letrën e Mirnës si përgjigje të lutjeve të tij dhe dëshmi se Jehovai merakoset ende për të.

Motër Natali Bibsi në Norkros, Xhorxhia

Motër Natali Bibsi, që jeton në Norkros, Xhorxhia, mori falënderime nga një grua që kishte gjetur një nga letrat e saj ndërsa vraponte. Ajo e kishte parë letrën e palosur në trotuar dhe kishte vazhduar vrapin, duke e lënë pas letrën. Mirëpo, pa e kuptuar edhe vetë pse, u kthye prapë dhe e mori.

Gruaja i shkroi Natalisë: «Kisha kaluar një javë goxha të vështirë dhe thjesht kisha nevojë të më ndodhte diçka e mirë. Ajo letër ishte ‘diçka e mirë’ për mua!»

Natalia shprehet: «Kjo përgjigje më mbushi me besim se Jehovai na mbështet, pavarësisht nga mënyra si predikojmë.»

Motër Laura Martinezi, që jeton në Ejthëns, Teksas, u jep letra punonjësve të supermarketit ndërsa e ndihmojnë të futin ushqimet në makinë. Një prej tyre, një grua, i tha Laurës se letra e kishte prekur jashtë mase. Prandaj, Laura i shkroi dy letra të tjera dhe tani po studiojnë Biblën së bashku.

Motër Laura Martinezi, në Ejthëns, Teksas, u jep letra punonjësve në supermarketin e lagjes

Histori të tilla na sjellin ndër mend se, edhe pse nuk e dimë ku do të kenë sukses farat e së vërtetës, Jehovai mund të përdorë çdo metodë që t’i ngushëllojë e t’u sjellë shpresë njerëzve me natyrë të butë si dele.—Eklisiastiu 11:6.