Kalo te përmbajtja

1 TETOR 2021
SHTETET E BASHKUARA

Del libri i Mateut në gjuhën hmonge

Del libri i Mateut në gjuhën hmonge

Më 25 shtator 2021 u prezantua Bibla—Ungjilli sipas Mateut në format dixhital në gjuhën hmonge. Vëlla Xhefri Xheksoni, anëtar i Trupit Udhëheqës, e prezantoi këtë libër të Biblës gjatë një mbledhjeje speciale virtuale që u transmetua në të gjithë botën për një auditor me më shumë se 2.500 veta.

Ky është libri i parë i Biblës nga Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re që botohet në gjuhën hmonge, e cila flitet nga më shumë se 3,9 milionë veta në botë. a Populli hmong beson në animizëm dhe shamanizëm.

Në vitet 70, shumë nga popullsia hmonge u vendosën në kampet e refugjatëve në Tajlandë. Më vonë, një pjesë e mirë e tyre emigruan në vendet perëndimore; shumica vajti në Shtetet e Bashkuara.

Sot hmongët që janë në Shtetet e Bashkuara, jetojnë kryesisht në Kaliforni, Minesotë dhe Uiskonsin. Dëshmitarët e Jehovait filluan të përkthenin në gjuhën hmonge në vitin 2007. Më 2012, në Sakramento, Kaliforni, u hap një Zyrë Rajonale Përkthimi.

Skuadra e përkthimit e përfundoi librin e Mateut për 3 muaj. Për projektin bashkëpunuan disa redaktorë nga 5 vende.

Skuadrës iu desh të kapërcente një vështirësi të pazakontë. Gjuha hmonge, që u zyrtarizua si gjuhë e shkruar në vitet 50, nuk ka një standard për mënyrën si shkruhen fjalët dhe shkronjat e mëdha.

Pas vitit 1980 filluan të viheshin në dispozicion përkthimet e para të Biblës, por shumë hmongfolësve nuk ua mbante xhepi t’i blinin. Përkthimet kishin edhe goxha gabime që fshihnin kuptimin e saktë të Shkrimeve. Për shembull, një përkthim e zëvendësonte emrin e Perëndisë, Jehova, me emrin e një personazhi nga historia tradicionale e popullit hmong.

Një përkthyes tha: «Tani me Përkthimi Bota e Re në gjuhën hmonge, njerëzit me zemër të sinqertë më në fund do të shohin emrin e Jehovait në Biblat e tyre dhe do të bëhen miq të tij. Këtë po pritnim dhe për këtë jemi lutur gjithë këto vite.»

Lexuesit kanë shprehur mirënjohjen e tyre për cilësinë e lartë të përkthimit. Një lexues tha: «Mbeta gojëhapur kur lexova librin e Mateut në gjuhën hmonge. Vrisja mendjen: ‘Si ka mundësi që ky përkthim më ngjall kaq shumë emocione?’ Arrija ta përfytyroja menjëherë të gjithë tregimin.»

Prezantimi i librit të Mateut në gjuhën hmonge është një përkujtues i fuqishëm se Perëndia ynë i paanshëm do ta vërë Fjalën e tij në dispozicion të të gjithë atyre që po e kërkojnë.—Veprat 10:34, 35.

a Numri i saktë i popullsisë hmonge vështirë të përcaktohet nga studiuesit. Rreth 2,7 milionë hmongë jetojnë në provincat jugore të Kinës. Mesatarisht 1,2 milionë jetojnë në veri të Vietnamit, në Laos, në Tajlandë dhe në pjesën lindore të Mjanmarit. Mbi 170.000 hmongë jetojnë në Shtetet e Bashkuara.