Kalo te përmbajtja

Vizitorë në ekspozitat e Uoruikut teksa shohin video në gjuhën amerikane të shenjave, në pajisjet e reja elektronike

13 SHKURT 2019
SHTETET E BASHKUARA

Ekspozitat në selinë botërore tani disponohen edhe në gjuhën amerikane të shenjave

Ekspozitat në selinë botërore tani disponohen edhe në gjuhën amerikane të shenjave

Që nga janari i 2019-s, vizitat në ekspozitat e selisë botërore tani mund të bëhen edhe në gjuhën amerikane të shenjave. Enrik Fordi, mbikëqyrës i Repartit të Muzeve, shpjegon: «Është bërë një punë e jashtëzakonshme përkthimi dhe programimi kompjuterik që përmbajtja e muzeut të vihej në dispozicion për komunitetin e gjuhës amerikane të shenjave. Tani personat që kanë vështirësi me dëgjimin dhe ata që nuk dëgjojnë mund ta shijojnë plotësisht ekspozitën e të mësojnë prej saj.»

Ana Barrios, motër që nuk dëgjon, e cila shërben si pioniere e rregullt në Nju-Jork, është ndër të parët që ka vizituar ekspozitat në këtë gjuhë. Ajo shprehet: «U emocionova tej mase kur mora pajisjen me video në gjuhën amerikane të shenjave. Edhe pse e kisha vizituar më parë muzeun, informacioni nuk më kishte prekur zemrën, sepse nuk i kisha kuptuar mirë detajet vetëm nga leximi i diçiturave në anglisht. Pasi pashë disa video në gjuhën e shenjave, e kuptova domethënien e emrit të Jehovait si kurrë më parë. Ekspozitat nxirrnin në pah aspekte të personalitetit të Jehovait që më prekën aq shumë sa qava.»

Realizimi i këtij projekti ka filluar në qershor të 2017-s. Për përkthimin dhe prodhimin e videove të muzeut në gjuhën amerikane të shenjave punuan gjithsej 23 vëllezër e motra, përfshirë 6 lajmëtarë që nuk dëgjojnë dhe 6 të tjerë që janë rritur nga prindër që nuk dëgjojnë. Grupi i përkthimit filmoi mbi 900 video, rreth 9 orë regjistrim, e njëjta kohëzgjatje me regjistrimet audio të muzeut. Videot u filmuan në 3 studio: në zyrën rajonale të përkthimit të gjuhës amerikane të shenjave në Ford-Lodërdejll, Florida; në godinat e degës së SHBA-së në Uollkill, Nju-Jork; dhe në selinë botërore në Uoruik, Nju-Jork. Vëllezër e motra që nuk dëgjojnë, të moshave e të prejardhjeve të ndryshme, panë videot dhe ndihmuan që përkthimi të përmirësohej dhe që vizita në këtë gjuhë të bëhej më e këndshme.

Disa vëllezër e motra që ndihmuan në prodhimin e videove për muzeun e Uoruikut në gjuhën amerikane të shenjave

Reparti i Muzeve bleu pajisje me touch-screen (ekran me prekje) që mënyra si shfaqen videot e gjuhës amerikane të shenjave të ngjasojë me mënyrën si luhen audiot e ekspozitave në pajisjet audio. Ky repart përshtati edhe 14 ekranet ekzistuese me prekje që të shfaqnin edhe videot në gjuhën amerikane të shenjave.

Mark Sandersoni, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, pohon: «Qëllimi i muzeut në Uoruik është të inkurajojë dhe të forcojë besimin e atyre që vizitojnë selinë botërore. Jemi tejet të lumtur që materiali i muzeut disponohet në 14 gjuhë, edhe në gjuhën amerikane të shenjave për vizitorët që nuk dëgjojnë dhe për ata që kanë vështirësi me dëgjimin, qofshin Dëshmitarë ose jo.»

Deri tani, mbi gjysmë milionë persona kanë vizituar Uoruikun. Gjithë vëllazëria mbarëbotërore është e ftuar të vizitojë ekspozitat dhe të mësojë më shumë rreth historisë mahnitëse të Dëshmitarëve të Jehovait. Kushdo që do ta vizitojë, do të marrë forcë që të ketë besim te Perëndia.—Psalmi 78:7.

Një vëlla teksa rishikon një video në gjuhën amerikane të shenjave, në një studio të përkohshme që është ngritur në selinë botërore në Uoruik, Nju-Jork

Tre fëmijë që dëgjojnë, prindërit e të cilëve nuk dëgjojnë, shohin dramën e vitit 1977 «Emri i Jehovait do të shpallet në gjithë tokën» (anglisht)

Një grup me vëllezër e motra duke vizituar ekspozitën «Bibla dhe emri hyjnor»

Vizitorë ndërsa shohin një video në gjuhën amerikane të shenjave në ekspozitën «Një popull për emrin e Jehovait»

Një grup teksa sheh një video në gjuhën amerikane të shenjave dhe rreth 500 diapozitivat e «Fotodramës së krijimit»