7 DHJETOR 2020
SHTETET E BASHKUARA
Fëmijët zgjerojnë shërbimin, pavarësisht nga pandemia
Majk Iuçuku dëgjoi një zhurmë të njohur. Ishte e bija, Melodia, që zbriste shkallët me vrap që të hante diçka në pushimin e drekës gjatë shkollës online. Ai vendosi të shihte pse e bija 6 vjeçe e kishte me aq nxitim, duke menduar se do ta gjente duke ngrënë një sanduiç ose duke u zbavitur me lodrat e saj. Por, ajo që pa, e la pa fjalë.
Majku thotë: «Ajo ishte ulur para kompjuterit të vet dhe mbante në dorë librin Të mësojmë nga historitë e Biblës, ndërsa tri nga shoqet e saj të klasës po e dëgjonin. Vajza më tha: ‘Babi, po bëj një studim me shoqet e klasës!’»
Melodia ishte e vendosur të fillonte një studim me dikë që në shtator të vitit 2020, kur shkolla e saj në Hjuston, Teksas, filloi mësimin online për shkak të pandemisë. Prandaj iu lut Jehovait dhe po kërkonte mundësi që të gjente një studim të Biblës.
Majku dhe bashkëshortja, Oktavia, ishin jashtëzakonisht krenarë për të bijën. Majku vazhdon: «Melodia u flet gjithmonë për Jehovain shokëve të klasës. Ama, si unë, si e ëma u prekëm pa masë teksa e shihnim të drejtonte një seancë studimi.»
Melodia po studion rregullisht me shoqet e klasës. Ajo thotë: «Deri tani u kam treguar për Parajsën dhe për Jezuin. Dua që ato të bëhen Dëshmitare të Jehovait.»
Edhe 9-vjeçari Samuel Molnari nga Ingëllsajdi, Ilinois, flet me të tjerët për besimin e tij.
Pasi dëgjoi se një vëlla i kishte dhënë dëshmi një komshiu nga gardhi, Samueli vendosi ta provonte edhe vetë. Kur pa nipin e komshiut duke luajtur në anën tjetër të gardhit, në oborrin e vet, e pyeti nëse kishte qejf të dëgjonte për Parajsën. Djali i tha se i pëlqente, dhe Samueli u fut me vrap brenda të merrte botimin Libri im i tregimeve biblike.
Ai tregon: «I thashë se në të ardhmen mund të luante me kafshët pa u vrarë fare. Pastaj i lexova tregimin e Danielit në gropën e luanëve.»
Samueli nuk u mjaftua me kaq. I dërgoi një letër ku i përshkruante aktivitetet dhe videot që gjenden në jw.org. Të dy djemtë ranë dakord që të lexonin një tregim tjetër nga Bibla kur të shiheshin prapë.
Samueli është shumë i emocionuar për këtë përvojë dhe po përpiqet shumë të arrijë synimin e radhës. Ai thotë: «Dua t’i njoh sa më mirë të gjitha fletushkat nga Çanta e mjeteve mësimore, që t’i përdor kur të flas me të tjerët.»
Tri motra të vogla në Hjuston kohët e fundit arritën synimin që kishin: të shërbenin si pioniere ndihmëse gjatë pushimeve të verës.
Gjatë gushtit, Xhozlinë Horta, 13 vjeçe; Melani Alvarezi, 12 vjeçe; dhe Kloe Rodrigezi, 10 vjeçe, lidheshin me videokonferencë që të shkruanin letra. Mblidheshin deri në 5 herë në javë dhe fillonin që në 7 të mëngjesit.
Xhozlina shpjegon: «Bënim çik muhabet, hanim së bashku dhe në 7.30 fillonim të shkruanim letra.» Me raste, ndonjëra prej tyre flinte çik më gjatë, dhe dy të tjerat i dërgonin një mesazh të lezetshëm, si: «Mirëmëngjes! Çohu! Koha për predikim!»
Me entuziazmin e tyre, jo vetëm që u dhanë zemër njëra-tjetrës, por edhe miqve dhe familjarëve. E ëma e Xhozlinës, Alisia, thotë: «Ndonjëherë nuk ndihesha për të dalë në shërbim. Por, kur shihja Xhozlinën ulur atje, i thosha vetes: ‘Edhe unë dua të dal në shërbim.’»
Jehovait i bëhet zemra mal kur sheh të gjithë këta fëmijë besnikë që po bëjnë gjithë sa munden në shërbim gjatë kësaj pandemie.—Proverbat 27:11.