11 PRILL 2022
SHTETET E BASHKUARA
Nga muzeu ynë
Kanë nisur kërkimet për filmimet e kongresit në Sidër-Point
Kongresi i vitit 1922 në Sidër-Point, Ohajo, SHBA, njihet gjerësisht nga Dëshmitarët e Jehovait si një event historik për shkak të thirrjes së vëlla Xhozef Radhërfordit për të lajmëruar Mbretërinë.
Por, ky kongres ishte domethënës edhe për një arsye tjetër: u filmua. Deri më sot, nuk kemi ndonjë kopje të filmimeve të kongresit.
Në një foto të kongresit ndërkombëtar që u mbajt në shtator 1922 duket një platformë e ngritur ku ishte vendosur një kamerë për të filmuar pjesë të programit historik. Në atë kohë, kamerat ishin një teknologji novatore.
Me sa duket, filmimet e kongresit u vunë në dispozicion të publikut. Për shembull, në një gazetë kishte dalë një lajmërim që i bënte publicitet filmit. Lajmërimi i ftonte lexuesit: «Shiheni kongresin në shtëpi. Shikoni miqtë, shikoni pagëzimin.» Kishte edhe një sugjerim për shërbimin: «Ftoni edhe fqinjët dhe jepuni dëshmi me anë të filmimeve të kongresit. Porositeni tani.»
Nëse ke informacion për ndonjë kopje të këtij filmimi, të lutemi kontakto Repartin e Muzeve në MuseumDonations@jw.org ose shkruaji Selisë Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në adresën 1 Kings Drive, Tuxedo Park, NY 10987. Shpresojmë ta gjejmë këtë copëz unike të historisë sonë teokratike.