6 TETOR 2022
SHTETET E BASHKUARA
Kongresi historik në Sidër-Point 100 vjet më parë
Një ekspozitë e re për këtë ngjarje historike
Një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë në kohët moderne ndodhi 100 vjet më parë, më 5-13 shtator 1922, kur Dëshmitarët e Jehovait mbajtën kongresin nëntëditor në Sidër-Point, Ohajo, SHBA. Në këtë kongres morën pjesë delegatë nga anekënd Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Evropës. Mesatarja e të pranishmëve çdo ditë ishte 10.000 veta dhe fjalimet u mbajtën njëkohësisht në plot 11 gjuhë.
Në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait është hapur një ekspozitë e re kushtuar këtij evenimenti historik, që thekson si ndikoi ky kongres në veprën e predikimit. Për momentin, kjo ekspozitë është e hapur vetëm për familjen Bethel, kurse për vizitorët do të hapet kur të rifillojnë vizitat nga publiku.
Pika kulmore e kongresit në Sidër-Point ishte më 8 shtator. Atë ditë, rreth 8.000 të pranishëm hynë në auditorin e liqenit piktoresk Erie. Kishin ardhur për të dëgjuar fjalimin e vëlla Xhozef Radhërfordit me temë «Mbretëria».
Pasi foli për 90 minuta, vëlla Radhërfordi pyeti auditorin me zë të lartë nëse besonin se Krishti po mbretëronte. Pa ngurruar fare, turma dha një përgjigje të fortë konfirmuese. Pastaj, vëlla Radhërfordi tha: «Ju jeni lajmëtarët e tij. Prandaj lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni!» Në atë çast, rrotulla e pëlhurës që varej lart, u shpalos me hijeshi, duke zbuluar sloganin: «Lajmëroni Mbretin dhe Mbretërinë!»
Nxitja për të predikuar lajmin e mirë i mbushi të pranishmit me entuziazëm për predikimin. Shumë veta në auditor tashmë po predikonin, por fjalimi i vëlla Radhërfordit i motivoi të intensifikonin përpjekjet gjatë një periudhe kur vepra shtëpi më shtëpi po bëhej më e organizuar. Motër Ethel Benekofi, asokohe në fund të të 20-ave, shpjegoi se pas atij fjalimi entuziazmues, Studentët e Biblës kishin «më shumë zell e dashuri në zemra se kurrë më parë». Motër Odesa Taku, që në vitin 1922 ishte 18 vjeçe, tregon: «Doja të isha si Isaia, që tha: ‘Ja ku jam! Më dërgo mua!’»
Dy ditë pas fjalimit të vëlla Radhërfordit, Shoqata Ndërkombëtare e Studentëve të Biblës miratoi një rezolutë, e cila pjesërisht thoshte: «Si një grup të krishterësh të vendosur për t’iu bindur Zotërisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, nuk pranojmë të marrim pjesë në asnjë lloj lufte, revolucioni, anarkie a dhune; dhe jemi kundër përdorimit të gabuar të Fjalës së Perëndisë për të mashtruar njerëzit. Ne dëshirojmë me zjarr paqen.» Kjo rezolutë e thellonte edhe më tej dallimin mes Studentëve të Biblës dhe feve të tjera, të cilat kohët e fundit kishin përkrahur konfliktet armiqësore të Luftës I Botërore dhe do të vepronin po njësoj ca vite më vonë gjatë Luftës II Botërore.
Në Kullën e Rojës të 15 qershorit 1922, thuhej: «Do të bëjmë çmos që kongresi i vitit 1922 të jetë kongresi më fantastik i mbajtur ndonjëherë. . . . Shpresojmë që të jetë një kujtim i paharrueshëm për mijëra vëllezërit e motrat që do ta ndjekin.»
S’ka pikë dyshimi se ai kongres mbeti në histori. Edhe njëqind vjet më vonë, Jehovai po e bekon ende veprën që lajmëron Mbretin dhe Mbretërinë.—Mateu 24:14.