15 MAJ 2023
SHTETET E BASHKUARA
Nisin kongreset rajonale 2023 «Prisni me durim!»
Në mars 2020, për shkak të pandemisë COVID-19, u ndërprenë kongreset rajonale me prani fizike. Këtë vit, anekënd botës do të mbahen mbi 6.000 kongrese rajonale me temë «Prisni me durim!», në më shumë se 500 gjuhë. Kongresi i parë ku Dëshmitarët ishin të mbledhur të gjithë bashkë, u mbajt më 12-14 maj 2023.
Mes më tepër se 1.800 të pranishmëve në kongresin që u mbajt në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Njubërg, Nju-Jork, SHBA, ishte edhe motër Kristina Torresi. Ajo u shpreh: «Kur drejtuesi i sesionit tha: ‘Mirë se erdhët!’, i gjithë auditori shpërtheu në duartrokitje. Çdokush ishte tejet i lumtur që më në fund ishte atje bashkë me të tjerët.» Edhe vëlla Duejn Smithi, që ishte në atë kongres, komentoi: «Salla u elektrizua nga gëzimi dhe nga lumturia që u lexohej në fytyrë motrave e vëllezërve.»
Motër Xhesika Dolçemaskolo, që u pagëzua gjatë pandemisë, nuk kishte qenë asnjëherë në një kongres me prani fizike. Ja si e përshkruan si u ndie: «Nga gëzimi, dashuria dhe lumturia që provova atje, u ndjeva sikur po takoja miken time më të mirë pas një kohe të gjatë larg njëra-tjetrës.» Motra 18-vjeçare Noemi Tinajero, e cila u pagëzua në fillim të këtij viti, komentoi: «Sheh familje të lumtura, motra e vëllezër të lumtur. . . . Është si një copëz parajse.»
Shumë shprehën mirënjohje për temën e programit. Vëllai Sem Hju tha: «Shumë prej nesh e kanë të vështirë të jenë të duruar. Ndaj ishte një përkujtues në kohën e duhur për të imituar shembullin e shkëlqyer të durimit të Jehovait.» Motra Frençi Smith komentoi: «Ky kongres më mësoi se durimi prek çdo aspekt të jetës. I gjithë programi ishte kaq praktik.»
Sa u inkurajuan të gjithë ata që patën privilegjin të merrnin pjesë në këtë kongres hapës në Njubërg, Nju-Jork! Bashkë me miliona të tjerë në mbarë botën, presim me padurim të nxjerrim dobi muajt e ardhshëm nga ky banket besimforcues.—Psalmi 122:1.