Kalo te përmbajtja

Përparon ndërtimi i qendrës së re për vizitorë në Bethelin e Patersonit

10 SHKURT 2022
SHTETET E BASHKUARA

Përparon puna e rinovimit dhe e ndërtimit në Bethelin e Patersonit, Nju-Jork

Përparon puna e rinovimit dhe e ndërtimit në Bethelin e Patersonit, Nju-Jork

Në verën e vitit 2023 pritet të përfundojë puna për ndërtimin e një godine të re me 2 kate në Qendrën e Arsimimit Watchtower të Dëshmitarëve të Jehovait në Paterson, Nju-Jork, SHBA. Ajo zë një sipërfaqe prej 2.787 metrash katrorë dhe do të shërbejë si qendër vizitorësh. Kjo godinë, e cila do të ketë një muze me 3 galeri të përhershme dhe 1 galeri në të cilën do të ekspozohen me rotacion objekte të ndryshme, do të mirëpresë deri në 1.200 vizitorë në ditë. Gjithashtu po rinovohet një pjesë e mirë e godinave të pronës dhe po zëvendësohen instalimet elektrike, hidraulike etj. që janë vjetruar. Deri tani ka mbaruar rreth 40 për qind e punës së rinovimit dhe të ndërtimit.

Pandemia COVID-19 paraqiti sfida të reja për vëllezërit që mbikëqyrnin projektin. Ngaqë furnizimi me materiale ndërtimi u vështirësua goxha, u vu në rrezik vazhdimi i punimeve. Për shembull, gjatë një faze kyçe të ndërtimit, kishte mungesa të çimentos që nevojitej për të bërë betonin, por vëllezërit mundën të gjenin atë që u duhej për të përfunduar në kohë një sipërfaqe të madhe dyshemeje betoni. Gjithashtu, edhe pse çmimi i çelikut kapi majat, ata ia dolën të blinin çelikun e nevojshëm me çmim të arsyeshëm falë kontratave paraprake që kishin bërë.

Gjatë mbylljes totale të Bethelit, vullnetarët punuan nga apartamentet e tyre pa e vonuar dorëzimin e projekteve dhe të planeve. Për njëfarë kohe vëllezërit e patën të pamundur të takoheshin me bordin e planifikimit të qytetit për shkak të protokolleve dhe kufizimeve të vendosura nga pandemia, dhe kjo rrezikonte ngadalësimin e projektit. Gjithsesi, duke bashkëpunuar ngushtë me repartet e ndryshme në Bethel dhe me zyrtarët vendës, komiteti i ndërtimit arriti t’i merrte në kohë lejet e nevojshme, nëpërmjet vullnetarëve të jashtëm dhe videokonferencave.

Meqë udhëzimet për karantinën ndryshuan, për ca kohë ishte e pamundur të ftoheshin vullnetarë të rinj në kantier, dhe kjo u bë sfidë më vete. Por në fillim të vjeshtës së vitit 2020, ftuan sërish vullnetarë në kohë të plotë që të jetonin dhe të punonin në kantier.

Motrën Xhenifer Pol e ftuan të punonte për këtë projekt gjatë pandemisë. Vëreni si u shpreh ajo për punën e ndërtimit: «Më pëlqen të punoj fort, dhe jo vetëm. Më pëlqejnë edhe njerëzit. Këtu shoh organizatën në veprim dhe se si e drejton Jehovai.»

Aktualisht për ndërtimin e qendrës së vizitorëve në Paterson dhe për rinovimet po punojnë gjithsej 440 vullnetarë, 350 prej të cilëve në kantier. Vëllezërit e motrat janë dëshmitarë se si Jehovai s’po lë asgjë mangët që ky projekt të ketë sukses.—1 Kronikave 29:16.

 

Dy vëllezër hapin një kanal kullimi për qendrën e vizitorëve

Një motër po bën instalimet e nevojshme të një njësie që shërben për ngrohje-ftohje, ndërsa punon për rinovimin e godinës së mirëmbajtjes

Një vëlla përgatitet të ngrejë një kolonë çeliku me ndihmën e një vinçi

Pamje nga lart e qendrës së re për vizitorë me qendrën e arsimimit në sfond

Në katin e dytë të qendrës së vizitorëve, një vullnetar ndërtimi punon për një strukturë mbështetëse çeliku

Një vinç ngre në çatinë e godinës së zyrave një pajisje të re për sistemin e ventilimit dhe të ngrohje-ftohjes

Vullnetare ndërtimi të lumtura

Vullnetarë ndërtimi duke punuar në mbrëmje në katin e dytë të qendrës së vizitorëve