25 DHJETOR 2020
SHTETET E BASHKUARA
Të burgosurit marrin mesazhin ngushëllues, pavarësisht nga pandemia
Kur burgjet në mbarë Shtetet e Bashkuara u mbyllën për shkak të pandemisë COVID-19, qindra Dëshmitarë të Jehovait nuk shkonin dot më për vizita atje që të ofronin literaturë nga Bibla dhe të studionin Biblën me të burgosurit. Kjo ndërpreu burimin e ngushëllimit për të dënuarit. Megjithatë, vëllezërit tanë janë përshtatur dhe kanë gjetur mënyra të tjera për të vazhduar predikimin nëpër burgje e njëkohësisht respektojnë masat parandaluese për COVID-19.
Vëllai Den Houtën, i cili ndihmon në organizimin e predikimit nëpër burgje në territorin e Shteteve të Bashkuara, shpjegon: «Kishim merak për të gjithë ata që, vetëm nëpërmjet vizitave tona, mund të mësojnë rreth Biblës. Sot kanë nevojë për ne më shumë se kurrë.»
Për shembull, vëllai Majka Sërsted kontaktoi me autoritetet e burgut në Vakavill, Kaliforni, që t’u kërkonte leje për të dërguar materiale video nga programet e JW Broadcasting në godinat e tyre. Për habinë e tij, autoritetet i kërkuan video që t’i shfaqnin në rrjetet televizive që operojnë në të 33 burgjet e shtetit të Kalifornisë. Si rezultat, kongresi «Gëzoni përherë»! i vitit 2020 u shfaq në segmente 28-minutëshe, tri herë në ditë. Kjo do të thotë se kongresin mund ta ndiqnin 130.000 të burgosur.
Vëllai Sërsted thotë: «Është e mrekullueshme të shohësh dorën e Jehovait. Asgjë s’mund ta ndalojë Jehovain të bëjë atë që do.»
Vëllezërit tanë morën vesh se autoritetet e një burgu në Sarasota, Florida, donin të vinin në dispozicion për të burgosurit «libra frymëzues» që t’i ndihmonin të përballonin stresin që u shkaktonte izolimi. Kështu, vëllezërit u ofruan Bibla dhe disa botime të bazuara në Bibël në anglisht dhe në spanjisht. Autoritetet i pranuan. Veç kësaj, Dëshmitarët morën masa që të drejtonin studime të Biblës nëpërmjet videokonferencave. Një i burgosur i shkroi vëllait me të cilin studion Biblën: «Mezi i pres bisedat që bëjmë bashkë. Më nxisin ta lexoj Biblën dhe falë saj e shoh ndryshe të ardhmen.»
Jemi të lumtur që as pandemia, as muret e burgut nuk e pengojnë Atin tonë të dashur, Jehovain, të ndihmojë ata që duan ta njohin.—Psalmi 139:7-10.