Kalo te përmbajtja

Nga e majta në të djathtë: motra Meri Larimeri me studentë të tjerë të klasës së parë të Galadit; diploma e Galadit e Merit, e datës 23 qershor 1943; dhe Meri në vitin 2017

23 JANAR 2024
SHTETET E BASHKUARA

Vdes në moshën 103-vjeçare e diplomuara e fundit e klasës së parë të Galadit

Vdes në moshën 103-vjeçare e diplomuara e fundit e klasës së parë të Galadit

Më 23 nëntor 2023, u nda nga jeta motër Meri Larimeri, e cila u diplomua në klasën e parë të Kolegjit Watchtower të Galadit. a Meri lindi më 4 qershor 1920, në Sinëri-Hill, Pensilvani, SHBA. Në vitin 1935, në moshën 15-vjeçare, u pagëzua në një kongres në Uashington D.C., SHBA. Katër vjet më vonë, motër Larimeri filloi shërbimin si pioniere e rregullt dhe shpejt u bë e njohur si një predikuese e zellshme.

Në dhjetor të vitit 1942, vëlla Nejthën Nori, i cili merrte drejtimin në organizatë në atë kohë, ftoi Merin që të aplikonte për një shkollë të re që quhej Kolegji Watchtower i Galadit. Pjesërisht në ftesë thuhej se «qëllimi i kolegjit është të përgatitë shërbëtorët fetarë të emëruar, burra e gra, për veprën misionare, në çdo cep të botës». Gjithashtu shtonte: «Kursi zgjat 5 muaj. . . . Që ai të përfundojë në një kohë kaq të shkurtër, kërkohet përkushtim dhe studim intensiv.» Meri e plotësoi kërkesën menjëherë.

Më 1 shkurt 1943, ajo bashkë me 99 studentë të tjerë, nisën ditën e parë të kësaj shkolle të re, që u zhvillua në Lansingun Jugor, Nju-Jork, SHBA. Gjatë gjithë kursit që zgjati thuajse 5 muaj, Meri studioi fort që të mësonte më shumë për Shkrimet. Ajo ishte një studente e shkëlqyer dhe u diplomua më 23 qershor 1943.

Meri dhe disa studente të tjera duke përshëndetur me dorë nga ballkoni, sipër hyrjes së godinës së shkollës së Galadit në Lansingun Jugor, Nju-Jork, SHBA.

Pas diplomimit, Meri u caktua si misionare në Kubë. Duke folur për disa nga sfidat që hasi në caktimin e ri, ajo kujtonte: «Njerëzit atje ishin të varfër. Në shërbim, na duhej të ecnim goxha. . . . Nuk kishim makinë.» Meri qëndroi në caktim deri në vitin 1948, kur u kthye në Pensilvani që të kujdesej për të ëmën, e cila ishte dëmtuar rëndë. Në dekadat që pasuan, Meri, e cila qëndroi beqare, u angazhua plotësisht në shërbim dhe në aktivitete të tjera teokratike. Para se të vdiste, po shërbente në një kongregacion në Glendal, Kaliforni, SHBA.

Meri gjatë shërbimit misionar në Kubë

Meri (në të majtë) me motrën e saj, Helena Ferrarin, dhe me bashkëshortin e Helenës, Salvinon. Çifti Ferrari ndoqën klasën e dytë të Galadit. Edhe ata shërbyen në Kubë

Sot Shkolla Watchtower e Galadit ndodhet në Paterson, Nju-Jork, ku aktualisht po zhvillohet klasa e 155-të. Kur vëllai Mark Numer, një instruktor Galadi, mori vesh se Meri kishte vdekur, tha: «Meri Larimeri ishte një vajzë e re nga një qytezë e vogël, e cila ishte gati të shkonte në vende të panjohura, që t’u fliste të tjerëve për Jehovain. As e kishte idenë se ku do ta dërgonin dhe nëse do të kishte mundësi të kthehej një ditë. Misionarët e Galadit si Meri ndihmuan që të hidhej themeli për rritjen e veprës së predikimit në mbarë globin.»—Isaia 6:8.

a Në vitin 1946, emri i Kolegjit Watchtower të Galadit ndryshoi dhe u bë Shkolla Watchtower e Galadit.