Kalo te përmbajtja

31 TETOR 2017
SHTETET E BASHKUARA

Videoja e Dëshmitarëve ndihmon prindërit të përballojnë një problem kombëtar: bullizmin

Videoja e Dëshmitarëve ndihmon prindërit të përballojnë një problem kombëtar: bullizmin

NJU-JORK—Sipas një sondazhi kombëtar të vitit 2017 për shëndetin e fëmijëve, të zhvilluar në Universitetin e Miçiganit nga spitali i fëmijëve C.S. Mott, prindërit në Shtetet e Bashkuara e renditin bullizmin si problemin kryesor që ndikon te shëndeti i fëmijëve.

Siti stopbullying.gov, i cili mbikëqyret nga Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe i Shërbimeve Publike, tregon një arsye pse prindërit mund të jenë të shqetësuar: kërkime të besueshme zbulojnë se gati 30% e nxënësve amerikanë kanë rënë pre e bullizmit në shkollë.

Dejvid Semoniani, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në selinë e tyre botërore në Nju-Jork, shprehet: «E kuptojmë se bullizmi është kërcënim serioz për fëmijët. Ndaj në veprën tonë të arsimimit biblik kemi përfshirë botime dhe video që flasin për bullizmin dhe për sfida të tjera me të cilat përballen familjet. Tani u bënë gati pesë vjet që videoja e shkurtër me skicime Mund t’i bësh ballë bullizmit pa grushta ka ndihmuar jashtë mase miliona familje anembanë botës.»

Foto e marrë nga videoja Mund t’i bësh ballë bullizmit pa grushta, e cila i nxit të rinjtë që janë pre e bullizmit t’u tregojnë prindërve, autoriteteve në shkollë ose një të rrituri të besuar

Kjo video, e cila zgjat më pak se katër minuta, disponohet në jw.org, siti zyrtar i Dëshmitarëve, në më se 280 gjuhë, ndër to mbi 30 janë gjuhë të shenjave.

Natalia Kárdenas Zuluaga, koordinatore e programit pasuniversitar për Shëndetin Mendor të Fëmijëve dhe të Adoleshentëve në Universitetin CES në Kolumbi, thotë: «Më pëlqeu shumë ideja se Mund t’i bësh ballë bullizmit pa grushta, pasi në vendin tim, për shembull, disa herë prindërit i mësojnë fëmijët t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me anë të dhunës. Mendoj se kjo video përmban këshilla shumë të mira e praktike për fëmijët që janë viktimë e bullizmit. Gjithashtu, në video përmendet një fakt i rëndësishëm: çdokush mund të bjerë pre e bullizmit vetëm sepse është i ndryshëm. Kur fëmijët kuptojnë këtë të vërtetë, mund të fitojnë paqe të brendshme dhe besim te vetja.»

Dr. Jun Sung Hongu, ndihmësprofesor në Universitetin Sungkyunkwan në Korenë e Jugut, pohon: «Meqë videoja përmban vizatime, është edhe e dobishme, edhe tërheqëse, sidomos për fëmijët e vegjël që janë pre e bullizmit. Gjithashtu, mendoj se, për shkak të skicimeve, mbahet mend më kollaj.»

Po ashtu, dr. Shelli Himëli, bashkëthemeluese e Rrjetit për Kërkimet mbi Bullizmin, i njohur në mbarë botën, vëren: «Mendoj se është një mesazh tepër i dobishëm për fëmijët dhe përputhet me studimet që njoh. Prindërit, mësuesit ose të rritur të tjerë që punojnë me fëmijë dhe të rinj, mund ta përdorin si mjet ndihmës për të filluar bisedën.»

Z. Semonian përfundon: «Jemi të shqetësuar për fëmijët që janë pre e bullizmit dhe shpresojmë me gjithë zemër që sugjerimet në videon tonë të jenë të dobishme. Ashtu siç rekomandon videoja, të rinjtë duhet të flasin me dikë të besuar, sidomos me prindërit ose mësuesin, të cilët mund t’u japin drejtimin dhe përkrahjen e nevojshme. Askush s’duhet të përpiqet t’ia dalë i vetëm përballë bullizmit.»

Zëdhënësi për mediat:

Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000