Kalo te përmbajtja

10 KORRIK 2013
SHTETET E BASHKUARA

Dëshmitarët e Jehovait firmosin aktshitjen e një kompleksi ndërtesash në Bruklin

Dëshmitarët e Jehovait firmosin aktshitjen e një kompleksi ndërtesash në Bruklin

NJU-JORK—Më 5 korrik 2013, Dëshmitarët e Jehovait u shitën kompanive RFR dhe Kushner një kompleks prej pesë ndërtesash, që më parë përdorej si shtypshkronjë, dhe një godinë banimi 30-katëshe. Dëshmitarët do të dalin nga kompleksi në fillim të gushtit të këtij viti. Kurse godina e banimit do të lirohet në vitin 2017.

David Semonian, zëdhënës për mediat i Dëshmitarëve të Jehovait thotë: «Sa herë kalojnë mbi urën e Bruklinit, punonjësit dhe vizitorët në qytetin e Nju-Jorkut, lexojnë në këto ndërtesa fjalët ‘Lexojeni Fjalën e Perëndisë, Biblën e Shenjtë, çdo ditë’ dhe ‘Lexoni revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!’ Një pjesë e mirë e historisë sonë organizative dhe arsyeja pse jemi në Bruklin, lidhet me punën që është bërë për shumë vjet në këto ndërtesa.» Për 77 vjet, Dëshmitarët e kanë përdorur kompleksin prej pesë ndërtesash për të botuar Bibla dhe literaturë për arsimimin biblik në shumë gjuhë. Te ndërtesa e parë hynë në vitin 1927, kurse në ndërtesat afër saj në fillim të vitit 1937. Në godinën 30-katëshe banonin rreth një mijë punëtorë, që mund të shkonin direkt në shtypshkronjë pa dalë jashtë kompleksit.

Dëshmitarët po i shesin këto ndërtesa sepse po tranferohen në veri të Nju-Jorkut. Ky transferim ka filluar që në vitin 2004 kur e gjithë shtypja, lidhja dhe dërgimi i botimeve në Shtetet e Bashkuara u zhvendos në Uollkill, Nju-Jork. Tani Dëshmitarët e Jehovait po planifikojnë që selinë e tyre botërore ta transferojnë në Uoruik, Nju-Jork, ku ndërtimet janë programuar të fillojnë brenda këtij viti.

Z. Semonian shton: «Historia jonë e gjatë në Bruklin është një thesar për ne. I kemi përdorur këto ndërtesa për të botuar literaturë biblike me vlerë praktike që ndihmon njerëzit anembanë botës. Mezi presim t’i përdorim ndërtesat e reja në Uoruik për të çuar më tej veprën tonë globale të arsimimit biblik.»

Zëdhënësi për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000