Kalo te përmbajtja

14 SHTATOR 2017
SHTETET E BASHKUARA

Dëshmitarët në Shtetet e Bashkuara përballojnë pasojat e uraganit Harvey

Dëshmitarët në Shtetet e Bashkuara përballojnë pasojat e uraganit Harvey

Përditësim: Mjerisht, është konfirmuar se një motër e moshuar ka vdekur si pasojë e uraganit Harvey.

NJU-JORK—Të premten më 25 gusht 2017, uragani Harvey, një stuhi e kategorisë 4, goditi qytetin bregdetar të Rokportit në Teksas. Ndonëse të dielën uragani zbriti në kategorinë e një stuhie tropikale, deri të mërkurën më 30 gusht shkaktoi dëme të mëdha në juglindje të Teksasit. Në zyrën e degës së Shteteve të Bashkuara kanë mbërritur raportet e para për ndikimin e kësaj stuhie të fuqishme te vëllezërit e motrat.

Në zonat e prekura nga uragani Harvey jetojnë rreth 84.000 Dëshmitarë. Asnjë nga bashkëbesimtarët tanë s’ka humbur jetën, megjithatë nëntë janë plagosur kurse pesë të tjerë janë shtruar në spital. 5.566 Dëshmitarë janë shpërngulur nga shtëpitë. Stuhia ka dëmtuar rëndë 475 shtëpi të vëllezërve kurse 1.182 të tjera kanë pësuar dëmtime të vogla.

Puna e ndihmës për këtë katastrofë po organizohet me mbështetjen e mbikëqyrësve qarkorë në Ostin, Dallas dhe San-Antonio. Qindra vëllezër në këto qytete kanë hapur shtëpitë për të mirëpritur Dëshmitarët e shpërngulur nga Hjustoni dhe nga bregu i gjirit të Teksasit. Të tjerë kanë dhuruar afërsisht 300 tonë ushqime, ujë dhe materiale të tjera.—Proverbat 3:27; Hebrenjve 13:1, 2.

Mbikëqyrësit qarkorë kanë raportuar se të gjitha kongregacionet po organizojnë sërish mbledhjet dhe veprën e predikimit. Ndërsa anëtarë të Komitetit të Degës së Shteteve të Bashkuara po planifikojnë të vizitojnë zonat e prekura për të ngushëlluar e për të mbështetur bashkëbesimtarët.

Dejvid Semoniani, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait, tha: «Jemi pranë gjithë atyre që po vuajnë pasojat e uraganit Harvey dhe falënderojmë të gjithë ata që dolën vullnetarë për të dhënë një dorë pas kësaj katastrofe. Lutemi sidomos për vëllezërit e motrat që u prekën nga kjo stuhi. Gjithashtu i nxitim të vazhdojnë të kenë besim se dora e dashur e Jehovait do t’i mbështetë.»—Psalmi 55:8, 22; Isaia 33:2; 40:11.

Zëdhënësi për mediat:

Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000