Kalo te përmbajtja

1 NËNTOR 2016
SHTETET E BASHKUARA

Dëshmitarët riparojnë digën 60-vjeçare në Uoruik

Dëshmitarët riparojnë digën 60-vjeçare në Uoruik

NJU-JORK—Në gusht 2016 Dëshmitarët e Jehovait mbaruan ndërtimin e selisë së re botërore në Uoruik, Nju-Jork. Në të njëjtën kohë Dëshmitarët kanë rehabilituar edhe digën e Liqenit të Kaltër me mbështetjen e SUEZ Water New York Inc.

Pak pasi blenë pronën më 2009, Dëshmitarët planifikuan të rregullonin digën e Liqenit të Kaltër që ishte në gjendje të mjerueshme. Diga (siç tregohet më sipër, në plan të parë) është ngjitur me selinë e re botërore të Dëshmitarëve dhe shërben si barrierë për ujërat e Liqenit të Kaltër (i njohur ndryshe si Liqeni i Pyllit Sterling). Nga një inspektim i mëpasshëm, Departamenti për Mbrojtjen e Mjedisit (DMM) konfirmoi se diga rridhte dhe se valvula e portës nuk punonte. DMM-ja e cilësoi si digë me rrezikshmëri të lartë për 195 shtëpitë e Woodlands në Tëksido, që ndodhen rreth 1 km larg Liqenit të Kaltër.

Diga e Liqenit të Kaltër (në qendër djathtas) është përbri selisë së re botërore të Dëshmitarëve (poshtë majtas)

Xhefri Hatçinsën, ish-përgjegjës i Parkut të Liqenit të Pyllit Sterling

Xhefri Hatçinsën, ish-përgjegjës i Parkut Shtetëror të Pyllit Sterling, shpjegoi: «Dukej qartë që diga rridhte dhe nëse çahej, mund të sillte pasoja serioze. Uji do të përpinte të gjitha shtëpitë e lagjes Woodlands ose pjesën më të madhe të tyre.»

Robert Verneri, përfaqësues i Woodlands në Shoqatën e Pronarëve të shtëpive të Tëksidos, thotë: «E di fare mirë se po të mos kishin ndërhyrë Dëshmitarët e Jehovait, askush s’do ta kishte prekur me dorë derisa të shkatërrohej. Po të ndodhte kjo, mund të kishte viktima dhe humbje pronash.»

Woodlands i Tëksidos (lart majtas) ndodhet rreth një kilometër larg selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait (poshtë djathtas) dhe digës së Liqenit të Kaltër

Z. Hatçinsën shprehet: «Në vitin 2011 u prish diga e liqenit Eko, që ndodhej më pak se 50 kilometra larg Liqenit të Kaltër, dhe uji mori para pjesë të fshatit Ist në Tëksido, Nju-Jork. Sipas llogaritjeve të inxhinierëve, kur shpërtheu diga e liqenit Eko, 378 milionë litra ujë vërshuan drejt lumit Ramapo. Eko ka një sipërfaqe prej 5.2 hektarësh, më pak se një e teta e sipërfaqes së Liqenit të Kaltër prej 46.5 hektarësh.

Diga e Liqenit të Kaltër, që u ndërtua më 1956, ndodhet në anën lindore të liqenit. Në fillim përbëhej nga dy pjesë: një argjinaturë dhe një kanal kryesor shkarkimi prej betoni. Gjithashtu u vendos edhe një valvulë sigurie në fund të liqenit, për të ulur nivelin e ujit në rast rreziku.

Riçard Divajni, kryetar i Komitetit për Projektin e Ndërtimit të Uoruikut, shpjegon: «Jemi të lumtur që projekti i rehabilitimit të digës doli me sukses dhe sigurisht e vlerësojmë ndihmën që na dha SUEZ Water. Skuadra jonë e ndërtimit përforcoi digën, zëvendësoi valvulën e vjetër e të prishur, shtoi një kanal shkarkimi rezervë dhe ngriti e përforcoi muret e betonta të kanalit kryesor të shkarkimit. Me përfundimin e këtij projekti, tani diga respekton rregullat dhe standardet e sigurisë në industrinë e ndërtimit.»

Z. Hatçinsën e përmbledh kështu mendimin e tij për Dëshmitarët dhe për punën e tyre në këtë projekt: «Ju bëni shumë gjëra të mira për komunitetet vendëse dhe ndihmoni atje ku mundeni. Ndërtimet tuaja janë të cilësisë së parë dhe respektojnë mjedisin.»

Zëdhënësi për mediat:

Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, 1-718-560-5000

 

Punëtorët e Watchtower po heqin valvulën e prishur të shkarkimit nga fundi i Liqenit të Kaltër. Valvula e re do të ndihmojë për të ulur nivelin e ujit gjatë ndonjë rreziku për përmbytje.

Në fund të liqenit po vendosin një grilë të re mbrojtëse, që mbeturinat e mëdha të mos hyjnë në valvulën e shkarkimit kur të hapet.

Punëtorët e Watchtower zgjerojnë kanalin kryesor të shkarkimit. Përmes tij do të shkarkohet uji nga Liqeni i Kaltër drejt një përroi aty afër.

Punëtorët e Watchtower ngrenë me 1.2 metra skarpatet prej betoni të kanalit kryesor të shkarkimit dhe mbyllin plasaritjet.

Dheu jocilësor zëvendësohet me material ndërtimi të përgatitur enkas. U deshën rreth 19.000 m3 nga ky material për të përforcuar digën.

Duke niveluar dhe duke ngjeshur shtresën e hedhur.

Skuadra e kopshtarisë hodhi një tjetër shtresë dheu e mbolli barëra të vendit, që diga të bëhet njësh me terrenin.