6 MAJ 2016
SHTETET E BASHKUARA
Dëshmitarët e Jehovait shesin pronën e mbajtur më gjatë në lagjen historike Brooklyn Heights
NJU-JORK—Të martën më 26 prill 2016 Dëshmitarët e Jehovait mbyllën procedurat e shitjes së 124 Columbia Heights në Bruklin, Nju-Jork. Godina e banimit prej 14.121 metrash katrorë, me simbolin e kullës në majë, ndodhet në hyrjen veriore të shëtitores Brooklyn Heights. Ajo u nxor në shitje në dhjetor 2015 dhe, pas shumë ofertave konkurruese, si blerës u zgjodh dikush që blinte për herë të parë nga pronat e Dëshmitarëve.
Ndërtesa origjinale katërkatëshe karakteristike në 124 Columbia Heights ishte shtëpia e Henri Uard Biçërit, abolicionistit dhe pastorit të njohur të Kishës së Plimuthit, në vitet 1856-1881. Gazeta The New York Times shkruante për domethënien historike të kësaj ndërtese se «pikërisht në këtë shtëpi presidenti Linkoln thuhet se ka vizituar z. Biçër pak para se të firmoste Deklaratën e Çlirimit». Dëshmitarët e blenë këtë ndërtesë në maj të vitit 1909 e më vonë blenë disa prona përbri saj. Kështu krijuan ndërtesën dhjetëkatëshe që sot zë një bllok të tërë qyteti.
Një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait, Riçard Devajni, komenton: «Ne e konsiderojmë ndërtesën 124 Columbia Heights një nga pasuritë me vlerë historike të organizatës sonë. Që nga 1909-a ka shërbyer kryesisht si godinë banimi për personelin e selisë sonë botërore. Në vitet 1929-1957, me përjashtim të katër vjetëve, 124 Columbia Heights shërbeu edhe si stacion për ish-radion tonë WBBR, që transmetonte fjalime dhe programe biblike.»
Megjithëse Dëshmitarët kanë qenë pjesë e lagjes Brooklyn Heights për më tepër se 100 vjet, selia e parë e entit të tyre ligjor Watch Tower Bible and Tract Society u vendos në vitet 80 të shekullit të 19-të në Allegeni (tani pjesë e Pitsburgut), Pensilvani. Dejvid Semoniani, zëdhënës i selisë botërore të Dëshmitarëve, vëren: «Transferimi ynë në vitin 1909 në një qytet-port si Bruklini, për atë kohë ishte mjaft i rëndësishëm për zgjerimin dhe përshpejtimin e veprës sonë globale të arsimimit biblik.»
Shitja e 124 Columbia Heights shënon hapin më të fundit në shpërnguljen e zyrave të selisë së Dëshmitarëve në kompleksin prej 20 hektarësh në Uoruik, Nju-Jork, që është në përfundim e sipër. Z. Semonian shton: «Transferimi në kompleksin e ri në veri të Nju-Jorkut, të ndërtuar enkas për ne, është pikërisht ajo për të cilën kemi nevojë tani. Bruklini ishte shtëpia jonë për më se një shekull dhe Uoruiku do të jetë shtëpia jonë për një epokë të re në historinë tonë.»
Zëdhënësi për mediat:
David A. Semonian, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000