Një përmbledhje e historisë në Shtetet e Bashkuara
Historia e Dëshmitarëve të Jehovait nisi në vitet 1870, në Shtetet e Bashkuara, kur Çarls Tejz Rasëlli dhe shokët e tij formuan një grup për studimin e Biblës. Në vitet më pas, nisën të botonin literaturë, krijuan një korporatë, që më vonë u bë e njohur si Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, dhe hapën selinë e tyre të parë në Allegeni të Pensilvanisë.
Dëshmitarët e Jehovait në Shtetet e Bashkuara janë të lirë të praktikojnë besimin e tyre. Megjithatë, në fillim të shekullit të 20-të, hasën kundërshtim të fortë nga zyrtarë të keqinformuar të qeverisë dhe anëtarë me influencë të klerit. Sidomos gjatë viteve 30 dhe 40, Dëshmitarët u përfshinë në shumë beteja ligjore. Policia i arrestonte Dëshmitarët për shkak të veprës së tyre të predikimit, shkollat përreth shtetit përjashtonin fëmijët Dëshmitarë ngaqë nuk nderonin flamurin dhe gjykatat federale dënuan mijëra djem Dëshmitarë se nuk pranonin të kryenin shërbimin ushtarak. Në fund, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi në favor të Dëshmitarëve të Jehovait për këto çështje.
Deri më sot, Dëshmitarët kanë fituar 50 çështje në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, ata kanë fituar në gjykatat shtetërore dhe federale në mbarë vendin për shumë çështje të tjera si: të drejtat e pacientit, kujdestarinë e fëmijëve, urbanistikën dhe ndërtimin e objekteve, diskriminimin në punësim dhe imigrimin. Këto fitore i kanë dhënë formë ligjit kushtetues dhe kanë siguruar lirinë e të folurit, të shtypit, të grumbullimit dhe të fesë në Shtetet e Bashkuara. Veç kësaj, kanë ndikuar pozitivisht në gjykata të larta përreth botës.