Kalo te përmbajtja

14 SHKURT 2017
SHTETET E BASHKUARA

Dëshmitarët marrin çmimin më të lartë për ndërtesat ekologjike të selisë së re botërore

Dëshmitarët marrin çmimin më të lartë për ndërtesat ekologjike të selisë së re botërore

NJU-JORK—Pas mbarimit të selisë së re botërore në gusht 2016, Dëshmitarët e Jehovait u vlerësuan zyrtarisht për ndërtesat ekologjike të kompleksit të ri në Uoruik, Nju-Jork. Organizata Green Building Initiative (GBI), që bën inspektimin dhe vlerësimin e ndikimit të ndërtesave tregtare te mjedisi, u dha Dëshmitarëve çmimin më të lartë «Katër globe të gjelbra» për të shtata ndërtesat që u kualifikuan.

Shaina Uajnstajni, Drejtoreshë e GBI-së për marrëdhëniet me klientin, shprehet: «Nga 965 projekte në mbarë vendin, vetëm 64 ndërtesa kanë marrë çmimin më të lartë «Katër globe të gjelbra». Është e jashtëzakonshme që Dëshmitarët e Jehovait morën «Katër globe të gjelbra» për të shtatë ndërtesat në Uoruik. Ky vlerësim dëshmon për një nivel të lartë përkushtimi në përdorimin e ujit, të energjisë dhe të mjedisit.

Sistemi i vlerësimit me Globe të Gjelbra (me mirësjellje nga GBI-ja). Të shtata ndërtesat e selisë së Dëshmitarëve që u kualifikuan për shqyrtim, morën së paku 90 për qind të vlerësimit, që është baras me «Katër globe të gjelbra»

Sipas sitit të saj zyrtar, GBI-ja është një «organizatë jofitimprurëse e përkushtuar të përshpejtojë zbatimin e teknikave të ndërtimit që i kontribuojnë shëndetit, që përdorin me efektshmëri burimet natyrore dhe që respektojnë mjedisin. Ajo klasifikon ndërtesat e sapondërtuara në bazë të projektit ekologjik dhe të mënyrës si funksionojnë. Pjesë e procesit të klasifikimit është edhe inspektimi i objektit nga një ekspert i pavarur që konfirmon vlerësimin e GBI-së.

David Bean, koordinator i projekteve ekologjike për godinat e Dëshmitarëve në Shtetet e Bashkuara, thotë: «I vlerësojmë këto çmime, sepse dëshmojnë sa të përkushtuar ishin të gjithë ata që ndihmuan për të ndërtuar një kompleks që është shembull për tiparet e shumta ekologjike,—një kompleks që bëhet njësh dhe shkrihet këndshëm me Parkun Shtetëror të Pyllit Sterling.»

Mbi çatinë e godinës së zyrave dhe të shërbimeve janë mbjellë bimë të vendit, poshtë së cilave është vendosur një shtresë kundër ujit. Dëshmitarët i mbledhin ujërat e shirave dhe i përpunojnë vetë që të mos bëhen barrë për infrastrukturën publike

Dëshmitarët u përpoqën të pritnin sa më pak pemë dhe pemët e prera t’i përdornin në ndërtim. Xhefri Hatçinsën, ish-përgjegjës i Pyllit Sterling, vëren: «Më pëlqeu vendimi për t’i përdorur sërish në ndërtim pemët që u prenë në sipërfaqen e kantierit. Dëshmitarët kanë bërë një punë të shkëlqyer për të mbrojtur mjedisin.» Kurse Shaina Uajnstajni komenton: «Sipas mendimit tonë, projekti i Uoruikut është vërtet një shembull i projekteve dhe i ndërtimeve që mbajnë parasysh mjedisin.»

Riçard Divajni, ish-kryetar i Komitetit për Projektin e Ndërtimit të Uoruikut, shpjegon: «Për dekada, organizata jonë është kujdesur për anën estetike të pronave në Bruklin. Tani mezi presim të kujdesemi për kompleksin ekologjik në Uoruik dhe të ruajmë bukurinë natyrore të Pyllit Sterling.»

Zëdhënësi për mediat:

Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, 1-845-524-3000

 

Selia e re botërore e Dëshmitarëve në Uoruik, Nju-Jork, zë më pak se 20 për qind të truallit prej 102 hektarësh që u ble më 17 korrik 2009.

Që argjinatura të jetë e qëndrueshme dhe që të parandalohet erozioni, janë vënë rrjeta dhe gurë të përmasave të ndryshme.

Gjatë fazës së parë të ndërtimit u nxorën gurë të mëdhenj, dhe mbi 240.000 tonë prej tyre u përdorën në ndërtim.

Për të mbrojtur liqenin nga llumrat, është vendosur një barrierë përgjatë bregut. Ajo përbëhet nga pjesa pluskuese, nga një copë e papërshkueshme dhe nga një zinxhir i galvanizuar i vendosur në fund të saj për ta bërë të qëndrueshme.

Kontenierë riciklimi. Mbi 70 për qind e mbetjeve të kantierit u çuan për t’u përpunuar në qendra riciklimi të aprovuara.

Kopshtarët duke mbjellë bimë afër hyrjes së selisë botërore të Dëshmitarëve. Aty janë mbjellë pemë e bimë të vendit.

Punëtorët po vendosin një skarë, që është pjesë e sistemit gjeotermik që ndodhet 152 metra nën tokë. Ndonëse temperaturat mbi tokë në dimër e verë ndryshojnë shumë, temperatura nën tokë mbetet stabël. Sistemi gjeotermik shfrytëzon pikërisht temperaturën stabël nën tokë. Lëngjet që qarkullojnë në tubacione thithin temperaturat e ngrohta nën tokë dhe ngrohin ndërtesat në dimër. Kurse në verë thithin temperaturën e lartë të ndërtesave dhe e përçojnë nën tokë. Pritet që ky sistem gjeotermik të reduktojë me 40 për qind harxhimin e energjisë që nevojitet për të ngrohur a për të ftohur ndërtesat.

Brenda godinës së zyrave dhe të shërbimeve. Boja dhe veshja e mureve të brendshme dhe e tavanit, përmbushin kriteret e organizatës Green Building Initiative pasi janë përdorur produkte që çlirojnë shumë pak kimikate me qëllim që të mbrohet shëndeti i banorëve.