22 MAJ 2017
SHTETET E BASHKUARA
Në pritjen për publikun komuniteti vlerëson pozitivisht selinë e re botërore të Dëshmitarëve
NJU-JORK—Të shtunën më 29 prill 2017 Dëshmitarët e Jehovait organizuan pritjen e dytë speciale për publikun në selinë e re botërore në Uoruik, Nju-Jork. Kësaj radhe erdhën edhe më shumë vizitorë.
Erdhën 468 veta, 18 për qind më tepër se të shtunën e parë. Troi Snajderi, menaxher i kompleksit të selisë botërore, tha: «Jemi mjaft të entuziazmuar që kompleksin e përfunduar e vizituan kaq shumë fqinj e sidomos zyrtarë të qytetit. Disa banorë na vizituan sërish të nxitur nga ajo që panë dhe përjetuan vizitën e parë javën e kaluar.»
Në dy pritjet për publikun, që u organizuan për dy të shtuna radhazi nga ora 10.00 deri në 16.00, morën pjesë 863 veta gjithsej. «Pritjet për publikun ishin një sukses i jashtëzakonshëm,—shton z. Snajder.—Morëm goxha komente pozitive nga vizitorët. Me shumë dëshirë i mirëpresim prapë fqinjët kur të duan të vizitojnë kompleksin dhe muzeun.»
Ingrid Magari, që banon aty pranë, në Parkun e Tëksidos, Nju-Jork, ishte një nga fqinjët e shumtë që morën pjesë. Ajo kishte punuar për 18 vjet në laboratorin e kërkimeve metalurgjike të Kompanisë Ndërkombëtare të Nikelit që dikur zotëronte truallin e kompleksit. Duke kujtuar si përdorej më parë vendi, komenton: «Jam shumë e kënaqur kur shoh si ka ndryshuar ky vend. Kishte mbetur bosh prej kohësh dhe ekzistonte një pikëpyetje e madhe si do të përdorej. Është vend i bukur dhe ju e keni bërë edhe më të bukur.» Gjithashtu, znj. Magari komentoi për fqinjët e rinj: «Mendoj se ju [Dëshmitarët e Jehovait] jeni fqinj të mirë. Jeni të dhembshur, të vëmendshëm, kujdeseni për mjedisin, për komunitetin dhe mendoj se jemi shumë me fat që ju kemi këtu.»
Uilliam Hopi, një inxhinier që Qyteti i Uoruikut e caktoi të inspektonte projektin për dy vitet e fundit, tha: «Dukej qartë se ata donin që puna të kishte standardin më të lartë. . . . Kjo dallohet nga cilësia e ndërtimit. Jam shumë, shumë i mahnitur nga sa vëmendje i kanë kushtuar ekosistemit dhe mjedisit gjatë ndërtimit të kompleksit dhe mirëmbajtjes së tij. Kanë treguar shumë kujdes për të mbrojtur mjedisin. Mendoj se është një shembull i shkëlqyer për t’u ndjekur edhe në projekte të tjera ndërtimi.»
Zëdhënësi për mediat:
Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000