Kalo te përmbajtja

8 SHTATOR 2014
SHTETET E BASHKUARA

Ndahet nga jeta Lillian Gobitas Klose, që u bë e njohur me çështjen në Gjykatën e Lartë më 1940

Ndahet nga jeta Lillian Gobitas Klose, që u bë e njohur me çështjen në Gjykatën e Lartë më 1940

NJU-JORK—Lillian Gobitas Klose u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare në shtëpinë e saj në Fayetteville të Xhorxhias më 22 gusht 2014. Vendimi i saj për të mos nderuar flamurin e vuri në qendër të një çështjeje të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, çështje që më pas u përdor si precedent.

William Henry Gobitas (i pari nga e majta), Walter Gobitas dhe Lillian Gobitas në vitin 1935, pasi fëmijët u përjashtuan nga shkolla ngaqë nuk nderonin flamurin.

Letra që në vitin 1935 Lillian Gobitas i shkroi drejtorisë së shkollës në Minersville në mbrojtje të besimit të saj.

Lillian Gobitas dhe vëllai i saj i vogël, William, të dy Dëshmitarë të Jehovait, vendosën të mos e nderonin më flamurin pasi dëgjuan urdhërimet biblike kundër idhujtarisë në një transmetim radiofonik kombëtar më 6 tetor 1935. Pak javë më pas i përjashtuan nga shkolla për qëndrimin e tyre. Babai i tyre, Walter, ngriti padi për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve të tij dhe në gjykatat lokale e fitoi çështjen. Drejtoria e shkollës iu apelua Gjykatës së Lartë dhe u hap çështja Drejtoria arsimore e Minersville kundër Gobitis (mbiemri i tyre ishte shkruar gabim në dokumentacionin e gjyqit). Më 3 qershor 1940, gjykata vendosi kundër familjes Gobitas. Tre vjet më vonë, Ditën e Flamurit, më 14 qershor 1943, vendimin e saj për çështjen Gobitis të vitit 1940 Gjykata e Lartë e anuloi gjatë çështjes Drejtoria Shtetërore e Arsimit në Virxhinian Perëndimore kundër Barnetit, duke i lejuar kështu fëmijët të ktheheshin në shkollë. Ishte hera e parë në historinë e SHBA-së që Gjykata e Lartë anulonte vendimin e saj brenda një kohe kaq të shkurtër.

Lillian Gobitas lindi në Minersville të Pensilvanisë më 2 nëntor 1923. Prindërit e saj ishin Walter dhe Ruth Gobitas. U pagëzua si Dëshmitare e Jehovait më 14 mars 1935. Kur ishte 20 vjeç, znjsh. Gobitas u bë mësuese biblike në kohë të plotë (që Dëshmitarët e quajnë pioniere e rregullt) dhe më vonë punoi në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork, nga shkurti i vitit 1946 deri në prill të vitit 1953.

Lillian dhe i shoqi, Erwin Klose, si misionarë në Vjenë, Austri, në vitin 1954.

Ndërsa ndiqte kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait në vitin 1951 në Evropë, znjsh. Gobitas njohu z.Erwin Klose në zyrën e degës së Dëshmitarëve në Gjermani. I mbajtën lidhjet edhe gjatë kohës që z. Klose bënte Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit, shkolla misionare e Dëshmitarëve që mbahet në South Lansing, Nju-Jork. Ai u diplomua në vitin 1952 dhe pranoi një caktim në Vjenë, Austri. Edhe znjsh. Gobitas u diplomua në shkollën misionare të Dëshmitarëve në shkurt të vitit 1954.

Më 24 mars 1954, ajo dhe z. Klose u martuan në Vjenë dhe vazhduan së bashku veprën misionare në Austri. Në fund të atij viti u kthyen në Shtetet e Bashkuara për shkak të shëndetit gjithnjë e më të dobët të z. Klose, që vuante ende pasojat e trajtimit mizor që kishte pasur në një kamp përqendrimi nazist ngaqë ishte Dëshmitar i Jehovait. Më vonë patën dy fëmijë: Stephen Paul dhe Judith Deborah. Në vitin 1967, familja Klose u transferua në Riverdale, Xhorxhia, ku morën pjesë më shumë në veprën e arsimimit biblik.

Znj. Gobitas Klose la pas vajzën e saj, Judith Klose, dy motra, Jeanne Fry dhe Grace Reinisch, dhe një vëlla Paul Gobitas. Kurse burri, prindërit, vëllai William Gobitas, e motra Joy Yubeta dhe i biri Stephen Paul Klose kishin vdekur para saj.

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e informacionit publik, tel. +1 718 560 5000