Kalo te përmbajtja

13 MAJ 2015
SHTETET E BASHKUARA

Dëshmitarët e Jehovait hapin zyrë përkthimi të gjuhës amerikane të shenjave në Florida

Dëshmitarët e Jehovait hapin zyrë përkthimi të gjuhës amerikane të shenjave në Florida

FORD-LODËRDEJLL, Florida.—Më 14 nëntor 2014, Dëshmitarët e Jehovait nisën ta transferonin skuadrën e përkthimit të gjuhës amerikane të shenjave (ASL) nga Qendra e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, në Ford-Lodërdejll, Florida. Që nga viti 1995, Dëshmitarët kanë përkthyer nga qendra e tyre në Paterson Biblën dhe botime biblike në ASL. Muajt e fundit, Dëshmitarët e kanë ristrukturuar pronën në Ford-Lodërdejll duke krijuar zyra të reja dhe studio regjistrimi. Në maj 2015, zyra e përkthimit në ASL ishte plotësisht funksionale.

Videot e Dëshmitarëve në ASL mund të gjenden online në jw.org dhe në DVD. Ata i përdorin rregullisht edhe në mbledhjet javore që mbajnë në më tepër se 500 kongregacione në mbarë botën, si edhe në evenimente të mëdha, siç janë asambletë që mbahen dy herë në vit dhe kongreset rajonale vjetore.

«Synimi ynë është të sigurohemi që videot tona të kuptohen lehtësisht nga shumica e personave që komunikojnë në ASL, pavarësisht nga vendi i origjinës ose arsimimi»,​—thotë Jonathan Galvez, që koordinon skuadrën e përkthimit të ASL-së në Florida. Ai vazhdon: «ASL-ja përdoret në rreth 45 vende, dhe, ashtu si në gjuhët e folura, theksi i shenjave me të cilat komunikojnë personat që nuk dëgjojnë, ndryshon nga rajoni në rajon. Tani që jemi transferuar në Ford-Lodërdejll, përkthyesit ndodhen në një qytet me popullsi ndërkombëtare të ASL-së, e cila është më e madhe dhe më e larmishme.»

Në vitin 2014, Frank Bektër, i cili ka mbrojtur doktoraturën në antropologjinë socialkulturore dhe gjuhësore, mori pjesë në një kongres rajonal në ASL që e mbanin Dëshmitarët e Jehovait në Riçmond, Virxhinia. Ai e ndoqi ngaqë po bënte kërkime gjuhësore dhe antropologjike për gjuhën e shenjave dhe për komunitetin e personave që nuk dëgjojnë. Dr. Bektër thotë: «Përkushtimi i organizatës suaj për një përkthim dhe paraqitje cilësore në ASL, dukej fare qartë në evenimentin në Riçmond, sidomos nga përdorimi i vazhdueshëm i përkthimeve cilësore të vargjeve të Biblës në format videoje. ASL-ja që u përdor në to, ishte e shkëlqyer.» Ai thotë më tej: «I vlerësoj përpjekjet e Dëshmitarëve për ta përkthyer kaq mirë Biblën në ASL, sepse është një dokument shumë i rëndësishëm për shoqërinë tonë dhe për historinë botërore. Dhe, besoj se dokumentet e rëndësishme që kanë modeluar botën, duhet të jenë lehtësisht të disponueshme për ata që nuk dëgjojnë, ashtu si për çdo njeri tjetër.»

Skuadrat e përkthimit të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën kanë prodhuar dhe shpërndarë falas botime të shumta në format videoje në rreth 80 gjuhë të shenjave. Dëshmitarët e Jehovait kanë nxjerrë edhe aplikacionin JW Library Sign Language, falë të cilit përdoruesit mund ta kenë të lehtë t’i shkarkojnë, t’i organizojnë dhe t’i luajnë videot në gjuhën e shenjave nga siti jw.org.

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndërkombëtar: Xhejms Brauni, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000